Pikat e Grumbullimit “ Leva e Rritjes së Eksporteve Shqiptare

1k 0

“Më shumë fonde për ndërtimin e enëve ku grumbullohet, gatuhet dhe shpërndahet, prodhimi bujqësor. Nëse nuk veprojmë kështu atëhere do të prodhojmë, mbledhim dhe shesim vetëm “thërrime”. Nëse nuk veprojme keshtu do të mbledhim vetëm “qindarka” për gjallesë.” Me këto fjalë Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti iu drejtua 3000 fermerëve një vit më parë në Konferencën ‘Nga bujqësi e mbijetesës në bujqësi të zhvillimit.’

Në vendin tonë numërohen 117 pika të grumbullimit të prodhimit bujqësor, 52 prej të cilave janë pika ku kryhet eksporti i prodhimeve bujqësore

Pikat e grubullimit. Këto duket se janë një prej faktorëve kyç në rritjen e eksportit bujqësor i cili shënoi 11.5% rritje në 2014-tën krahasuar me vitin 2013. Vihet re një rritje e konsiderueshme e eksportit të perimeve, frutave dhe bimëve medicinale, produkte këto të cilat në fakt, gjithnjë e më shumë po grumbullohen nga fermerët në pikat e grumbullimit.
Në vendin tonë numërohen 117 pika të grumbullimit të prodhimit bujqësor, 52 prej të cilave janë pika ku kryhet eksporti i prodhimeve bujqësore me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Bosnjë, Kroacinë, por edhe në Suedi, Itali, Francë, Gjermani, Zvicër, Austri dhe SHBA.

Drejtoria e Prodhimit Bujqësor dhe Politikave Tregtare në Ministrinë e Bujqësisë, të cilës i referohet Agjensia Telegrafike e Lajmeve bën të ditur se numri më i lartë i qendrave të grumbullimit është i përqendruar në qarkun Lushnjë – Fier, ku janë ngritur 13 pika grumbullimi dhe eksporti të perimeve e frutave, me 5100 m² kapacitete grumbulluese (magazina) dhe kapacitet 7500 tonë dhoma frigoriferike, të cilat mundësojnë grumbullimin e mbi 56 mijë tonë prodhime nga fushat e bujqëve shqiptarë.

Pika të suksesshme grumbullimi përveçse në Lushnje gjenden edhe në Goriçan të Beratit, pothuaj me të njëjtët tregues për grumbullimin dhe eksportin e perimeve dhe frutave, me dallimin se në këtë zonë vëmendja është përqendruar më shumë te grumbullimi dhe eksporti direkt i prodhimeve. Specialistët e sektorit, referon ATSH, shprehen se rritja e prodhimit bujqësor vendas ka diktuar ngritjen e pikave të grumbullimit bashkëkohore pothuajse në të gjithë vendin, Kukës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Gjirokastër, Korçë etj., me kushte për të ruajtur prodhimet tipike të zonës.

Për sa i përket bimëve mjekësore, organizimi i grumbullimit është në Malësinë e Madhe, Kukës e Gjirokastër por edhe Elbasan e Berat ku janë përqendruar edhe kompanitë më të mëdha eksportuese. 

Skemat Kombëtare të Financimit, prioritet pikave të grumbullimit

Investimet e reja për ndërtim të Pikave Grumbullimit mbështeten edhe nga Skemat Kombëtare të Financimit. Në udhëzimin e këtij viti për aplikimet për fonde në Skemën ‘Mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit’ një prej investimeve që mbështeten është edhe ngritja dhe/ose rikonstruksioni i ambjenteve për grumbullim dhe ruajtje të produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale. 
Pikat e grumbullimin u përfshinë edhe në Skemën “ Mbështetja, përmes subvencionit, në masën 70% të normës së interesit, për 7 (shtatë) vite radhazi, për kreditë deri në 30,000,000 (tridhjetë milionë) lekë, nga e cila përfitojnë projektet për ndërtimin e magazinave për grumbullim, përpunim apo ruajtjen e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës dhe bimëve medicinale.
Do të vlerësohen me nje numër më të lartë pikësh investimet mbi 40 milion lekë, po ashtu subjektet me mbi 25 punonjës si edhe ata që do të kenë një Plan Biznesi të konceptuar qartë me të gjithë elementët. Femrat dhe t&eueuml; rinjtë kanë të tjera ‘privilegje’. Do të përfitojnë 5 pikë më shumë aplikantet femra ose të rinjtë nën moshën 40 vjeç.

Eksporti do të jetë një vlerë e shtuar për të gjithë ata që do të investojnë në Pika Grubullimi e që kërkojnë mbështetje financiare nga Skemat Kombëtare. Edhe 5 pikë të tjera shtesë në vlerësimin për këta aplikantë që dokumentojnë se investimi i tyre ka si qëllim eksportin, pra që dëshmojnë se ‘ena’ e tyre grumbulluese funksionon mbi parimin e ‘enëve shpërndarëse’.

Përparësi në Skemat Kombëtare i është dhënë edhe prodhimit nga serat me perime të freskëta gjë që do të ndikojë direkt në uljen e importit dhe do të konsolidojë më shumë funksionimin e pikave të grumbullimit si një hallkë e rendësishme konsoliduese midis fermerit prodhues dhe kërkeses nga tregu i huaj. Kjo Skemë mbulon deri ne 60% te kostos se ndertimit te serrës por jo me shume se 2000lek/m2 ndertimit ndërkohë që pikët më të larta shkojnë për sipërfaqet mbi 2 ha.

Mekanizmi i pikave të grumbullimit si faktorë të rritjes së konsiderueshme të eksporteve shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare merr rëndësi edhe më të madhe provohet edhe nga vëzhgimi i agroweb.org ndaj eksporteve shqiptare në rritje. Të dhënat e detajuara të eksport-importeve të produkteve bujqësore, blegtorale dhe agroushqimore për vitin 2014, flasin për eksporte ku vendin e parë e zë agroindustria me një vlerë prej 8.2 miliard lekë, pasuar nga bujqësia me 8.1 miliard lekë e më pas blegtoria me rreth 600 milion lekë.

raportin e FMN, publikuar në Shkurt të këtij viti, theksohet se gjatë vitit 2014 eksporti i produkteve ka një ngritje falë rritjes së eksporteve të produkteve bujqësore dhe tekstile. (link) Në këtë raport FMN parashikon një rritje të GDP me 2.1 përqind gjatë 2014-tës e lidhur ndër të tjera edhe me rritjen e prodhimit të bujqësisë, tregëtisë dhe industrisë përpunuese. Llogaria korrente është përkeqësuar gjatë 2014-tës thuhet në raport, por një rritje e konsiderueshme e kërkesës nga jashtë ka ndihmuar eksportet tekstile dhe bujqësore. Në fakt, edhe nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë duket se kërkesa nga jashtë ka ardhur në rritje veçanërisht për frutat dhe perimet.