Kastraveci, Freskia e Tokës Shqiptare

583 0

Kastraveci është një nga perimet më të shijshme të stinës. Prodhimet shqiptare mbeten më të mirat të ofruara në tregjet e fruta perimeve në vend.

Fermerët tanë tregojnë kujdes të veçantë në kultivimin e kastravecit që falë vlerave ushqimore është kthyer në një produkt me famë në tregjet evropiane. Kastraveci shqiptar është një nga produktet më të eksportuara drejt Evropës.

Kjo perime është pjesë e pandashme në tryezat tona sepse freskia që sjell është e patjetërsueshme. Kastravecat mund të transformohen edhe në një lëng të shëndetshëm që përcjell shumë përfitime shëndetsore.

Ekspertët e AgroWeb.org shprehen se pirja e lëngut të kastravecit ju ndihmon në plotësimin e dozës së rekomanduar ditore të vitaminës K e cila është e dobishme për forcimin e kockave dhe mirëmbajtjen e veshkave. Kjo vitaminë luan një rol të rëndësishëm edhe për gjakun sepse aktivizon proteinën që parandalon gjakderdhjen pas një lëndimi fizik.

Pirja e lëngut të kastravecit ndihmon në parandalimin e pamjaftueshmërisë së vitaminës K, që shkakton gjakderdhje nga hundët, mishrat e dhëmbëve dhe nxirje.

Nga ana tjetër, lëngu i kastravecit është një burim i mirë bakri që ndihmon në formimin e transmetuesve nervorë, kimikate që ndihmojnë në komunikimin e qelizave të trurit.

Bakri ndihmon në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, forcon indet lidhorë dhe forcon sistemin imunitar. Bakri ju mbron nga dëmet e shkaktuara prej radikaleve të lira që sulmojnë kur ju ekspozoheni ndaj toksinave ose dritës së diellit. Bakri tek lëngu i kastravecit ju vjen në ndihmë duke iu dhënë energji trupit dhe mendjes.

Lëngu i kastravecit është një burim vegjetarian i kalciumit, një mineral i dobishëm që ndihmon dhe forcon kockat dhe dhëmbët.

Muskujt e përdorin kalcium për kontraktime të ndryshme ndërkohë që sistemi nervor ka nevojë për kalcium të transmetojë impulse nervorë. Marrja e sasive të mjaftueshme të kalciumit ruan ekuilibrat e hormoneve duke qenë se ky mineral ndihmon dhe kontrollon çlirimin e hormoneve në gjak.

2 receta të shijshme me bazë kastraveci

Kastravec dhe mjaltë

Përbërësit

4 kastravecë të mëdhenj të ftohur paraprakisht në frigorifer

Përgatitja

Lajini dhe qërojini kastravecët dhe hidhini në mikser
Shtoni 60 mililitra ujë dhe përziejini
Filtrojeni lëngun dhe shtoni një lugë me mjaltë

Lëngu me kastravec, borzilok dhe limon jeshil

Përbërësit :

• 1 tufë me gjethe borziloku
• 1 kastravec mesatar
• Gjysëm limoni
• 1 mollë

Përgatitja:

Shtrydheni borzilokun
Prijeni kastravecin në gjysmë 
Prijeni mollën dhe hiqni farat
Hiqni lëkurën dhe farat e limonit
Përzijini të gjithë përbërësit e lartpërmendur në një mikser duke shtuar një gotë me ujë.
Kullojeni lëngun, përzijeni dhe servireni./AgroWeb.org