Nexus, trekëndëshi i bujqësisë së qëndrueshme

668 0

Ndryshimet klimatike pritet të jenë katastrofale për mbijetesën në planet, nëse nuk merren masa të menjëhershme. Do të duhet më shumë ujë, më shumë energji, më shumë ushqim. Nexus vjen si një koncept i ri i cili na paralajmëron t’i trajtojmë të tre elementët në një strategji të vetme sa më parë. Kjo nuk është një ide. Është domosdoshmëri!
Ujë, energji dhe ushqim. Jetë, vazhdimësi, mirëqenie. Mungesa e tyre? Ajo së cilës i druhemi të gjithë! Situata është alarmante dhe kërkon ndërgjegjësim të njëkohshëm dhe universal. E ardhmja? Rritje e popullsisë. Rritje e kërkesës për ushqim. Rritje e veprimtarisë bujqësore. Rritje e kërkesës për ujë. Rritje e konsumit global të energjisë. E nëse vazhdojmë kështu, do të shënojmë një rritje tjetër stratosferike, rritjen e nivelit të ndotjes dhe shfrytëzimit të mjedisit. Planeti nuk ofron aq sa njerëzimit do t’i duhet.
Shifrat e publikuara nga organizatat ndërkombëtare përgjegjëse janë edhe më alarmante!
Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara FAO deri në vitin 2050 do të duhet të prodhohet 60 përqind më shumë ushqim. Konsumi global i energjisë pritet të rritet me 50 perqind deri në vitin 2030 dhe përdorimi i ujit në kanalet vaditëse do të rritet me 10 përqind deri në vitin 2050. Arsyet? Rritja e numrit të popullsisë, lëvizjet e vazhdueshme, zhvillimi ekonomik, tregtia ndërkombëtare, urbanizimi, diversifikimi i dietave, ndryshimet teknologjike dhe kulturore si dhe ndryshimet klimatike.
Për këtë arsye shoqëria jonë duhet të orientohet drejt bujqësisë së qëndrueshme, të mençur dhe miqësore ndaj mjedisit. Pikërisht ashtu siç nuk është sot!

                                                                    
                                                                                     Burimi FAO Siguria e ushqimit, ujit dhe energjisë janë të ndërlidhura me njëra tjetrën
Sot bujqësia mban një peshë të rëndë përgjegjësie mbi shpatulla për sa i përket shpenzimit të burimeve të limituara dhe ndotjes së mjedisit. Ky sektor është përgjegjës për 70 përqind të përdorimit të ujit dhe 30 përqind të përdorimit të energjisë globale. Aktivitetet parësore bujqësore konsumojnë rreth 20 përqind të energjisë, ndërkohë që përpunimi ushqimor dhe transporti konsumojnë rreth 40 përqind të energjisë globale.
Dy aktivitetet bujqësore që kërkojnë më shumë energji janë prodhimi dhe përpunimi bujqësor. Proceset e ruajtjes dhe përpunimit të mishit, peshkut, frutave, perimeve dhe vajrave, konsumojnë gjithashtu sasi shumë të larta energjie. Por edhe në segmente të tjera brenda sektorit bujqësor, në prodhimtarinë e pijeve apo ushqimeve, nevojitet sasi e lartë energjie për proceset e ngrohjes, për të cilat përdoren nafta dhe biomasa. Tharja, ftohja, proceset pas korrjes dhe përpunimi konsumojnë intensivisht energji. Prodhimi i plehrave dhe pesticideve si dhe lëndët djegëse që përdoren nga makinerintë apo për të vënë në punë sistemet ujitëse shpenzojnë sasi të mëdha energjie.

Burimi: FAO Nga se varet siguria ushqimore?

Mungesa e praktikave që përdorin me efikasitet energjinë në sektorin bujqësor dhe atë të ushqimit ka bërë që në ajër të gjendën sot rreth 1,100 milionë tonë dioksid karboni. Kombet e bashkuara vendosin theksin në përmirësimin e efikasitetit të përdorimit të energjisë në sektorin bujqësor si masën kryesore që duhet të ndërmerret për uljen e ndotjes së ambientit.
FAO në një raport të publikuar në vitin 2011 përllogarit se ndotja me gazet serrë nga veprimtaritë bujqësore është 9.7 Gigatons, dy të tretat e të cilave vijnë si pasojë e produkteve që lidhen me proceset e para të veprimtarisë bujqësore si mbjellja, mirëmbajtja e tokave apo ujitja. E megjithatë të dhënat e sakta krahasuese janë të pakta sepse konsumi energjitik dhe analiza e ndotjes deri më tanë janë të përqëndruara vetëm në sektorin ushqimor. Të dhënat konvencionale statistikore nuk mund të përcaktojnë proporcionet e konsumimit të energjisë apo mbetjeve të gazrave serrë të sektorit të transportit apo industrisë që mund t’i atribuohen sektorit ushqimor.
Problematikat lidhur me përdorimin e ujit nga ky sektor janë adresuar dhe zgjidhja e tyre kërkon marrjen e masave të njëkohshme në nivel global. Projektet e mëdha mbi infrastrukturën ujore, që nxisin prodhimin e hidroenergjisë mund të kenë impakt sinergjik. Por do të kjo ndodhte në kurriz të sistevemeve bujqësore dhe ekologjike dhe do të nxiste dukuri sociale, si zhvendosjet e popullsisë.
Ende sot analiza e nexusit të energjisë dhe bujqësisë ende nuk është e plotë. Arsyet janë të shumta. Mungesa e transparencës në raportimin e saktë të kostove të energjisë, mungesa e fondeve për uljen e mbetjeve të gazeve serrë nga sektori bujqësor dhe ai ushqimor apo dhe mungesa e bashkëveprimit ndërkombëtar janë disa prej arsyeve kryesore.
Mungesa e shërbimeve këshilluese përbën një pengesë thelbësore për zbatimin e suksesshëm të masave përmirësuese në fushën e energjisë së rinovueshme në bujqësi dhe ekonominë ushqimore. Përmirësimi i mundësive të financimit apo fizibiliteti teknik nuk mjaftojnë, për sa kohë nuk janë të shoqëruara me këshillim teknik në lidhje me modelet e biznesit dhe veprimtarisë.
Strategjitë e integruara ndërkombëtare, këshillimet teknike dhe rritja e ndërgjegjësimit janë masat urgjente që duhen ndërmarrë sot, që nesër të kemi mundësi të shfrytëzojmë ende burimet e pamjaftueshme.

Energjia e rinovueshme – Sfidat e Shqipërisë

Progres Raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë, i publikuar në vitin 2014 shkruan se sektori energjik në Shqipëri mbetet ende i brishtë dhe i varur nga burimet hidrike, me nivel të lartë humbjesh. Në të shkruhet se gjatë vitit 2015 Shqipëria duhet të fokusohet në përafrimin e legjislacionit të saj me Paketën e Tretë për Energjinë të BE-së, thithjen e investimeve të reja, krijimin e modelit të tregut të energjisë në përputhje me standardet e BE-sëeuml; si edhe në hedhjen e themeleve për të garantuar rentabilitetin ekonomik të sektorit energjik.
Plani i veprimit për energjinë e rinovueshme, që synon që brenda vitit 2020 të sigurojë 38% të energjisë nga burimet e rinovueshme, ende nuk është finalizuar. Në maj të vitit 2014 në Shqipëri, u miratua ligji për energjinë e rinovueshme, që do të hyjë në fuqi pjesërisht në janar 2015. Masat ligjore për eliminimin e barrierave ndaj licencimit dhe autorizimit të investimeve në energji të rinovueshme, si edhe për lidhjen e prodhuesve të energjisë së rinovueshme me rrjetin, presin miratimin e Ligjit për Sektorin e Energjisë dhe të akteve nënligjore të tij.
Ndërkohë që edhe projektligji për Efiçencën e Energjisë është ende në proces hartimi. Mungesa e burimeve financiare dhe paqartësia në lidhje me rolet e institucioneve të ndryshme të përfshira në efiçencën e energjisë e pengojnë zbatimin e planit kombëtar të veprimit për efiçencën e energjisë. Planit i dytë kombëtar për efiçencën e energjisë është duke u përgatitur.
Çështja e energjisë së rinovueshme në Shqipëri është ende në hapat fillestare ndërkohë që mbetet një nga çështjet më të rëndësishme për sigurinë e së ardhmes.