Në treg mes shijes së vendit dhe ngjyrës së huaj

577 0

Ditë e premte në një nga tregjet e shumta të fruta-perimeve në Tiranë. Arka të vendosura aty-këtu, ca në shesh, ca në tavolina e të tjera në stenda. Bori makinash që gërricin veshin e qytetarëve që kanë dalë të përzgjedhin produktet e ditës dhe me siguri të shitësve që janë të detyruar t’i dëgjojnë gjatë gjithë kohës. Pyes veten, kush e di a ndikon kjo ndotje zhurmash dhe tymrat e makinave në cilësinë e fruta perimeve që shiten këtu? Ndoshta.

A thua shqetësohen t&eueuml; gjithë?

“Këto specat bëjnë për mbushje?“- pyet një zonjë teksa tregon nga një arkë e mbushur plot me speca të kuq e të tultë. Merr specat dhe vrapon për tek karroca ku ndodhet mbesa e saj. Nuk i sheh fare produktet që merr, i fut në qese dhe ikën.

Të vendit janë këto karrotat? Pyet një grua duke treguar nga disa karrota që janë vendosur në mënyrë të rregullt në arkë dhe nga larg ta bëjnë më sy. Duken shumë të bukura. Kanë ngjyrë portokalli të fortë dhe formë të rregullt, por çuditërisht të madhe.

“Të vendit, të vendit,” përgjigjet shitësja me siguri. Të Divjakës janë. Gruaja merr një qeskë plastike dhe nis ta mbushë me karrota. A po mendon dhe ajo si unë, nëse vërtetë këto karrota janë të vendit? E nëse janë, diçka ka me përmasat e tyre të mëdha…

Një burrë, rreth të pesëdhjetave teksa më sheh me një bllok shënimesh dhe stilolaps në dorë, duke pyetur shitësit dhe blerësit në treg, më afrohet dhe me zë të ulët përshpërit “ Po çfarë produkte vendase, nuk e dimë më se çfarë po hamë.”

Për habinë time, shqetësimi i qytetarëve duket se është i njëjtë dhe me atë të shitësve. Pyetjes së cilat produkte janë më të mira, ato vendase apo produktet e huaja ata shpesh herë ngurrojnë t’i përgjigjen. Ndoshta edhe pse ata vetë nuk e dinë.Pjesa më e madhe e tyre nuk i prodhojnë vetë produktet që tregtojnë. Ata janë shitës fundorë, një pjesë të mirë të produkteve i blejnë në pikat e grumbullimit.

“Shpesh herë ne nuk dimë se si janë prodhuar produktet vendase. Nuk kemi informacion se me çfarë janë rritur dhe sa të sigurta janë,” thotë një nga shitëset. Duket se këtë shqetësim e ndajnë shumë prej tyre.

“Unë punoj këtu gjithë ditën, jetoj në Tiranë, si një pjesë e mirë e shitësve, nuk rris prodhimet e mia,” thotë një prej tyre.

Në treg mund të gjesh produkte vendase, italiane,greke apo maqedonase. Ndërkohë që flasin me superlativa mbi produktet italiane, shitësit nuk ndajnë të njëtin mendim mbi cilësinë e produkteve greke apo maqedonase.

“Produktet italiane të paktën janë të kontrolluara dhe të sigurta,” thotë një shitëse teksa tregon nga një arkë me domate italiane tabela e së cilës shkruan 250 Lekë për kilogram. Diku më tej, në disa arka me domate më tutje, tabela shkruan 240 lekë për kilogram. Domatet vendase kushtojnë më pak, 200 Lekë për kilogram dhe shitësit thonë se qytetarët i blejnë më shumë, prej çmimit të ulët dhe pse… janë të vendit.

Lulelakra vendase është gjithmonë e freskët në këtë sezon, thotë një prej shitësve. Ajo nuk rritet në sera, rritet vetëm në fushë dhe mund ta blini pa problem., shton ajo. Çmimi varion diku tek 270 Lekë për kilogram.

“Merr dhe këto luleshtrydhet,” më sugjeron një shitëse, “janë të vendit dhe shumë të mira.”

Nuk ngurroj në fakt, pasi këto luleshtrydhe janë të vogla, paksa të shformuara, por në sy duken të freskëta. 400 Lekë për kilogram. Çmimi është paksa i kripur. Por të paktën nuk janë si luleshtrydhet që kam parë rëndom së fundmi nëpër dyqane, kuti të vogla plastike me luleshtrydhe shumë të mëdha, habitshmërisht të mëdha dhe pa shije. Një kuti e tillë, që përmban diku tek 300-350 gram luleshtrydhe kushton 200 Lekë. 

Kastravecat në shitje në treg janë të serrave. “Kastravecat e kopshtit tim duan dhe dy javë që të rriten,” thotë një nga shitëset. Ajo shton se kastravecat që shet, këto te serrave nuk krahasohen me kastravecat e kopshtit. “Kur i mbledh kastravecat nga kopshti, gjithë shtëpia mbushet me erë,” shton ajo.

Po mollët? Mollët janë të të gjitha formave, ngjyrave, madhësive, syri kënaqet. Disa prej tyre shkëlqejnë së tepërmi. Por sa keq që nuk u ndihet aroma. Mollët vijnë nga jashtë, por ka shumë edhe vendase. Po si të mos ketë fundja, shumëkush ka dëgjuar të flitet apo edhe ka shijuar mollët e Korçës. Të kuqe, me arome dhe plot me lëng. Në treg ka mollë vendi. Kushtojnë rreth 80-100 Lekë për kilogram. E ndërsa çmimi i mollëve të importuara varion nga 120-150 Lekë në këtë treg. Unë do të zgjidhja të vendit.

Shitësit ankohen se shpesh herë çmimi i produkteve vendase është njësoj ose edhe më i lartë se produktet e importit. Ata thonë se kjo ndodh pasi produktet i blejnë më çmime të larta në pikat e grumbullimit. Këto pika i shesin produktet me çmime që janë pothuajse sa dyfishi i cmimit më të cilin i blejnë tek fermerët. E gjitha kjo do të thotë çmime më të larta për konsumatorin. “10 Lekë është fitimi ynë,” thotë një shitëse. Nuk është normale që produktet vendase të shiten kaq shtrenjtë, shton ajo.

Largohem nga tregu me një qeske me luleshtrydhe të vendit. Shpresoj se do të jenë të freskëta dhe “pa hormone” të dëmshme shtesë. Sado që mundohem të pyes dhe të përzgjedh mirë produktet që blej, nuk jam e bindur mbi freskinë apo sigurinë e tyre. Lexoj shumë mbi të ushqyerit dhe kuptoj rëndësinë e një diete të shëndetshme ushqimore, si çelësi i një jete të mirë.

 

erka mato / agroweb.org

fotot ina kosta / agroweb.org