Trefishohen Kërkesat për Skemat e Granteve Kombëtare

362 0

Të jesh një ndër 310 aplikantët për financim nga Skemat Kombëtare

Dokumentacionin e ka dorëzuar. Planin e biznesit, prevenitivin, lejen e ndërtimin. Aplikimin për financim nga Skemat Kombëtare e ka tashmë të protokolluar. Kostandin Gjata pret përgjigje nga AZHBR, me shpresën së aplikimi i tij do të fitojë mundësinë e financimit nga shteti të 50% të investimit të tij; një pikë grumbullimi për frutat e perimet me sipërfaqe 1430m² në Libonik, Korçë, ku ushtron aktivitetin që prej vitit 1996. Me kompletimin e investimit ai synon të grumbullojë dhe eksportojë rreth 1000 ton mollë në vit.

Në mbyllje të aplikimeve për Skemat e Granteve Kombëtare numërohen 310 kërkesa, trefishi i kërkesave të mbërritura në aplikimin e mëparshëm

Kostandini është një prej 310 aplikantëve që dorëzuan kërkesat e tyre për financim nga Skemat Kombëtare, afati për të cilat sapo u mbyll. Përgjigjet pritet të jepen pas afro një muaji.

310 kërkesa, sipas burimeve të mirëkonfirmuara nga agroweb. Trefishi i kërkesave të mbërritura në aplikimin e mëparshëm, ku u numëruan 120 të tilla. Fondi është 1,7 miliard lekë. Të gjithë shpresojnë. Por cilat janë projektet të cilave do t’u jepet prioritet këtë vit për financime 50% të investimeve me vlerë deri në 40 Milion lekë?

3 prioritetet e skemave kombëtare

Këtë vit, skemat kombëtare të investimeve me grante me masë përfitimi pothuajse të njëjta me ato të BE-së bazohet në rajonizimin e aktiviteteve sipas hartës bujqësore Sipas Udhëzimit të hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave, prioritet do të kenë të rinjtë, fermerët që janë pjesë e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor dhe rritja së e prodhimit përmes konkurueshmërisë. Cilat janë Skemat Kryesore të mbështetjes financiare?

1. Mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, kundrejt faturës tatimore përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për një subjekt, për:
• Ngritje dhe/ose rikonstruksion ambjentesh për grumbullim dhe ruajtje të produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;
• Ngritje dhe/ose rikonstruksion të ambjenteve për mbarështim të kafshëve, shpendëve, midhjes dhe peshkut;
• Linja për standardizimin (paketim, mbushje, konservim, ambalazhim), tharje dhe/ose përpunim, si dhe mjete të specializuara transporti të prodhimeve bujqësore, blegtorale, mjaltit, bimë medicinale, produkteve të akuakulturës;
• Mbështetje për energjinë e rinovueshme;
• Hapje lerash.

2. Ndërtim të serave për kultivimin e perimeve, prodhim fidanësh dhe produkte të tjera bujqësore në masën 60% të vlerës së investimit, përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 1 200 000 (njëmilion e dyqind mijë) lekë/dynym, për sera me sipërfaqe minimumi 2 dynymë dhe jo më shumë se 2 ha.

3. Mbështetja e investimeve deri në masën 60% të vlerës për traktorë dhe/ose agregate të tjera bujqësore për manovrim në nivel ferme, përfshirë vlerën e tatimit

Po ashtu serrat do të jenë përparësi në 2015-tës, me financim deri 50 përqind të investimit për ndërtim dhe/ose rikonstruksion të tyre për kultivimin e perimeve dhe prodhim fidanësh. Energjia e rinovueshme dhe përpunimi i mbetjeve shtazore për energji alternative do të jetë po ashtu veçanërisht pikë pozitive për aplikantë.

Edhe këtë vit do të vijojë mbështetja, përmes subvencionit, në masën 70% të normës së interesit, për 7 vite radhazi, për kreditë deri në 30 Milion lekë, që do të merren për:

• Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës dhe bimëve medicinale;
• Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë dhe akuakulturës.

Tashmë 310 aplikimet janë në duart e ekipit të vlerësuesve të AZHBR-së, të cilët po llogarisin pikët për aplikuesit Kostandin Gjata ka një ‘as’ në dorë. Investimi për një Pikë Grumbullimi është shumë pozitiv, pasi ky tip investimi që nxit prodhimin dhe rrit exportin është prioritet për 2015-tën. Veç kësaj, Z.Gjata operon me një cikël të mbyllur, pasi siguron vetë 60% të produkteve për në pikën e re të grumbullimit, lejen e ndërtimit të së cilës e ka siguruar për këtë ditë. Pemtorja e tij e mollëve është në vitin e 5-6-te jetës së saj. Vitin tjetër synohet që pemtorja të hyjë në maturim me një rendiment mesatar prej rreth 40 ton/ha dhe një prodhim vjetor prej rreth 200 ton (cilësi e parë). Në bazë të ciklit të prodhimit të pemtoreve me mollë, pas vitit të gjashtë të jetës së pemtores, rritja e prodhimit ka një progresivitet shumë të lartë deri sa pemtorja hyn në atë fazë të saj e cila quhet “maturim i plotë”. Për maturimin e pemtores Kostandin Gjata pret vetëm muajt. Për financimin e investimit të ri i pret një përgjigje.