Bujqësi – të ndërtosh sipas rregullave të reja

483 0

Hyn në fuqi vendimi i ri, i cili i hap rrugë ndërtimit të objekteve mbështetëse të aktiviteteve bujqësore. Çfarë ndikimi do të kenë këto rregulla të reja në sektorin bujqësor dhe në uljen e kalbjes dhe prishjes së produkteve?

Makthi më i madh në ëndrrat e çdo fermeri është që ti ngelë produkti në derë. Imagjinoni një moment sikur jetoni diku në një fshat në jug të Shqipërisë. Familja juaj është marrë me bujqësi prej shumë gjeneratash dhe nuk ka qenë asnjëherë e lehtë, por ja që gjërat me kohën vështirësohen akoma më shumë. Si të mos mjaftonin ndryshimet e befta të motit me dëborë në pranverë dhe temperatura tropiku në dimër, është mungesa e infrastrukturës ajo që i vë kapakun, duke bërë që produktet të kalben e të prishen përpara se të mbërrijnë tek konsumatori, duke vrarë kështu ëndrrën për të pasur rendimente më të larta dhe më shumë fitim e rrjedhimish për të investuar më shumë në prodhim.

Por kjo nuk vret vetëm ëndrrën e fermerit, duke i ulur të ardhurat, por edhe ëndrrën për të pasur një ekonomi më të fortë, duke qenë se rrit shpenzimet e konsumatorit, por dhe të paturit një ambjent më të shëndetshëm. Kjo pasi humbja ushqimore ka efekte negative si në ekonomi dhe mjedis me një kosto që nuk duhet injoruar.

Në këtë drejtim qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të reja duke miratuar një akt të ri nënligjor, i cili i hap rrugën ndërtimeve të reja në tokë bujqësore, të cilat pritet që të ulin humbjen e produkteve pas vjeljes, duke krijuar në këtë mënyrë kushtet e duhura infrastrukturore për ruajtjen e produkteve.

Mungesa e një rregullore për ndërtimin në tokë bujqësore ka qenë një pengesë e madhe për shumë fermerë, të cilët nuk kanë mundur të kualifikohen për marrjen e fondeve IPARD-like të Bashkimit Evropian, por edhe në ato kombëtare, duke qenë se kushtet teknike të ndërtimit ishin një nga kërkesat e cila mungonte, por që tanimë vendimi i ri rregullon duke përcaktuar kriteret dhe procedurat për ndërtimin e objekteve, për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, në tokë bujqësore.

Me vendosjen e kritereve të reja në nivelin e ndërtimit, synohet që ti jepet një shtysë më shumë sektorit bujqësor në nivele të ndryshme, pasi në qoftë se zinxhiri i furnizimit me infrastrukturën e duhur të ruajtjes dhe përpunimit funksion në mënyrë të përkryer, atëherë fermeri mund ta çojë në mënyrë të sigurtë produktin nga ferma në pjatën tonë, duke gëzuar në këtë mënyrë dhe përfitimet financiare.

Rregullat dhe kufizimet për ndërtimet në tokë bujqësore

Parametrat teknikë i bëjnë shumë të qartë rregullat që duhet të ndjekin të gjithë fermerët e interesuar, në mënyrë që të vazhdojë me ndërtimin e objekteve; si përshembull, ato nuk duhet të kalojnë lartësinë e 4,5 metra (përveçse në rastet kur për shkak të karakteristikave teknike një oxhak ose silos e tejkalon atë), ata duhet të jenë në një kat të vetëm dhe vendndodhja e tyre nuk duhet të ndryshohet.

Akti i ri nënligjor hap rrugën e ndërtimeve të reja në tokë bujqësore

Një tjetër kufizim është respektimi i distancës minimale prej 5 metra nga prona. Për stallat me mbi 50 bagëti, vendimi kërkon të ndërtojnë 500 m nga zonat e banuara apo 100 m larg nga një shtëpi e izoluar. Distancat zvogëlohen akoma më shumë kur bëhet fjalë për ndërtimin e strukturave të mbledhjes së jashtëqitjeve të kafshëve dhe në ndërtimin e serave. 

Ndërkaq sipërfaqja e serave me themele të thela, të cilat janë të lidhura në një tokë të qëndrueshme dhe të përhershme nuk duhet të tejkalojnë 70% të pronës. Për llojet e tjera të serave, të cilat nuk janë të lidhura në mënyrë të përhershme në tokë, leja e ndërtimit nuk është e nevojshme dhe është vetëm objekt i një deklarate paraprake për kryerjen e punimeve.

Gjithashtu objektet për mbledhjen, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, shpenzimet duhet të plotësojë vëllimin maksimal të objektit, e cila nuk duhet të tejkalojë intensitetin e ndërtimit të 1 m2 / m2; dhe gjithashtu një minimum prej 7 metër distancë nga kufijtë e pronës dhe 10 m nga ndërtesa të tjera.

Krijimi i mundësive të reja

Ky bllok rregullash të reja se bashku me teknikalitetet e tjera të përfshira në vendimin e publikuar, do të krijojë mundësi të reja për fermerët shqiptarë për tu zhvilluar dhe për të investuar më shumë në prodhim, pasi ata do të kenë infrastrukturën e përshtatshme.

Vendimi në vetvete do të jetë një ndihmë e madhe për fermerët të cilët dëshirojnë për të investuar në këto objekte, pasi duke përmbushur kriteret ata do të mund të krijojnë mjedisin e duhur që produkti të ndjekë linjën e duhur nga prodhimi, te përpunimi dhe drejtpërdrejtë tek konsumatori, duke ulur humbjet dhe duke rritur të ardhurat për fermerët dhe ekonominë në tërësi.