Toka – burim jete

838 0

Nis Konferenca Ndërkombëtare e Tokës në Tiranë

Toka është jetë. Ndërtohet ngadalë dhe humbet shpejt. Dhe ta humbasësh do të thotë të humbasësh burimin që është përgjegjës për 90% të ushqimit tonë, do të thotë fundi i burimit tonë të jetës, do të thotë të shkatërrosh veten me duart e tua.

Parashikimi duket vërtet shumë I zymtë, por kjo na pret nëse ne nuk kujdesemi seriozisht për tokën. Alarmin e ngrenë ekspertë, akademikë e fermerë shqiptarë e të huaj, që prej prej disa ditësh po debatojnë rreth ruatjes së tokës dhe shfrytëzimit të potencialit të saj të madh, në Universitetin Bujqësor të Kamzës, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare të Tokës.

Shqipëria, siç pohoi dhe në fjalën e tij gjatë çeljes së konferencës ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka një potencial të madh, si një vend bujqësia e të cilit i ka formuar peizazhin. “Për zhvillimin e vendit është I domosdoshëm një përdorim më i mirë i tokës dhe një zhvillim i mëtejshëm i saj", theksoi Panariti.

Akademikët duhet të ulen këmbëkryq me fermerët dhe t’iu japin të gjithë informacionin e duhur

Por zhvillimi nuk është vetëm një çështje e investimeve kapitale, por edhe e dijes. Konkurencë do të thotë informacion mbi tregjet dhe kapacitetin për ta implementuar progresin teknologjik në biznes. Pasi në momentin që biznesi do të funksionojë, njerëzit do të vazhdojnë të kërkojnë më shumë informacion dhe njohuri në mënyrë që të sigurojnë qëndrueshmërinë e investimeve të tyre.

Por që ky potencial të zhvillohet, sektori bujqësor duhet të sigurojë informacionin, dijen dhe investimin e duhur në mënyrë që të kuptojë mundësitë që ekzistojnë dhe ti shfrytëzojnë ato. Sipas prof Ahmet Mermut, nga Konfederata Evropiane e Shoqërive Shkencore të Tokës dhe president I EUROSOIL 2016, në mënyrë që zonat rurale të jenë më atraktive, është e domosdoshme lehtësimi i qasjes së tyre në teknologji dhe kjo bëhet përmes komunikimit duke iu ofruar informacionin më të fundit.

“Në mënyrë që ky sektor të rritet dhe zhvillohet është e rëndësishme që të ndërtohen ura komunikimi. Akademikët duhet të ulen këmbëkryq me fermerët dhe t’iu japin të gjithë informacionin e duhur”, ka thënë Mermut për agroweb.org.

Prof Ahmet Mermut,duke folour gjatë konferencës ku theksoi rëndësinë e komunikimit mes akademikëve dhe fermerëve

Informacioni është kyç në këtë aspekt, pasi nëse nëse bujqësia nuk ofron asnjë perspektivë për të ardhshmen e fermerëve, me të drejtë lind pyetja se çfarë të ardhme mund të ketë kjo bujqësi.
Të ngresh një fermë, është është një detyrë veçanërisht e vështirë, komplekse dhe impenjative. Ajo jo vetëm që kërkon ekspertizë teknike nga ana e fermerëve, por edhe një kapacitet të madh financiar.
Për Hanns Christoph Eiden i zyrës Federale të Bujqësisë dhe Ushqimit në Gjermani, përfshirja e këtyre shtresave të shoqërisë rurale në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë mund të jetë një forcë, në vend të të qenit një sfidë. Si dhe në një periudhë më afatgjatë mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve dhe në diversitetin ekonomik të vendit.

Pasi për sa kohë që ka burime të pashfrytëzuara, ekziston mundësia për ti shfrytëzuar ato për të mirën e familjeve rurale dhe shoqërisë në përgjithësi.

Por padyshim, që kjo mund të arrihet në kurriz të konsumatorëve, duke përdorur standarde të ulëta të sigurisë ushqimore dhe të cilësisë, apo duke mbi shfrytëzuar burimet natyrore duke degraduar tokën apo duke ndotur ujrat.

"Duke përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e produkteve tuaja, duke patur më shumë njohuri për tregun dhe duke inkurajuar përdorimin optimal të potencialit njerëzor në procesin e zhvillimit rural, ju mund të bëni këtë përmirësim një realitet", tha Eiden gjatë seancës së parë të Konferencës Ndërkombëtare të Tokës.

Mbrojtja e të mirave publike si: mbrojtja e mjedisit, ruajtja e biodiversitetit, pjelloria e tokës dhe cilësia e ujit, kafshëve dhe shëndeti i bimëve, si dhe dimensionet e zhvillimit rural janë baza e një bujqësie të qendrueshme, e cila më pas çon në zhvillim dhe rritje ekonomike. Ajo çfarë ekspertët vijojnë të theksojnë me këmbëngulje është se Toka është çelësi i jetën tonë, dhe ne duhet ta marrim atë seriozisht duke gjetur mënyrat e duhura për të reduktuar dëmtimin e mëtejshëm të saj.

Dhe sepse ne nuk mund të hedhim më gjatë valle mbi një litar të shtrënguar, pasi toka si lëkura e hollë e planetit tonë, nuk na mban dot më.