LORES – Sistemi Inovativ për Financimin e Bujqësisë

325 0

Bëj atë që të pëlqen; nuk ka inovacion pa pasion. Shërbimet apo produktet inovative nuk janë thjesht fryt i një pune të zakonshme; janë zgjidhje të rëndësishme që krijohen nga dëshira për të ndryshuar, për të përmirësuar, për të zhvilluar.

Filozofia e mësipërme drejtoi një person drejt suksesit, duke e kthyer në një prej sipërmarrësve më të mëdhenj të kohëve tona. Steve Jobs, pasioni i të cilit për inovacionin revolucionarizoi botën.
Nga Steve Jobs, i cili ndryshoi konceptin mbi inovacionin aq shumë, sa e ktheu mollën në simbol teknologjik, kthehemi në Tiranë, ku shumë personalitete u mblodhën nën ombrellën e Javës së Inovacionit, për të zbuluar zhvillimet që synojnë të ndryshojnë, e pse jo revolucionarizojnë jetën tonë.

Java e Inovacionit u zhvillua në datat 10 Maj deri në 17 Maj, dhe zbuloi arritjet aktuale inovative që synojnë të ofrojnë zgjidhje të thjeshta, efektive dhe transparente që synojnë të modernizojnë shoqërinë. Inovacioni në shërbimet publike, inovacioni në sektorin e telekomunikacionit, në sektorin bankar, në turizëm dhe inovacioni mes të rinjve ishin shtyllat kryesore të edicionit të këtij viti të eventit një javor të organizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike.
Znj. Milena Harito, Ministre për Inovacionin vuri theksin mbi rolin e qenësishëm që sektori bankar luan në formalizimin e ekonomisë. Ajo përmendi pagesën e faturave elektrike nëpërmjet telefonave celularë apo pagesat nëpërmjet portalit unik qeveritar si arritjet më të rëndësishme inovative në këtë sektor. Znj. Harito shtoi se një sfidë e madhe për qeverinë ishte të bënte të aksesueshme këto shërbime inovative të pagesave nëpërmjet celularit edhe për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që nuk kanë një llogari bankare. Ajo theksoi se kjo sfidë u përballua nëpërmjet bashkëpunimit të suksesshëm me Bankën e Shqipërisë dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Nëpërmjet kësaj nisme tashmë edhe ajo pjesë e popullsisë në Shqipëri që nuk ka një llogari bankare do të mund t’i kryejë pagesat nëpërmjet telefonit celular. “Ishte një përpjekje e gjatë me disa takime, me mbështetjen e partnerëve strategjikë, si USAID dhe para pak ditësh edhe kjo gjë është bërë e mundur. Tashmë edhe ata që nuk kanë llogari bankare, sepse realisht ka një pjesë të popullsisë që nuk ka një të tillë, e kanë të mundur pagesën përmes celularit, që do të thotë se fillojnë dhe bëhen pjesë e një ekonomie formale dhe sigurisht hapi tjetër i pritshëm është që ata të vijnë në sistemin bankar,” tha Znj. Harito.
Znj. Elisabeta Gjoni, Zëvendës Guvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë tha se ajo që “Banka e Shqipërisë ka në vizionin e saj (si rregullatore) është të influencojë të ardhmen, pra të krijojë një mjedis sa më të përshtatshëm për gjallërimin e inovacioneve financiare dhe modernizimin e infrastrukturës financiare. Ne synojmë të jemi avangardë për një infrastrukturë financiare moderne.
Por eksperienca tregon se teknologjia është gjithnjë një hap përpara dhe përhapet me shpejtësi. Teknologjia nuk njeh kufij dhe ne si rregullatorë s’na mbetet gjë tjetër veçse të adaptojmë rregulla e ligje që këto teknologji të përdoren nga konsumatori, individ apo biznes, por njëkohësisht dhe të jemi vigjilentë për rreziqet që shoqërojnë këto teknologji të reja, tha Znj. Gjoni. Gjetja e një balance të artë ndërmjet promovimit të ideve inovative dhe kujdesit rregullative përbën një nga sfidat më të mëdha të fushës”, shtoi ajo.

Drejtorë ekzekutivë, përfaqësues të lartë të bankave dhe institucioneve financiare dhe ekspertë të fushës gjatë prezantimit të LORES
LORES – Inovacioni nga i cili do të përfitojnë fermerët shqiptarë dhe agrobizneset

Inovacioni nga i cili do të përfitojnë fermerët dhe agropërpunesit shqiptarë u prezantua nëpërmjet LORES- Sistemit Profesional të Referimit të Kredive.

LORES, krijuar si pjesë e programit AgroKapital, të financuar nga USAID dhe zbatuar nga CBS u zgjodh si një nga produktet inovative në sektorin bankar, mes shumë të tjerash të prezantuara nga banka dhe institucione financiare të rëndësishme që veprojnë në vend si Raiffeisen, BKT, ProCredit, Societe Generale dhe NOA.

Enio Jaco e prezantoi këtë produkt gjatë eventit “Innovacioni në Sektorin Bankar,” që u organizuar ditën e Enjte, 14 Maj 2015 nga Ministria për Inovacion, Banka e Shqipërisë dhe Shoqatë Shqiptare e Bankave.

Eventi që mblodhi rreth 100 persona, mes të cilëve drejtorë ekzekutivë të bankave, përfaqësues të skuadrave të menaxhimit, ekspertë të teknologjisë dhe specialistë të fushës prezantoi produktet inovative me rol të qenësishëm në zhvillimin e sistemit bankar në Shqipëri.

Bujqësia shqiptare, një sektor me mundësi të mëdha zhvillimi nuk arrin të përthithë vlerat e duhura të financimit. Aksesi në kapital dhe mungesa e njohurive teknike janë dy prej arsyeve kryesore që pengojnë përthithjen e fondeve. 750 milionë dollarë në kapital është vlera e duhur për bujqësinë që të arrijë sektorët e tjerë dhe LORES pritet të sjellë 10 milionë dollarë në financimin bujqësor vetëm gjatë vitit 2015.

Të jesh një hallkë e forte lidhëse mes bujqësisë dhe sistemit bankar nuk është një detyrë e thjeshtë. Për këtë është LORES.