Ullinjtë e Tiranës, mes mitit dhe biznesit

558 0

Është një nga pemët më të përmendura në librat e shenjtë, ndërkohë që fruti i tij është krejt shpirti i shijes mesdhetare. Besoj se e keni kuptuar se për kë bëhet fjalë? Pikërisht për ullirin, i cili jo vetëm ka formëzuar peisazhin e Shqipërisë, por është konsideruar dhe si simbol i paqes, jetës dhe pjellorisë. Vetë Gjergj Kastrioti, siç edhe tregojnë historianët ishte një adhurues i kësaj peme dhe ja njihte aq mirë vlerat, sa i përdori ullinjtë për të shuar etjen e ushtarëve të tij dhe për të luftuar shkatërrimin e plantacioneve në shekujt 15-16. Madje Kastrioti vendosi dhe një ligj ku çdo çift i ri para se të merrte bekimin për martesë duhet të mbillte 10 rrënjë ullinj.

Antikiteti i ullinjve në Shqipëri është mëse evident. Ekzemplarët e gjendur në zonat e Tiranës si Petrela, Lanabregas, Tufin, Prezë, Brar dhe Tujan, tregojnë lashtësinë e ullinjve shqiptarë, të cilët kanë një perimetër deri në 30 metra dhe vlerësohen të keni një moshë gati 3000 vjeçare. "Po, ullinjtë e Tiranës janë aq të vjetër", konfirmon profesor Hairi Ismaili, i cili i ka kushtuar gjithë jetën e tij akademike studimit të ullinjve të Shqipërisë, dhe në veçanti atyre të Tiranës. Kryeqyteti jonë kultivon rreth 600 mijë pemë ulliri disa mijëvjeçare të varietetit “I Bardhi Tiranës", për të cilën Ismaili betohet për historinë e tyre të pasur dhe cilësinë e lartë të vajit që prodhojnë.

E në fakt, kush mund ta kishte imagjinuar se ajo pema e vjetër e ullirit në Tujan, nën hijen e të cilit jeni ulur sa e sa herë për ndonjë piknik me familjen të ishte kaq e vjetër; duke u bërë dëshmitare e lindjeve dhe rënieve të perandorive duke i rezistuar gjatë kohës e duke na dhënë akoma fruta edhe pas 3000 vjetësh.

Pema shekullure e ullirit në zonën e Petrelës
Kështu që herën tjetër, që do të zgjasni dorën për të marrë ullinjtë e bardhë në pjatë apo t’i hidhni vaj ulliri sallatës, do ta dini se po ajo pemë nga periferia e Tiranës ka ushqyer për shekuj me rradhë njerëzit.

Me të drejtë në librin e tij “Të pafajshëm në dhe të huaj” Mark Tuein e cilëson pemën e ullirit si “miku i shpejtë i një toke pa vlerë”. Që në fakt është e vërtetë, duke qenë se pema e ullirit nuk pyet për thatësirën e nxehtësinë, duke prodhuar shekull pas shekulli.

Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë dhe vendi i vetëm në Evropën Qendrore-Lindore që ka kushte të favorshme klimatike dhe gjeografike për kultivimin e ullirit. "Historia e kultivimit të ullirit në Shqipëri është shumë e vjetër. Njerëzit e zonave rurale janë mësuar me kultivimin e ullinjve dhe një traditë e mirë ka qenë dhe trashëgimia nga njëri brez në tjetrin", shpjegon Prof Ismaili, i cili e rendit “I Bardhi i Tiranës” si ndër ullinjtë më të vjetër dhe me cilësinë më të lartë.

Aktualisht, Shqipëria ka gjashtëdhjetë mijë hektarë ullinj dhe dhjetë milion pemë ulliri dhe prej tyre 1.3 milion ullinj janë qindra vjeçarë, ndërsa të tjerët shkojnë deri në tetëdhjetë vjeç. Burimet gjenetike të ullishteve shqiptare janë shumë të pasura, ku 22 prej tyre janë varietete të kultivuara, por vetëm 6 varietete janë të rëndësishme: "Kalinjot", "Krypi Beratit", "Bardhi Tiranës", "Krypsi Elbasanit", "Mixan" dhe "Himara", të cilat zënë dhe 85% të prodhimit në vend dhe janë të një cilësie shumë të lartë, siç pohoi dhe eksperti amerikan i ullrit dhe vajit Paul Vaussen, i cili gjatë një trajnimi të fermerëve shqiptarë për degustimin e vajit, i ngriti elozhe vajit tonë për cilësinë e tij të lartë ushqyese. Ullinjtë janë ndër kulturat më të rëndësishme pemë frutore që rriten në Shqipëri, duke mbuluar përafërsisht 8% të tokës së punueshme.

Vaji ynë i ullirit është i një cilësie shumë të lartë dhe me një përmirësim teknologjik të industrisë së përpunimit, ai mund të konkurojë lehtësisht në tregun ndërkombëtar

E megjithë këtë pasuri që na ka falur natyra dhe klima jonë bujare, që pema dhe vaji i ullirit të konsiderohen si artileri e rëndë për ekonominë tonë, do të duhet të bëjnë ende dhe shumë rrugë.

Eksportet shqiptare të vajit të ullirit janë shumë inkurajuese, duke qenë se industria në vetvetë është maturuar duke marrë të gjitha atributet e nevojshme për cilësinë e vajit të ullirit, por shifrat megjithatë mbeten modeste: 22 ton janë eksportuar në vitin 2004; 16 ton në vitin 2005; 54 ton në vitin 2006; 15 ton në vitin 2007 dhe 4 ton janë eksportuar në vitin 2008. Megjithatë, me një përmirësim teknologjik në industrinë e përpunimit të ullirit, mbajtjes-ruajtjes dhe vendosjes së markës, ky produkt mund të tregtohet dhe të konkurojë në tregun ndërkombëtar. Siç është dhe rasti i historisë së suksesit"Ndërmarrjes Shkalla" nga Tirana, e cila ka marrë çertifikimin duke u eksportuar në tregun zvicerian. Për ekspertët kjo u konsiderua si shenja e parë e rifillimit të eksportit të vajit të ullirit në vendet fqinje që nga viti 1996. Transaksioni në vetvete ishte i një rëndësie të veçantë, pasi për herë të parë fabrika e përpunimit të vajit u çertifikua.

“Vaji ynë i ullirit është i një cilësie shumë të lartë dhe me një përmirësim teknologjik të industrisë së përpunimit, ai mund të konkurojë lehtësisht në tregun ndërkombëtar, duke arritur madje dhe majat e vajrave më të mirë në Evropë”, thotë Ismaili i bindur se ulliri jonë mund të lëshojë rrënjë në tregun evropian.

Ashtu siç mikloi Zotat Ilirë në tavolinëeuml; me shijen unike, ulliri i Tiranës fare mirë mund të përhapet në kontinentin e vjetër, por dhe më gjerë. Sepse në fund, ai është një kalorës i përhershëm i gjelbërt që zotëron elikzirin e një shije unike. E gjitha Made in Albania.