Prurjet në rritje të peshkimit shqiptar

815 0

Një ditë e keqe peshkimi konsiderohet si 100 herë më e mirë se një ditë e frytshme në zyrë, thotë një shprehje. Tani imagjinoni pak se çfarë do të thotë jo një ditë, por një vit i tërë i mirë peshkimi? Për statistikat është festë shifrash. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave, peshkimi në Shqipëri po shndërrohet në një biznes të qëndrueshëm për shkak dhe të rritjes së kapjes së peshkut dhe të produkteve të tjera të detit.

Përgjatë vitit të kaluar, peshkatarët shqiptarë kanë zënë 5.813 ton peshk dhe produkte të tjera të detit, ose 7,6% më shumë se në 11 muajt e parë të vitit 2013, ku u kapën vetëm 5.369 ton peshk. Një rritje të konsiderueshme ka patur dhe kultivimi i midhjeve me gati 50% më shumë, me një prodhim prej 1,500 ton në vitin 2014 nga 750 ton që ishin në vitin 2013. Ndërkohë që në vlera monetare prodhimi në total kap shifrën e 40 milionë dollarë amerikanë, nga ku 22 milionë janë siguruar nga zënia e peshkut në bregdet dhe laguna, 8 milionë në akuakulturë dhe pjesa tjetër nga kultivimi i midhjeve.

Por lajmet e mira nuk përfundojnë me kaq, pasi peshkatarët këto ditë janë njohur edhe me një vendim të ri, për heqjen e taksës së karburantit, i cili prek në mënëyrë të drejtpërdrejtë zhvillimin e këtij sektori. Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Financave dhe asaj të Bujqësisë në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave: “Për përcaktimin e procedurave, të sasive, të kushteve dhe kritereve të përjashtimit të anijeve të peshkimit nga taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit”, peshkatarët do të furnizohen me karburant (gazoil) për peshkim, pa paguar taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën, por duke paguar TVSH.

Peshkatarët shqiptarë kanë zënë 5.813 ton peshk dhe produkte të tjera të detit, ose 7,6% më shumë se në 1 vit më parë

Aktualisht vendi ynë ka afërsisht 552 anije peshkimi, të cilat do të përfitojnë nga vendimi për heqjen e taksës së karburantit. Anijet mbi 12 metra përbëjnë rreth 43% të të gjithë totalit, por që janë relativisht të vjetra (mbi 35 vjeçare) ndërkohë që anijet e vogla në më pak se 6 metra, përbëjnë 40%. Shqiptarët vazhdojnë të jenë tradicionalë në teknikat e peshkimit, duke vazhduar të përdorin rrjetat (rreth 38% të numrit total). Pjesa më e madhe e flotës shqiptare përbëhet nga anije në shkallë të vogël peshkimi me kapacitet në rreth 500 ton (2012). Flota e peshkimit është shpërndarë kryesisht në rajonet e Durrësit (38%), Vlora (35%), Sarandë (14%), dhe Shëngjin (12%).

Edhe pse të dhënat e INSTAT-it duken premtuese për biznesin e peshkimit, ne vazhdojmë të jemi ende larg arritjes së potencialit që mbartin ujërat tona. Ekspertët kanë vlerësuar se zënia e peshkut në ujërat shqiptare mund të shkojë nga 14.000 deri 17.000 ton peshk dhe midhje në vit (rreth 8.000-9.000 ton peshk nga zonat detare, 3000 ton nga lagunat, ujërat e brendshme dhe akuakulturën; dhe 3000 ton prej molusqeve.

Në dyzet e pesë vjet, deri në vitin 1991, burimet e peshkimit në vend i tejkalonin 8.000 ton në vit, ndërsa kultivimi i midhjeve në lagunën e Butrintit në jug të vendit ka patur një prodhimin prej disa mijëra ton në vit.

Peshkatarë duke nxjerë rrjetat pas një dite peshkimi në liqenin e Pogradecit. Foto: Ardian Fezollari

Kapim peshk të cilësisë së lartë, ndërsa konsumojmë cilësi të ulët

Të dhënat e vitit 2012 tregojnë se volumi i eksportit të peshkut dhe frutave të detit ishte 4,7 milionë ton me një vlerë prej 28,3 milionë Euro. Ndërkohë që importi i peshkut kap shifrën e 9,3 milionë ton me një vlerë prej 21,9 milionë Euro. Edhe pse bilanci tregtar në produktet e peshkimit në aspektin e vlerës është pozitiv, në aspektin e vëllimit është negativ. Peshku dhe frutat e detit të cilësisë së lartë eksportohen, ndërsa importet janë të dominuara nga peshku dhe produkte të tjera, të një cilësie relativisht të ulët. Shumica e importeve vijnë nga Italia dhe Spanja (20% dhe 29%, respektivisht). Vëllimet e importit nga Norvegjia kanë rënë dhe nga Gjermania janë rritur. Destinacionet kryesore për eksportet shqiptare janë Italia (80% të vëllimit të përgjithshëm), e ndjekur nga Greqia (14%) dhe Maqedonia (2.5%).

Ndërkohë që për sa i përket konsumit rreth 30% e popullsisë në Shqipëri preferon produktet akuatike. Në përgjithësi, trendi është që çmimet për peshqit e lagunave dhe të rezervatit janë më të ulëta se ato të detit. “Çmimi është pothuajse gjysëm përgjysëm. 1 kg peshk krap i egër liqeni kushton nga 1.400 deri në 1.500 lekë, ndërkohë që ai i rezervatit shkon në 600 lekë”, konfirmon për Agroweb, Besmir Selko një peshkatar nga zona e Pogradecit. Trofta e rezervatit shitet në tregun e brendshëm, ndërkohë që peshku i detit është i destinuar për tregun e BE-së dhe vendeve të Ballkanit.

Peshku dhe produktet e peshkimit përfaqësojnë një burim shumë të vlefshëm të proteinave dhe mikro ushqyesve për një ushqim të ekuilibruar dhe shëndet të mirë. Në botë, peshku i’u siguron rreth 3 miliardë njerëzve, pothuajse 20 për qind të sasisë totale që duhet të marrin nga proteinat shtazore. Dallimet mes vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim janë të dukshme në kontributin e peshkut për konsum të proteinave shtazore. Megjithatë, si në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, kjo përqindje ka rënë pak në vitet e fundit, ndërkohë që është rritur konsumi i proteinave të tjera të kafshëve.