Gushti -Frutat dhe perimet e fund sezonit

613 0

Gusht e gunë i thonin që moçmi muajit të fundit të verës, por me ngrohjen globale, gushti është bërë gjithnjë e më i nxehtë. Dhe mënyra më e mirë për ta përballuar të nxehtin është padyshim duke shijuar frutat dhe perimet e bollshme që ky muaj na afron. Duke qenë se jemi pak javë larg përfundimit zyrtar të verës, le t’i ngulim dhëmbët tek ca kumbulla të ëmbla, domate apo dhe te ndonjë mollë e sapo vjelur.

Mollë
Mollët janë për vjeshtën ato që nektarinat janë për verën. Mollët e para kanë nisur të dalin që tani në gusht, të vogla në ngjyrë rozë, por gjithë shije ama.

Si t’i zgjidhni

Në këtë periudhë zgjidhni mollë të vogla, të forta dhe me lëkurë të shndritshme.

Si t’i ruani

Mollët duhet të ruhen në temperatura të ftohta, duke i vendosur në pjesën e poshtme të frigoriferit. Një qese plastike me vrima do të ishte zgjidhja më e mirë, pasi bën të mundur që të dalë lagështira ndërkohë që i mban mollët të freskëta.

Këshilla shtesë

Disa varietet mollësh nuk mund të ruhen gjatë pasi kalben shpejt, ndërkohë që ka disa të tjera që janë dhe më të ëmbla, të cilat mund të rezistojnë gjatë. Provojini para se t’i blini.

Rrushi

Rrush i zi apo i bardhë. Zgjedhja ju takon ju, sipas shijes dhe preferencave tuaja, të dy këto lloje i gjeni me bollëk në treg.

Si t’i zgjidhni

Zgjidhni rrush të formuar mirë dhe me lëkurë të fortë.

Si t’i ruani

Vendoseni rrushin të mbyllur në mënyrë hermetike në qese plastike në frigorifer. Mos i lani, derisa të jetë momenti për t’i ngrënë. Nëse ato kanë lagështi në momentin që i blini, vendosini një kartëpecetë brenda në qese për të thithur lagështirën e tepërt.

Këshilla shtesë

Në fund të sezonit shihni për rrush që anon pak nga ngjyra e artë. Eshtë rrush mjalt i ëmbël.

Pjeshkat, nektarinat
Pjeshkat dhe nektarinat janë mbretëreshat e sezonit të verës. Ndryshimi i vetëm është se pjeshkat janë më të forta dhe me push dhe nektarinat janë me lëkurë më të lëmuar. Më të apasionuarit e këtyre frutave mund të argumentojnë se shija e pjeshkës është shumë më e fortë, ndërsa ajo e nektarinave, kajsive ka nuanca të shijes së limonit. Vendin e parë në vend për prodhimin e pjeshkave dhe kajsive e mban qyteti i Elbasanit.

Si t’i zgjidhni
Mënyra më e mirë për të zgjedhur pjeshkat dhe kajsitë më të mirë qëndron tek ngjyra e tyre. Sa më portokalli të jenë, aq më të ëmbla dhe të mira janë. Por mbi të gjitha asaj që duhet t’i besosh më shumë është nuhatja. Pjeshkat dhe nektarinat më të mira kanë një aromë të parezistueshme.

Si t’i ruani

Pjeshkat dhe kajsitë ideale vazhdojnë të piqen edhe pasi janë vjelur, kështu që mos u shqetësoni shumë nëse fruit në fillim është pak i fortë. Por mos i fusni në frigorifer para se të jenë zbutur dhe të kenë marrë më shumë aromë.

Këshilla shtesë
Për një gatim më të mirë, duhet t’ia hiqni lëkurën pjeshkave, ndërkohë që me kajsitë nuk është e nevojshme.
 

Lajthi
Guzhinierët i konsiderojnë arrorët si element kryesor në kuzhinë, njësoj si mielli apo gjalpi. Pavarësisht se lajthitë i kemi gjatë të gjithë vitit, gjatë sezonit të tyre ato kanë një shije unike.

Si t’i zgjidhni

Lajthitë e reja i gjeni në treg. Si t’i dalloni? Shumë thjesht, ato janë të mbështjella me lëvoren e tyre karakteristike jeshile që rrethon lëvozhgën.

Si t’i ruani

Lajthitë e hapura mund të ruhen në temperaturën e mjedisit për disa javë. Ndërsa ato me lëvozhgë mund të futen në frigorifer ose akoma më mirë vendosini në një qese plastike dhe futini në ngrirje. Do ju zgjasin për rreth një vit.

Këshilla shtesë

Lajthitë mund t’i shijoni siç janë ose mund ti përdori në ëmbëlsira apo gatime të tjera. Do i japin më shumë shije dhe aromë ushqimit tuaj.

Kungull i njomë

Ka më shumë se 100 varietete kungujsh të njomë, të cilët variojnë në ngjyra që nga jeshile në gri në pothuajse të zezë dhe në forma nga të gjata dhe të holla si hot dog tek ato të mëdhenj të rrumbullakët, që janë dhe kungujt klasikë.

Si t’i zgjidhni

Shihni për kunguj që janë në përmasa të vogla . Duhet të jenë të fortë dhe pa të çara apo njolla. Kungujt e vërtetë të freskët kanë dhe disa qime të vogla. Sa më gri të jetë kungulli aq më I freskët dhe i bollshëm është, veçanërishtë për tu gatuar në supë.

Si t’i ruani

Mbajini të izoluar mirë në frigorifer.

Këshilla shtesë

Kungujt e vegjël janë të mirë për tu gatuar veçmas, ndërsa kungujt e mëdhenj janë të shkëlqyer për t’u bërë ëmbëlsira, byrek ose për t’u shijuar të zier.

Mix mjedrash dhe manaferrash

Fermerët shqiptarë kanë nisur të kultivojnë gjithnjë e më shumë mjedra ndërkohë që manaferrat vazhdojmë ti kemi dhuratë nga natura, pa I kultivuar në serra.

Si t’i zgjidhni

Zgjidhni mjedra dhe manaferra me ngjyra të forta, pasi ato janë dhe më të mirat. Gjithashtu këshillohet të shihni dhe shportën ku janë vendosur nëse kullojnë, tregues se disa nga manaferrat janë prishur.

Si t’i ruani

Manaferrat janë shumë delikate dhe duhen ruajtur në frigorifer të mbyllura në qese plastike në mënyrë hermetike.

Këshilla shtesë
Shpëlajini manaferrat në ujë rrjedhshëm para se t’i servirni.
 

Kumbulla

Ka aq shume varietete kumbullash sa që nuk ua merr mendja. Dhe si të mos mjaftonte kjo, kanë nisur që kumbullat t’i shartojnë dhe me pjeshkë duke krijuar akoma më shumë varietete.

Si t’i zgjidhni

Zgjidhni kumbulla që janë në ngjyrë të ndezur, por jo shumë të forta. Nëse kumbulla duket sikur është e mbuluar nga një pluhur i lehtë, atëherë kjo është një tregues se është një pjekje natyrale dhe se fruti është në gjendje të mirë.

Si t’i ruani

Kumbullat do të vazhdojnë pjekjen edhe pasi të jenë vjelur. Nëse fruti është pak i fortë, lëreni në temperaturën e ambjentit për një ose dy ditë që të zbutet. Vetëm atëherë duhet t’i vendosni në frigorifer.

Këshilla shtesë
Çajeni kumbullën nga bishti tek pjesa e sipërme në mënyrë që bërthama e saj të dalë me lehtësi.



Artikulli është publikuar fillimisht në LA Times dhe është adaptuar nga Agroweb