Të vërtetat e hidhura të bukës sonë të përditshme

538 0

“Bukën tonë të përditshme falna sot”. Mizerja, mjerimi dhe vuajtja, nuk do ishin ngjizur kaq mirë nga Migjeni nëse novelën e drejtuar si një lutje ndaj Zotit nuk do ta brumoste me simbolin e traditës shqiptare: bukën. “Në rasë se ndonjë ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu”, shkruante në vitet ’30 Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni). Po nëse buka, që poeti ngre në kult do të kishte qenë e helmatisur? Çfarë do të kishte shkruar Migjeni? Me siguri ndonjë kryevepër tjetër. Por sot, ne nuk jemi në vitet 30 dhe para nesh nuk kemi “sy të jeshilta e duer të mpita”, por ama kemi “Migjenianë” modernë që nuk shkruajnë me pendë e letra bakalli, por me smartphone nëpër rrjete sociale; që nuk shkruajnë se s’ka bukë, por se buka që duam dhe konsumojmë kaq shumë si popull është e helmuar. Lajmi se mikrobi “Bacillus Subtllis” ka infektuar bukën shqiptare krijoi një zallamahi aq të madhe në rrjetet sociale, sa që një prononcim zyrtar për të konfirmuar ose hedhur poshtë zërat e web-it pritej këto ditë si ujët e pakët.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti nuk vonoi shumë dhe në një intervistë televizive të pak ditëve më parë e hodhi poshtë lajmin e helmimit të bukës duke e konsideruar atë si një spekullim të pastër mediatik. “Mielli dhe buka shqiptare nuk janë të helmuar dhe ne po kryejmë ekzaminimet për ta vërtetuar këtë”, u shpreh Panariti duke i paraprirë kështu rezultateve zyrtare të analizave të bëra publike një ditë më parë. Sipas Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), i cili ka kryer analizat për 47 mostra, mielli ka rezultuar pa ngarkesa mikobiologjike dhe konkretisht mikrobin “Bacillus Subtilis” i cili njihet në gjuhën popullore si shkaktar i “sëmundjes së Patates”.

Mielli dhe buka shqiptare nuk janë të helmuar dhe rreziku për shëndetin e konsumatorëve është i papërfillshëm

Mostrat janë marrë në disa rrethe të Shqipërisë, megjithse një numër i tillë nuk është garanci e plotë se ky mikrob nuk është prezent. Ky bakter nuk është patogjen, por prodhon substanca toksike dhe e tjetërson bukën, duke shkaktuar erë, etj. “Rreziku për shëndetin e konsumatorëve është i papërfillshëm”, ka siguruar ISUV.

Ky fakt normalisht duhet të na qetësojë, apo jo?! Por duke qenë se ne jemi të shqetësuar në mënyrë të vazhdueshme për shëndetin tonë, duke u përpjekur të ushqehemi në mënyrën e duhur, kur vjen puna tek buka, çështja vështirësohet pak. Sepse për të bërë zgjedhjen e duhur më parë duhet të dimë se çfarë ka brenda buka. Problemi qëndron se thjesht nuk e dimë. Bukëpjekësit refuzojnë të japin informacion mbi bukën tonë të përditshme, duke na bërë me të drejtë të mendojmë se ata kanë diçka për të fshehur.

Një sasi e madhe e bukës që ne blejmë është e zhveshur nga vlerat ushqyese, duke u përdorur miell i procesuar si dhe kripë dhe konservantë, madje madje disa lloje bukësh përmbajnë edhe sheqer, siç pohojnë disa bukëpjekës.

Kultura e bukës është e lidhur ngushtësisht me traditën dhe historinë shqiptare.

Po pse është ky një problem? Përpos problemeve shëndetësore që sjell konsumi i tepërt i sheqerit dhe kripës, veçanërisht kur është i fshehur në produkte të tilla si buka, makarona, ushqime të gatshme dhe tek salca, ekspertët pohojnë se produktet shtesë ose siç njihen ndryshe “additives” krijojnë fryrje dhe probleme me tretjen. Gati një e katërta e bukës që ne konsumojmë sot bëhet me maja shtesë, në mënyrë që ajo të piqet më shpejt dhe të rrojë më gjatë. Problemet e tretjes për këtë arsye janë në rritje ashtu siç është në rritje dhe numri i njerëzve që kanë filluar të jenë intolerantë ndaj bukës.

Po me të drejtë dikujt mund t’i lindë pyetja, pse më parë ne kishim bukë cilësisht më të mirë? Shqipëria duke qenë një vend i vogël, tashmë me rritjen e konsumit e ka të vështirë të plotësojë të gjithë kërkesat e tregut me grurë. Dhe për këtë vijnë në ndihmë importet, të cilat shkojnë në një hartë shumë të gjerë, siç dhe pohon Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. “Shqipëria importon miell të një cilësie shumë të lartë, nga vende si Gjermania dhe Belgjika, por ka dhe disa vende të tjera jashtë Bashkimit Evropian siç është Serbia”, shpjegonte ministri Panariti për mediat ekzaktësisht një vit më parë, ku sërish pati akuza për helmim të miellit.

“Marrëveshja e tregëtisë së lirë nuk lejon kufizime apo pengesa në importe drithërash dhe mielli nëse ato plotësojnë normat dhe standaret e cilësisë”, është shprehur Panariti. Standarte që në fakt, janë kontestuar fort edhe nga vetë politika. Erion Braçe, kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë pati një qëndrim shumë të fortë në lidhje me cilësinë e miellit që përdoret për prodhimin e bukës. “A e dini çfarë buke konsumojmë? Mielli që hyn në Shqipëri është i varfër në proteina, i varfër tej kufirit të poshtëm të lejuar!!”, deklaronte Braçe. Sipas tij, pra, nën 12.5 për qind proteina!! “Më poshtë se kaq nuk ka vend tjetër në Rajon, në BE jo e jo, që të konsumojë miell me këto tregues”.

Për më tepër në një vend që është ngushtësisht i lidhur me bukën. Sepse buka është jetë, dhe nëse bëhet siç duhet, ashtu siç e quan dhe pioneri bujqësisë George Stapledon ajo ka aftësinë të të risjellë në jetë. Që simbolikisht vlen për të gjitha llojet e ushqimeve. Buka nuk është vetëm pjesë e traditës kulinare shqiptare, por është dhe pjesë e historisë dhe kulturës sonë duke patur një rol të rëndësishëm në tryezën dhe mikpritjen e çdo shqiptari, madje edhe në lutje siç dhe na mësoi Migjeni: bukën tonë të përditshme falna sot. Por, mbi të gjitha është e drejta e çdo konsumatori që të pyesë dhe të kërkojë evidenca nga organet kontrolluese të ushqimit se buka është e sigurtë dhe se nuk do iu rrezikohet jeta nga një copë bukë.