Kriteret për Grante

441 0

Gjithkush do të donte fonde për investime të reja por ndoshta mund të kushtojë shtrenjtë? Fermerët shqiptarë të ndodhur mes kësaj dileme që vjen nga nevoja e kuptueshme për grante e financime dhe ngurrimit se mbase e gjithë kjo mund të kushtojë, së paku shumë kohë, i çon ata shpesh në perceptimin e gabuar se skemat financiare nuk janë aq të lehta për t’u fituar. Por kostot mund të reduktohen nëse fermerët dhe agrobizneset përmbushin kriteret e kërkuara.

Ka shumë programe financimi që ofrojnë fonde për një gamë të gjërë skemash që mund të përfitohen nga fermerët dhe agrobizneset. Të gjesh skemën e duhur mund të jetë jo aq e lehtë. Fermerët dhe agrobizneset përballen gjithashtu me problematika të ndryshme gjatë procedurave të aplikimit, të cilat ulin shanset për të pasur sukses në përfitimin e granteve. Por shumë fermerë që i’a kanë dalë të fitojnë, mund të konfirmojnë se grantet mund të arrihen dhe janë një mjet shumë efektiv për zgjerim të biznesit.

Programi Gjermano-Danez ‘Mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në zonat e pafavorizuara në Shqipëri’ (SARED) vë në dispozicion për fermerët dhe agro-përpunuesit shqiptare grante që arrijnë 6.5 milion Euro. 13 fermerë nga zona të ndryshme të Shqipërisë mundën të përfitojnë nga thirrja e parë e këtij granti gjatë periudhës Prill-Qershor, duke marrë në total 270 mijë Euro për investimet e tyre.

Vëmendje! Thirrja e dytë pritet të shpallet në fillim të tetorit dhe shumë fermerë e agrobiznese të tjerë do të mund të përfitojnë nga ky grant për të zgjeruar bizneset e tyre. Thirrja e dytë do të zgjasë deri në Shkurt 2016 dhe disa cikle thirrjesh do të vijojnë deri në Janar të vitit 2018. Fermerët dhe agro-përpunuesit në gjashtë qarqe, Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë, Elbasan dhe Berat, mund të aplikojnë për grante deri 75% e vlerës së investimit. Mbështetja e Skemës së Grantit SARED do të ofrohet në katër drejtime kryesore; Mbarështimi i blegtorisë së imët, pemët frutore dhe arrorët, bimët aromatike dhe mjekësore, si edhe agro-turizmi dhe marketingu.

Për të shkurtuar kohën që do të shpenzonit, ju ofrojmë një guidë të thjeshtë me 5 kriteret kryesore që nevojiten për një aplikim të suksesshëm.

Agrobizneset që synojnë të krijojnë vende të reja pune, të rrisin prodhimin dhe eksportet si edhe të investojnë në teknologji të reja në mbrojtje të mjedisit janë ato tipe biznesesh që fitojnë njëkohësisht vëmendje dhe financim.

Fermerët që synojnë të zgjerojnë dhe përmirësojnë infrastrukturën në fermat e tyre, do të mund të përfitojnë mbështetje për investime deri në 3,5 milion Lekë. Ndërsa agro-përpunuesit që merren me grumbullimin, përpunimin, magazinimin dhe shitjen e produkteve bujqësore do të mund të përfitojnë mbështetje për investime deri në 10 milion Lekë.

Procedurat e aplikimit kanë kërkesa shumë specifike dhe rigoroze pasi komisioni vlerësues i SARED duhet të jetë i bindur se plani i biznesit ka potencialin për t’u zhvilluar. Duhet të kihet parasysh që fitimi i një granti ka një procedurë të ngjashme me fitimin e një kredie bankare, ndaj dhe duhet një plan i qartë biznesi. Gjithcka që duhet të bëni, pasi të keni plotësuar 5 kriteret kryesore, është të kërkoni mbështetje nga konsulentë biznesi që do t’ju ndihmojnë për të përfituar një grant të përshtatshëm dhe të suksesshëm për biznesin tuaj, të cilët do t’ju asistojnë gjatë gjithë procesit të financimit.

Thelbësore është që fermerët dhe agrobizneset të mos shpenzojnë shumë kohë në aplikime që nuk janë të përshtatshme për biznesin e tyre. Me mbështetjen gjithnjë e në rritje të Evropës ndaj bujqësisë në Shqipëri, ka shumë mundësi për grante dhe financim alternativ; ajo që duhet është pak përpjekje për të arritur këto fonde.