Çertifikimi, kusht kyç për eksport në BE

410 0

Për një kilogram domate të shitur në tregun rajonal, Petrit Lika një fermer nga Fieri arrin të marrë afërsisht 0.3 Euro. Po të marrim të njëjtën sasi, pra po sërish një kilogram me po të njëjtën cilësi dhe të përpiqemi ta shesim në Europë, le të themi përshembull në Gjermani. A keni ndonjë ide se se çfarë çmimi do të shitej domatja shqiptare? Do ta besoni ose jo, por gjermanët janë të gatshëm të paguajnë plot 1.29 Euro për to. Të njëjtën gjë do të ishin të gatshëm të bënin dhe danezët e zviceranët, po t’iu ofrohej mundësia. Tani me të drejtë pyetja që mund t’iu lindë është se pse Petriti apo dhe çdo fermer tjetër nuk merr rrugën e BE për të eksportuar produktet shqiptare kur ka kaq kërkesë, por rropatet për pak para në rajon duke u përballur mes të tjerave edhe me embargon ruse? Përgjigjia është aq e thjeshtë sa është dhe e komplikuar. Iu mungon një gjë, e cila do të bënte që produktet e tyre të fluturonin nga stendat e tregjeve evropiane: çertifikimi.

Shumë nga produktet shqiptare nuk arrijnë të penetrojnë këtë treg të madh me kaq shumë potencial pikërisht për shkak të mungesës së çertifikimit që lidhet me çështjet e mjedisit, shëndetit, sigurisë dhe rrisqeve nga mungesa e higjenës, që lidhen me sistemin aktual të prodhimit në vend. Të gjitha çertifikimet që nga GlobalGAP tek ISO 22000, në thelb nënkuptojnë pikërisht këtë gjë: sigurinë ushqimore në nivele të ndryshme. Respektimi i standardeve të BE-së është tejet i rëndësishëm për bujqësinë në përgjithësi dhe hortikulturën në veçanti si një burim i rëndësishëm i të ardhurave për Shqipërinë, por megjithatë asnjë nga kompanitë shqiptare nuk është e çertifikuar në GlobalGAP (Praktikat e mira bujqësore). Kjo praktikë po të implementohej do të kishte një ndikim të madh, duke bërë të mundur që prodhuesit të kenë një qasje ndaj tregjeve të reja të BE-së duke rritur kështu mundësitë për eksport.

Pikërisht për të siguruar këtë çertifikim në linjë dhe me kërkesat e tregut të Bashkimit Evropian, USAID ka mbështetur zhvillimin e një projekti të ri në rajon që do të prekë në mënyrë direkte problemet e çertifikimit të fermerëve nga Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia. Përmes projektit B-REDI për Asistencë në Pëputhje me Standardet e Bujqësisë dhe Çertifikimit, e implementuar nga SEGURA (i cili startoi këtë verë) do të përfitojnë 15 fermerë shqiptarë dhe agrobiznese. Prodhuesit e mëdhenj të mollëve, perimeve, serrave dhe prodhuesit e vajit të ullirit do të asistohen në implementimin dhe në marrjen e çertifikimit Global GAP.

Shumë nga produktet shqiptare nuk arrijnë të penetrojnë këtë treg të madh me kaq shumë potencial pikërisht për shkak të mungesës së çertifikimit

HACCP është një tjetër çertifikim që do t’iu nevojitet agropërpunuesve shqiptarë në përputhje me standartet kombëtare të sigurisë ushqimore, por edhe për t’u zgjeruar më shumë në tregjet rajonale. Marrja e çertifikimin HACCP është shumë e nevojshme për shumicën e tregëtuesve të fruta perimeve, përpunuesve dhe prodhuesve të vajit të ullirit si dhe operatorët e magazinimit të ftohtë.Ndërkohë që ISO 22000 është një tjetër çertifikim pjesë e këtij projekti, i cili është gjithashtu një kërkesë kyçe që produktet të tregëtohen në markata dhe në zinxhirin e supermarketeve ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, si Conad dhe Carrefour. Por edhe shitësit e markatave lokale, si Big Market me degë në të gjithë vendin e kërkojnë këtë çertifikim. Ndaj dhe për këtë arsye prodhuesit dhe eksportuesit e frutave dhe perimeve duan që produktet e tyre t’i çertifikojnë me ISO 22000.

Ky certifikim plotëson minimumin e standardeve të kërkuara ndërkombëtare, duke përfshirë sigurinë e ushqimit dhe standardet e menaxhimit, por edhe integron aspektet themelore të gjurmueshmërinë kështu që në shumë raste është pranuar edhe nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve në rajon. Pra, çertifikimi ISO 22000 është propozuar për të lejuar përpunuesit shqiptarë që të ofrojnë kontrata eksporti dhe shitjen e produkteve të tyre për tregtarët me shumicë dhe pakicë tek tregëtarët më të mëdhenj në Ballkan.

Kërkesat në rritje për çertifikimin

Në tregun ndërkombëtar, fermerët shqiptarë dhe prodhuesit e ushqimit do të kërkohet gjithnjë e më shumë të jenë të çertifikuar ndaj një standardi të sigurisë së ushqimit. Dhe kjo jo vetëm për shkak se ne jemi të projektuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimit në tregun e tij, por edhe sepse ky treg është një mundësi shumë e madhe zhvillimi për biznesin shqiptar, për më tepër që embargo e Rusisë sjell domosdoshmërisht penetrimin në tregjet evropiane. Dhe kjo është arsye e mjaftueshme që Petrit Lika dhe shumë fermerë të tjerë të marrin çertifikimin dhe të konkurrojnë në tregun e madh të BE-së. Shqipëria ka produkte të një cilësie të lartë dhe është koha që t’i vendoset vula e cilësisë.