Shqiptarët në Podiumin Evropian të Konsumit të Fasules

396 0

“Lufta është vrasje, përjashto rastin kur jeta e një kombi vihet në rrezik”. Me këto fjalë e përkufizonte luftën Mustafa Kemal Ataturk, një strateg lufte me origjinë shqiptare dhe themelues i Turqisë Moderne. Por ushtarëve përveç guximit për t’u përballur me armikun u duhet edhe ushqim. Njeriu që hyri në histori jo vetëm si një ushtarak, por edhe si një politikan i shkëlqyer, luftoi në të dy kampet duke mbijetuar pikërisht falë një ushqimi që do t’ju lerë me gojë hapur. Pjata e preferuar e Ataturk ishin fasulet e bardha. I pëlqente aq shumë sa mund t’i konsumonte dhe disa herë në javë. Fasulet e ushtarëve, siç janë cilësuar shpesh janë një eksploziv energjie për të gjithë ata që luftojnë në llogore, por mos u habisni pasi ato funksionojnë edhe për ata që “luftojnë” në letër. Siç është rasti i shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli, i cili në rini, këmbeu 10 kile fasule për një libër të vetëm “Ago Jakupi” të Mitrush Kutelit. Ai e dinte shumë mirë se askush nuk mund t’u rezistonte 10 kileve fasule përballë ca më pak se 200 faqe libër. 

Që shqiptarët i duan shumë fasulet, ky është një fakt që dihet tashmë. Lidhja me këtë perim është aq e lashtë saqë është e vështirë të gjesh zanafillën e tyre në vendin tonë. Fasulet janë ushqimi kryesor në tryezat e amvisave shqiptare. Ushtarët i hanë edhe për mëngjes, ndërkohë që gjatë periudhës së Komunizmit për shumë fasulet ishin ushqimi parë dhe i vetëm. Ishte ushqimi i të varfërve, por edhe i të privilegjuarve. Por ajo që nuk dinim për fasulen, të cilën madje shpesh e kemi madje nënvlerësuar, është pasuria e saj me vlera ushqyese. Shumë studiues pohojnë se të hash fasule mund të parandalojë një sërë sëmundjesh, si kanceri apo diabeti. Fasulet të bëjnë të ndihesh i ngopur më shpejt duke qenë se janë shumë të pasura me proteina, duke u bërë dhe një zëvendësues i shkëlqyer i mishit.

Shumë studiues pohojnë se të hash fasule mund të parandalojë një sërë sëmundjesh, si kanceri apo diabeti

Mesatarisht shqiptarët konsumojnë 5-6 kilogram fasule për frymë në vit, duke i kapërcyer të gjitha vendet e Bashkimit Evropian për nga niveli i konsumit. Por gjithsesi prodhimi jonë prej 15 kv/ha vazhdon të mbetet i ulët. Për vitin 2013, në vend sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë janë prodhuar 28 mijë ton fasule nga 14.192 ha në të gjithë vendin, ku qarku i Fierit ka prodhimtarinë më të lartë me 6,393 ton, i ndjekur nga Elbasani me 5,699 ton dhe Korça me 3,457 ton fasule. Ndërkohë që përsa i përket eksporteve jemi pak mbrapa. Shqipëria renditet në vendin e 87-të në botë për eksportet e fasules. Në vitin 2014 vlera monetare e eksporteve kapi shifrën e 20.207 Dollarëve amerikanë, ndërkohë që fqinji ynë Maqedonia për të njëjtën periudhë ka ekportuar më shumë se dyfishin duke kapur vlerën e 49.893 Dollarëve.

Niveli më i lartë i lartë i eksporteve i takon periudhës 1996-1997 ku shënohet dhe vlera më e lartë, respektivisht 804.460 Dollarë në vitin 1996 dhe 1.131.983 në vitin 1997. Numri i ulët i eksporteve shpjegohet në një farë mënyre dhe me kërkesën e lartë që ka tregu vendas, qofshin ato të bardha, të kuqe, laroshe apo fasule pllaqi, e rëndësishme është cilësia e tyre tek e cila shqiptarët nuk bëjnë kompromis. Aq sa shumë konsumatorë në këtë periudhë të vitit synojnë të gjithë të blejnë fasulen e re, të sapovjelë nga fermerët që nga Peshkopia në Korçë, nga Shkodra në Vlorë, nga Lezha në Tiranë. Harta e Shqipërisë është e gjitha e shënuar nga kokrrat e bardha super ushqyese.

Por çfarë i bën ato kaq super. Siç dhe e kemi përmendur më lart, fasulet nga njëra anë janë shumë të pasura me proteina dhe nga ana tjetër kanë shumë pak kolesterol. Në mes ndërkohë qëndrojnë dhe me dhjetra të mira të tjera. Fasulet janë plot me fibra dhe magnezium, ndërkohë që studimet tregojnë se bishtajoret mund të ulin nivelin e kolesterolit dhe të zvogëlojnë rrezikun e disa llojeve të kancerit. Fasulet janë gjithashtu dhe një burim shumë i mirë hekuri, por disa tipe kanë më shumë hekur se disa të tjera. Si përshembull një studim tregon se fasulet e bardha kanë shumë më shumë se hekur se ato të kuqe, ndërkohë që të tjerë mbështesin faktin se të dyja janë njësoj të pasura me hekur.

Që në fakt është lajm shumë i mirë që fasulet janë plot me hekur. Nga ana tjetër fasulet nuk sigurojnë të gjithë aminoacidet, por mos u dëshpëroni pasi ka një zgjidhje: fasulet dhe orizi janë një kombinim perfekt, duke qenë se orizi plotëson boshllëqet e aminoacideve. Ndërsa përsa i përket kalorive, është një leverdi pasi për vetëm 28 gramë merren 33 kalori. Fasulet kanë shumë pak yndyrma dhe pak kolestreol, çka shumë produkte të mishit nuk e kanë.

Tani me gjithë këto të mira që ju përmendën, nuk duhet ta shihni më me buzë të rrudhura pjatën e fasules që keni përpara. Kujtohuni që u ka dhënë forcë ushtarëve në luftë, si Ataturku dhe na ndihmon ne të jemi të shëndetshëm dhe në formë, siç vetëm fasulet dinë të bëjnë.