Shtëpiza e Akullt e Shqiptarëve

371 0

Frigoriferi – ky mjet i ëndërruar nga shqiptarët e viteve 60’ hyri në shtepitë tona si një mjet luksi vetëm pas atyre viteve. Brezi i viteve 70-80 ende mban mend edhe markat e atyre paisjeve standarde si Obodin-i, një prej emrave më të famshëm të asaj periudhe. Padyshim trokitja gati bezdisëse në derën e fqinjit për të marrë pakon e mishin të lënë në frigoriferin e tyre ishte një zakon shumë i njohur, aq sa edhe ftohja e shalqinjve në ujë të ftohtë, e mbetur ende në kujtesë deri më sot. Edhe pas viteve 90’ konsiderohej një “luks me 5 yje” të kishe mundësinë të kaloje 15 ditëshin në një shtëpi pushimi të pajisur me ndonjë tip frigoriferi.

Është e vështirë të mendosh sesi shqiptarët ushqeheshin të sigurt pa pasur mundësinë e një teknologjie të tillë ruajtjeje (sigurisht nuk kishim shumë çfarë për të futur, por gjithsesi kishim ca qumësht e pak mish). Në ditët e sotme e përdorim frigoriferin për gjithçka që tek ngrirja e erzave të freskëta deri te birra e vera, por a i ruajmë gjithmonë në mënyrën e duhur këto produkte? Ndërsa të gjithë e dimë se ruajtja e produkteve në mjedise të freskëta i bën ato të rrojnë më gjatë, jo gjithçka që blejmë në treg duhet të futet brenda asaj dhomëzës së ftohtë frigoriferike.

Ekzistojnë shpjegime shkencore se si frigoriferi mund të dëmtojë përshembull një domate të mirë. Këtë e konfirmon për AgroWeb edhe Profesor Tokli Thoma, ekspert i bujqësisë, i cili thotë se domatja si pjesë e familjes Solarore kërkon një temperaturë të ngrohtë. Temperature ideale për domatet do të ishte rreth 12 gradë Celcius.

Domatet e kanë origjinën nga vende me klimë shumë të ngrohta, ndaj ato preferojnë të qëndrojnë në mjedise me këto temperatura. Domatet e ruajtura në frigorifer pësojnë një ndryshim kimik që u heq shijen dhe u tjetërson strukturën. Shija aq e veçantë e domateve, aroma e tyre e freksët dhe e njomë janë rezultat i çlirimit të përbërësve të veçantë aromatikë.
Një studim i fundit i Institutit Kombëtar Francez për Kërkime Bujqësore ka provuar se ftohja jo vetëm ndalon prodhimin e përbërësve të rinj aromatikë, por madje shkatërron edhe ato që tashmë ndodhen në përbërje të saj.

Temperaturat e ftohta mund të shpërbëjnë amidonin, të shkaktojnë kristalizim të sheqerit që gjendet në produkte dhe përgjithësisht mund të thajnë gjithçka mund të fusim në frigorifer. Mbase nuk e din,i por mollët që vendosni zakonisht poshtë, në koshin e frigoriferit bashkë më karrotat, do të bëjnë që perimet tuaja të prishën më shpejt se ç’e prisnit.

Disa udhëzime praktike se ku dhe me cfarë nuk duhet t’i përzjeni produktet ushqimore ndërsa i ruani në frigorifer.

Produkte

Frutat dhe perimet ruhen më gjatë kur vendosen në mjedise me lagështirë. Në frigorifer, ato vendosen në koshin e poshtëm. Është e rëndësishme që frutat t’i mbani të ndara nga perimet. Shumë fruta çlirojnë një gaz që quhet etilen dhe shumë perime janë sensitive ndaj këtij gazi dhe prishen kur vihen në kontakt me të. Gjithashtu mos i ruani frutat apo perimet në enë pa ajër apo hermetike sepse do t’u ‘zihet fryma’ e do të kalben. Nëse ndonjë prej produkteve nis të prishet hiqeni prej aty, pasi do të prishë edhe të tjerat.

Bulmeti

Qumështi dhe kosi duhe të vendosen në raftet lart ose në mes të frigoriferit. Mbajini larg nga ushqimet me aroma të forta të cilat mund t’i prishin shijen dhe gjithmonë vendosini vezët në raftet e poshtme në mënyrë që të mos humbasin lagëshinë dhe të thithin aroma të padëshirueshme. Djathi, ashtu si frutat dhe perimet kërkon një vend të ngrohtë ndaj duhet të ruhet në një vend me lagështi të mjaftueshme.

Mishi dhe peshku

Mishi dhe produktet e detit duhet të ruhen në hapsirat më të ftohta. Duhet gjithnjë të evitoni t’i lini bashkë me ushqime të tjera pasi këto të fundit mund të marrin bakteret e mishit apo peshkut.
Salcat e ndryshme
Përderisa salcat e paketuara nuk prishen lehtë si pjesa më e madhe e ushqimeve në frigorifer, ato mund të vendosen në derën e frigoriferit ku temperaturat në përgjithësi janë të luhatshme për shkak të hapjes së shpeshtë.

Ushqimet e mbetura

Në mënyrë që ushqimet e mbetura të ruajnë freskinë, e ju t’i shijoni përpara se të prishen, vendosini në vende ku mund t’i shihni si për shembull në raftët e sipërme apo në mes. Nëse kanë kaluar katër ditë dhe ju ende nuk i keni konsumuar, vendosini në ngrirje ose hidhini nëse mendoni se nuk do t’i konsumoni.

Domatet e ruajtura në frigorifer pësojnë një ndryshim kimik që u heq shijen dhe u tjetërson strukturën. Foto: AAC Lushnja

Përveç udhëzimeve të mësipërme AgroWeb sjell disa këshilla praktike që shpjegojnë jo vetëm se çfarë duhet dhe nuk duhet të fusni në frigorifer, por edhe pse.

Domatet: Jo

Nëse domatet do të mbahen në frigorifer, do të humbin shijen dhe aromën. Kjo sepse ajri i ftohtë ndalon pjekjen e tyre dhe prish membranën qelizore, duke i dhënë këtij produkti një shije karakteristike si të kokrrizuar.

Buka: Jo
Mbajtja në frigorifer e than bukën. Nëse do që ta konsumosh brenda disa ditësh mbajeni në një dollap. Në të kundërt mbështilleni mirë dhe futeni në ngrirje.

Kafja: Jo

Ruajini pakot e kafes në një vend të freskët e të errët, por jo në frigorifer, sepse do të humbasë shijen dhe do të marrë aroma nga ushqimet pranë. Megjithatë nëse keni sasi të mëdha kafeje mund t’i mbani në ngrirje.

Mjalti: Jo

Mjalti nuk prishet pothuajse kurrë, ndaj nuk ka asnjë arsye për ta ruajtur në frigorifer. Veç kësaj temperatura e ftohtë do ta bëjë që të kristalizohet.

Reçeli/Salcat: Pasi hapen

Reçeli, salcat e ndryshme dhe produkte të ngjashme duhet të rujen në dollap deri sa të happen, por ashtu si shumica e tyre duhet të shkruajnë në etiketa, “pasi t’i hapni ruajini në frigorifer’.
Djathi: Po

Disa lloje djathrash, veçanërisht djthrat e butë si djathi i bardhë tradicinal shqiptar, duhet gjithmonë të ruhen në frigorifer. Të tjerët si kaçkavalli, jo domosdoshmërisht duhet të ruhen në frigorifer (gjithsesi referojuni etiketave përkatëse)

Gjalpi: Brenda ose jashtë

Rekomandohet të ruani në frigorifer apo edhe në ngrirje gjalpin nëse nuk do ta përdorni brenda dy-tri ditëve. Por shumë njerëz e mbajnë gjalpin në një enë jashtë frigoriferit. Përderisa ai bëhet nga qumësht i pasterizuar, zakonisht nuk ka pse të prishet.

Mollët: Brenda ose jashtë

Mollët mund të qëndrojnë rreth një javë në temperature të mjedisit, ose më gjatë nëse i vendosni në frigorifer. Disa lloje mollësh mund të ruhen më gjatë (disa muaj) nëse i mbështillni një e nga një, të vendosura në një vend të izoluar dhe të freskët.

Bananet: Brenda ose jashtë

Shumë njerëz i ruajnë bananet në temperature të ambjentit. Mund t’i ruani në një çantë prej letre së bashku me një mollë apo domate në mënyrë që të piqen më shpejt. Nëse do t’i ruani në frigorifer do t’i bëjë të marrin një ngjyrë kafe, edhe pse gjithsesi do të jenë të shijshme.

Vaji i ullirit: Jo

Mos e ruani vajin e ullirit në frigorifer sepse do të ngurtësohet ashtu si gjalpi. Do të ishte ideale ta ruani në një vend të freskët e të errët jashtë frigoriferit.

Qepët/Hurdhrat: Jo

T’i mbani qepët në frigorifer do t’I bëjë ato të zbuten dhe bëhen të qullta, falë lagështirës së ambjentit. Mbajini në një vend të freskët e të thatë (po veçmas nga patatet, pasi nëse i mbani bashkë do të bëjë që të dyja të prishen më shpejt). Mos i mbani hudhrat në frigorifer, sepse lagështia do t’i bëjë jo vetëm të zbuten por edhe të mbijnë. Duhen t’i mbani në një vend të freskët e të thatë.

Patatet: Jo

Ruajtja e patateve në frigorifer e shndërron niseshten e tyre në sheqer, duke i thënë shije të ëmbël por të kokrrizuar. Ju duhet t’I ruani në vende të freskëta dhe të errta si përshembull në çanta letre brenda në dollap.

Qumështi: Po

Nuk ka nevojë të thuhet që patjetër qumështi duhet të ruhet në frigorifer në mënyrë që të ulet rritja e baktereve në të. Rekomandohet që ju të mos e lini kurrë qumështin jashtë frigoriferit më shumë se dy orë. Edhe nëse e zjeni nuk do të thotë se nuk duhet ta fusni më pas në frigorifer.

Mishi i freskët/Peshku: Po

Ashtu si qumështi, edhe mishi i freksët apo i gatuar duhet të ruhet gjithnjë në frigorifer dhe veçmas nga ushqimet e tjera për të evituar kalimin e baktereve.

Borziloku dhe erzat: Jo

Borziloku dhe erzat e freksëta do të vyshken dhe do të marrin aromat e ushqimeve përreth nëse vendosen në frigorifer. Më mirë t’i vendosni në një gotë me ujë si lulet. Ose mund t’i copëtoni dhe t’i vendosni në ngrirje. /AgroWeb.org/