Moratoriumi i gjuetisë plus 5 vite të tjera

741 0

Për dy vjet zogjve dhe gjitarëve iu kursye jeta (të paktën në letër) nga kasaphana në sajë të një moratoriumi për të gjithë gjuetinë, të miratuar nga qeveria shqiptare. Pavarësisht ndalimit, sërish gjuetarët e paligjshëm arritën të luajnë macja me miun në zonat e thella, duke vrarë kaproj e derra të egër larg syve të zbatimit të ligjit.

Ligji, i cili u aprovua në janar të vitit 2014, pezulloi të gjithë licensat për ushtrimin e gjuetisë për dy vjet. Ky ligj mund të ketë një shtyrje edhe për pesë vite të tjera. Javën e ardhshme më 8 shkurt, një moratorium i ri do të diskutohet me palët e interesit, shoqatat e gjuetarëve, ligjvënësit dhe specialistët në Ministrinë e Mjedisit.

Ky vendim pritet të merret pasi qeveria e përdori këtë periudhë për të studiuar mënyrat për të reformuar rregullat e ruajtjes dhe për të kontrolluar atë që ishte pothuajse e paligjshme. "Ne kemi qenë të detyruar të miratojmë masa të rrepta për mbrojtjen e specieve të rrezikuara nga gjuetia e paligjshme", ka deklaruar ministri i Mjedisit Lefter Koka.

Edhe pse moratoriumi është ende në fuqi, gjuetia e paligjshme është rritur dhe intensifikuar në mënyrë të konsiderueshme. Nga vëzhgimet në terren, Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqata Shqiptare për Mbrojtjen e shpendëve dhe gjitarëve (ASPBM) kanë vërejtur se gjuetia e paligjshme është praktikuar kryesisht gjatë fundjavës (sidomos të dielave), gjatë orëve të para të mëngjesit si edhe gjatë natës. Kjo është koha kur autoritetet e zbatimit të ligjit nuk kanë mbikëqyrje të mjaftueshme mbi territorin, i cili është përdorur më së miri nga kontrabandistët.

Gjuetia e paligjshme është evidentuar në të gjithë vendin, madje edhe brenda zonave te mbrojtura, që janë ligatinat, ultësirat apo ekosistemet malore. Madje edhe speciet e rrezikuara në Listën e Kuqe të Faunës në Shqipëri të tilla si: zogjtë grabitqarë, dreri, ujku, derri i egër, etj kanë rënë pre e gjuetisë së paligjshme. Ministria e Mjedisit thotë se arinjtë e murrmë dhe shqiponjat janë të rrezikuara seriozisht në zonat malore të Shqipërisë.

Zonat më problematike janë ligatinat në vijën bregdetare si Laguna e Patokut në rrethin e Lezhës, ligatina Fllaka pranë Durrësit, Laguna e Vilunit në rrethin e Shkodrës, zona ligatinore Vjosë-Nartë në qarkun e Vlorës, etj, ku vetëm gjatë javëve të fundit zona e gjuetarëve është dyfishuar. E njëjta situatë problematike është e pranishme në zonat malore, sidomos në rajonin Pukë-Mirditë, në rajonin e Korçës, Tropojës, etj.

Ndalimi i gjuetisë për dy vite, sipas specialistëve të Ministrisë së Mjedisit ka pasur ndikim pozitiv në faunën e egër duke rritur numrin e zogjve dhe të gjitarëve në vend, ndërkohë që për gjuetarët vetë, ky moratorium nënkupton vdekjen e sportit të gjuetisë.

“Gjuetia është një sport dhe ata po shkatërrojnë sportin tonë”, thotë Bujar Hyka i Shoqatës së Gjuetarëve. “Eshte njësoj si t’i heqësh topin futbollistëve”. Ndërkohë që për një tjetër gjuetar është shqetësues fakti që të gjithë gjuetarët janë futur në një thes dhe se “nuk ka asnjë vend në botë që të ndalojë sportin më të vjetër në glob”.

“Edhe pse moratoriumi ka pasur efekte pozitive, për shpendët shtegëtarë ky moratorium nuk është zbatuar. Ata janë larguar nga Shqipëria dhe ndërkohë janë gjuajtur nga gjuetarë të Maqedonisë apo Malit të Zi. Moratoriumi duhet të ishte bërë për disa specie të veçanta që janë në zhdukje dhe jo të ndalohej gjuetia tërësisht”, thotë për AgroWeb specialist i gjuetisë Mevlan Jaupaj.

Për Themi Perin, sekretar i Federatës Kombëtare Shqiptare të Gjuetarëve, moratoriumi është i papranueshëm. Ai thekson se gjuetia nuk është thjesht sport, por ka dhe kosto ekonomike për qeverinë. “Me ndalimin e gjuetisë për dy vjet, sipas një përllogaritjeje që kemi bërë, qeveria ka humbur nga gjuetia dhe taksat afro 5 milion Euro në vit dhe rreth 2.000 vende të reja pune, nëse do të kishte menaxhim më të mirë”, thotë zoti Peri për AgroWeb. “Ne kemi një ligj për gjuetinë dhe duhet të shkojmë me standartet evropiane dhe jo të ndalojmë në mënyrë permanente gjuetinë”.

Situata në Shqipëri ka qenë jashtë kontrollit në vitet e fundit dhe shumë gjuetarë, madje edhe nga vendet fqinje si Italia, vizitonin vendin dhe gjuanin gjithçka për shkak të zbatimit të dobët të ligjit. Vendi ishte shndërruar në një fushë gjuetie gjatë të gjithë vitit, madje dhe shkrimtari i njohur Jonathan Franzen vizitoi vendin në shkurt të vitit 2012 për të dëshmuar këtë personalisht. Në një artikull të tij në National Geographic (Korrik 2013), ai ka përshkruar në detaje përvojën personale në lidhje me situatën e paligjshme të gjuetisë në Shqipëri, duke theksuar domosdoshmërinë për seriozitet në ruajtjen e zogjve dhe urgjencën për veprim.

Në Shqipëri ka afro 75,000 pushkë gjuetie të regjistruara, si dhe një numër të madh armësh të paligjshme automatike. Zyrtarë të lartë pohojnë se, edhe pse kuadri ligjor për mbrojtjen e kafshëve të egra është përmirësuar gjatë viteve të fundit, të dhënat tregojnë për një situatë negative, e cila mund të rregullohet vetëm përmes një moratoriumi emergjent për gjuetinë, i cili me shumë gjasa do të shtyhet edhe për 5 vite të tjera.