Shkëlqimi i Potencialeve të AgroTurizmit Shqiptar

500 0

 

 

Një fushë e re me potencial të madh zhvillimi është agroturizmi. Zbulimi dhe zbatimi i praktikave të duhura të lidhura me këtë fushë, mund të jetë njësoj si zbulimi i një miniere ari. Mendoni se po e hiperbolizojmë rastin? Aspak. Agroturizmi mund të jetë vërtetë miniera juaj e arit. Përshpejtimi pothuajse mbytës i ritmeve të jetës në qytet, rritja e ndotjes së ambientit, ajrit dhe akustikës, po i shtyjnë banorët e qyteteve gjithmonë e më shumë drejt zonave rurale. Banorët e qyteteve të mëdha janë në kërkim të një ambienti ku mund të kalojnë kohë të vyer, në praninë e familjarëve dhe miqve.

Krijimi i ambienteve në të cilat mund të shpenzohet koha e lirë duke kryer veprimtari të reja, që ata nuk i kanë kryer më parë, mund të rezultojë në një atraksion tepër fitimprurës për fermerët. Në fakt zhvillimi i agroturizmit në ferma nuk do të kërkojë domosdoshmërisht investime dhe krijime qendrash luksoze. Vizitorët nga qytetet do të vijnë për të kërkuar thjeshtësi, origjinalitet dhe veprimtari që i afrojnë me rrënjët.

Hidhni sytë rreth e rrotull dhe do të filloni të mendoni më shumë se një. E keni menduar më parë që edhe pemët e ullinjve që keni në fermë, hardhitë e mbjella me rrush, tokat me domate apo edhe stallët e lopëve mund të cilësohen interesante nga njerëz të tjerë, që nuk jetojnë në fshat?

Hapja e ambienteve të fermave ndaj turistëve, të cilët do të dëshironin të njiheshin nga afër me të gjitha proceset e prodhimit, do t’i afronte ata më shumë me produktin. Familjarizimi me veprimtaritë rurale rrit ndjenjën e përkatësisë dhe besnikërisë ndaj produktit dhe firmës. Mund ta nisni me ato pak mundësi që keni, jo gjithmonë nevojitet shumë. Ju duhet vetëm pak kreativitet dhe një këshillim i mire, mbi mundësitë reale të marketimit të fermës dhe prodhimtarisë suaj. Plani i duhur i biznesit do t’ju lejonte të nxirrnit në pah të gjitha mundësitë e fermës suaj, pikat e forta e të dobëta, potencialet apo edhe rreziqet që mund t’ju shfaqen në të ardhmen. Vetëm duke arritur të krijoni një tablo të qartë të situatës në të cilën ndodheni dhe gjithashtu duke qartësuar idenë se ku do të dëshironi ta shihni fermën apo biznesin tuaj në të ardhmen, ju do të mund të hartoni planin e duhur te suksesit.

Shqipëria, vend i potencialeve të mëdha

Krijimi i fermave organike në vendin tonë është një hap përpara drejt zhvillimit të agroturizmit. Në to vizitorët mund të ndjekin nga afër të gjitha ambientet e prodhimit në fermë dhe të konsumojnë më tej mes qetësisë dhe gjelbërimit, produktet e fermës. Mundësitë e shfrytëzimit të fermës janë të pafundme dhe nuk lidhen vetëm me prodhimin. Filloni të kërkoni për ‘arin’ brenda fermës, mund të ndodhet poshtë domateve të kopshtit, poshtë kashtës në stallë apo nën hijen e ullirit. Ndodhet gjithmonë aty ku nuk ju ka shkuar mendja më parë.

Bujqësia është burimi kryesor i të ardhurave për pothuajse 530 mijë shqiptarë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), të ardhurat e gjeneruara nga fusha e bujqësisë në vend janë të pakonsiderueshme, në krahasim me kapacitetet. Vlera e përgjithshme tregtare e prodhimit bujqësor në Shqipëri është shumë e ulët. Në vendin tonë, të cilit natyra i ka falur kushtet e përshtatshme klimaterike dhe toka mjaft pjellore, fermat duhet të jenë një burim i pashtershëm të ardhurash.