Borxhi publik: Shqipëria shtrëngon rripin

940 0

Borxhi publik është si dhembja e dhëmballës. Mirë është të mos e kesh, por kur e ke, zgjidhja është ta heqësh sa më shpejt e të shpëtosh. Shqipëria aktualisht po vuan nga një dhembje nga ato me heqje nervi, duke qenë se borxhi publik ka arritur deri në kockë, me një rekord prej 72.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Çka do të thotë se pesha e borxhit në supet e çdo shqiptari është rritur me 4.4% në krahasim me një vit më parë, duke shkuar nga 358.860 Lekë (2,566.57 Euro) në 374.800 lekë (2.679.46 Euro) për frymë, ose 52.8% më shumë se në vitin 2010.

Rritja i atribuohet arkëtimit të ulët të të ardhurave në vitin 2015, ku të ardhurat nga taksat dhe doganat morën të tatëpjetën. Në fund të pjesës së parë të vitit, administrata fiskale kishte 13.4 bilionë lekë më pak të ardhura nga çfarë pritej.

Sipas të dhënave, rënia llogaritet të jetë 68% nga doganat dhe 32% nga tatimet. Pas kësaj grope të thellë në buxhet, pyetja që të lind natyrshëm është se me çfarë parash do ta paguajë qeveria tani borxhin publik e për më tepër ta ulë atë; në një kohë që mbledhja e të ardhurave është zhgënjyese dhe taksa të reja nuk do të shihen në horizont për vitin e ardhshëm?

Qeveria thotë se do t’i japë drejtim situatës, duke e zvogëluar buxhetin e saj për të siguruar një sufiçit primar prej 0.3 për qind të PBB-së në vitin 2016. Shtrëngimi vjen edhe pasi qeveria mori kritika të ashpra nga FMN dhe Komisioni Evropian, pasi kishte kaluar pragun e borxhit prej 60% të GDP.

Qeveria, e cila i rriti taksat për bizneset e mëdha në buxhetin e vitit 2014, nuk ka planifikuar rritje të taksave për vitin 2016 dhe do të heqë edhe taksën mbi fitimin për 83,000 bizneset e vogla.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani

“Unë do ta quaja buxhetin e zhvillimit të rajonit, me thellimin e reformave dhe uljen e borxhit dhe të taksave. Ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.4% në vitin 2016”, tha Ministri i Financave, Shkëlqim Cani në komisionin parlamentar të ekonomisë në fund të vitit të kaluar.

Defiçiti i buxhetit për vitin 2016 sipas qeverisë, do të jetë 2.2% e PBB-së nga 4.1% që ishte në vitin 2015, dhe borxhi publik do të ulet në 70.9% të GDP nga 72.2% që ishte në vitin 2015.

Në rast se qeveria do të dështojë për ta mbajtur deficitin në objektivin e saj, ajo do të përdorë fonde shtesë ose do të ulë shpenzimet. Të paktën 50 për qind e të ardhurave nga privatizimet në 2016, sipas Reuters do të përdoren për të reduktuar borxhin publik.

“Pjesa tjetër e të ardhurave të privatizimit do të përdoret për të rritur kufirin e shpenzimeve kapitale, të cilat automatikisht do të rrisin deficitin e buxhetit të shtetit", thuhet në buxhet.

Sipas Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, rritja ekonomike do të vijë nga investimet e huaja, si gazsjellësi TAP dhe nga një hidrocentral, nga eksportet në rritje dhe nga një ringjallje të kërkesës së brendshme për kreditim. Gjithashtu sipas Canit mineralet tani do të tatohen në bazë të sasive të tyre të deklaruara dhe jo më në bazë të çmimit, si dhe tatimi mbi primet e sigurimit do të rritet në 10 nga 3 për qind që ishte.

Edhe pse panorama është e piktuar me ngjyra optimiste, sërish Fondi Monetar Ndërkombëtar po ushtron masa kontrolluese ndaj qeverisë. FMN-ja i ka bërë thirrje qeverisë për të arritur konsolidimin fiskal dhe uljen e borxhit publik në 66% të PBB-së në 2017 dhe nën 64% në vitin 2018 nga 72.2% që është aktualisht.

Ulja e borxhit publik dhe konsolidimi fiskal janë dy nga sfidat të cilat qeveria duhet t’i adresojë sa më shpejt, duke qenë se ato janë edhe dy pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit.

Shqipëria momentalisht ka nivelin më të lartë të borxhit publik në raport me PBB ndër vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore, me përjashtim të Hungarisë.
Borxhi i Shqipërisë ka arritur në nivelin e 72.2%, një rekord që tregon për një rritje shqetësuese në vitet e fundit. Rritja, e cila ka filluar që nga viti 2008 duke kapur vlerën e 71% në 2014, ka ardhur si rezultat i politikës fiskale pa shumë kontroll nga nevoja për të mbështetur kompaninë shtetërore të prodhimit të energjisë, si dhe nga ndikime të jashtme.

Në fund të vitit 2012, parlamenti vendosi limitin prej 60 për qind të borxhit publik ndaj PBB-së. Në vitin 2013, borxhi publik u rrit edhe më tej, duke arritur në 70.2 për qind të PBB-së, për shkak të pagesave e prapambetura të qeverisë ndaj sektorit privat prej 5.2 për qind.

Ulja e borxhit publik është përfshirë dhe në programin e konsolidimit fiskal të qeverisë, i cili startoi në vitin 2014, si një nga degët kryesore të tij. Borxhi është parashikuar të ulet në nivelin e 60% të PBB në vitin 2019. Konsolidimi i qëndrueshëm fiskal kombinuar me rritje të qëndrueshme të PBB-së pritet ta vënë borxhin publik në një trajektore në rënie.

Kjo rrugë gjithsesi do të jetë shumë e ndjeshme ndaj ndryshimeve në pozicionin e politikës fiskale, rritjes së PBB-së, sa i përket financimit dhe të kursit të këmbimit, si dhe realizimin e detyrimeve të papritura të kushtëzuara nga sektori i energjisë.

 

 Adrian Civici: 3 rrugët për uljen e borxhit

Presidenti i UET dhe eksperti i ekonomisë Prof. dr. Adrian Civici sqaron për Agroweb sfidat që i dalin para qeverië në lidhje me borxhin publik

 Si e shihni nivelin aktual të borxhit publik në Shqipëri. A është ai kërcënues për ekonominë?

Për kushtet e Shqipërisë dhe nivelin ekonomik e social të zhvillimit të saj, niveli aktual i borxhit publik prej 72% është një shifër e lartë dhe vështirësisht e menaxueshme pa cënuar stabilitetin e financave publike dhe investimet publike. Megjithëse Shqipëria rezulton me një përqindje deri diku favorizuese në raportet ndërmjet borxhit të brendshëm në lekë dhe borxhit të jashtëm në valutë të huaj, kryesisht euro dhe dollarë, përsëri, kosto vjetore e shërbimit të borxhit, ku futet pagimi i një pjese të principalit dhe interesat vjetore, është e lartë. Për buxhetin e Shqipërisë, një nivel borxhi prej 72% është një peshë e rëndë, sidomos në kushtet e një rritje ekonomike anemike që nuk e kalon nivelin prej 3%.

Sa e mundshme është që borxhi të ulet në nivelin 60% në dy vitet e ardhshme në një kohë që vjeljet e të ardhurave nga tatim taksat janë në nivele të ulëta (sic dhe konstaton dhe FMN) dhe ndërkohë nuk priten taksa të reja në 2016?

Qeveria shqiptare, edhe nê bashkëpunim me FMN dhe marrëveshjen përkatëse me të, duket se ka një strategji afat-mesme për të hyrë në një trend zbritës apo zvogëlues të nivelit të borxhit publik. Megjithatë, ulja në nivelin 60% duket shumë e vështirë të realizohet, të paktën për 3-4 vitet në vazhdim. Nëse nuk evidentohen tregues të rritjes ekonomike në nivelet 5-7%, ulje e nivelit të informalitetit nën 20% nga 45% që është aktualisht, dhe për pasojë përmirësim drastik të realizimit të të ardhurave në buxhet, mundësisht pa rritur nivelin e taksave, trajektorja e uljes së borxhit i ka të gjitha shanset të jetë mjaft më e ngadaltë se parashikimet.

Cila mendoni se do të ishte rruga më e mirë që qeveria të ulë borxhin dhe t’i japë një shtysë ekonomisë?

Mendoj se janë 3 rrugët më të mira për uljen e borxhit: së pari, rritja ekonomike më intensive në nivelet 5-7%, së dyti, mosmarrja e borxheve të reja dhe mbi të gjitha mos përdorimi i borxheve të reja për të paguar borxhet e vjetra: së treti, lufta ndaj informalitetit dhe plotësimi i objektivave në të ardhurat nga tatimet dhe doganat.