Pjeshkët ndërrojnë stinë

375 0

Kur të dilni për të psonisur në pazar, mos u habisni shumë kur të shihni që në treg të kenë dalë pjeshkët e kajsitë dhe pak më vonë edhe ndonjë kokërr qershi mund ta gjeni. Në disa zona në Peshkopi e Korçë pemët e qershive kanë lulëzuar. Lajthitja e motit me temperatura tejet të larta në janar e shkurt, ka bërë që në tryezat tona të kemi frutat e verës në pranverë.

Zakonisht pjeshkët, qershitë dhe kumbullat janë në një sezon shumë të shkurtër, por në këto kohë kur në dimër temperaturat kapin 27 gradë celcius, bëhet mëse normale që pjeshkët t’i gjesh në mars e prill. Natyra është tronditur nga anomalitë klimatike. Ndërsa në qytet kanë lulëzuar lulet e pranverës, në fshat kanë lulëzuar të gjithë drurët frutorë që janë zgjuar para kohe.

Me këtë pranverë të rreme, është e mundur të gjesh varietete të shumta të “made in Albania” me çmime shumë të mira, duke marrë në konsideratë stinën. Por gjithsesi është e këshillueshme, që të pyesni gjithnjë për origjinën. Pasi vërtet tani në treg ka shegë, por ato janë kryesisht të Egjiptit dhe jo të Shkodrës.

Për konsumatorët, ardhja e parakohshme e frutave të verës, mund të jetë një lajm mirë. Thjesht mendimi që mund të shijosh një pjatë me qershi që në prill të bën të të shkojë goja lëng. Por për fermerët ky është një lajm shumë i keq, pasi drurët frutorë janë shumë të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta, duke bërë që prodhimtaria të ulet.

Bujqësia është ndër sektorët më të ndjeshëm në Shqipëri ndaj ndryshimeve klimatike dhe pa një plan të qartë të politikave bujqësore në përshtatje me ndryshimet e klimës, jetesa e zonave rurale është në risk.

Falë ndryshimeve klimatike, disa zona do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e ndryshimeve ekstreme të motit si i nxehti apo breshëri. Kushtet e papritura të motit vit pas viti, e rrezikojnë seriozisht sektorin, çka reflektohet menjëherë në ekonomi, duke bërë që ajo të tkurret nga ditët e nxehta.

Fermerët mund të humbasin tokat e tyre, duke qenë se dhe temperaturat do të rriten me 1.5 deri në 2 gradë Celcius deri në 2040 duke shkaktuar kështu thatësira. Çka do të thotë më pak tokë dhe më pak ushqim. Pra më pak për të ngrënë. Sasia e reshjeve gjithashtu do të ulet duke ndikuar shumë në sektorin bujqësor. Ky ndryshim drastik i motit është shkatërrues për bujqësinë.

Sipas ekspertëve, disa kultura janë indiferente ndaj të ngrohtit e disa të tjera kërkojnë përkujdes të veçantë për t’u mbrojtur. Megjithatë masat parandaluese duhen marrë në çdo rast. Drurët frutorë në rajone të ndryshme në vend rrezikohen nga temperaturat e larta, ndërkohë që masat e duhura sigurojnë prodhimtarinë e kulturave në serra.
Sipas Z. Niko Rroshani, profesor në Universitetin Bujqësor të Korçës, në rajonin e Korçës, ku kulturat kryesore janë pemët frutore, temperaturat e larta kanë ndikim në uljen e prodhimtarisë. Sipas Profesor Rroshanit, në mënyrë që të mënjanohet sa më shumë rreziku i dëmtimit të pemëve frutore, duhet që të tregohet kujdes me procesin e ujitjes.

Ekspertë të tjerë janë të shqetësuar se ky lulëzim i parakohshëm, mund të jetë shkatërrues, pasi me një luhatje të temperaturave i gjithë prodhimi mund të shkojë dëm. Dhe sakaq, ëndrra për të shijuar frutat e ëmbla të verës që në prill mund të na fashitet me një rrebesh shiu. Kështu është kur vera vjen para kohe dhe në mars dalin pjeshkët.