Elbi – Drithi i Pazëvendësueshëm

1.6k 0

Kur moti është disi i ftohtë, një pjatë më supë të ngrohtë të ngroh zemrën dhe të mbledh stomakun. Por, nëse supës i shton elb, do t’i bësh shëndetit tënd një nder. Elbi është drithi i katërt për nga rëndësia në botë pas grurit, orizit dhe misrit, dhe është po aq i mirë sa tërshëra.

Por nga ana tjetër, elbi ka nivelin më të lartë të proteinave dhe fibrave në krahasim me drithërat e tjerë, nga 17% deri në 30%. Orizi i kafenjtë ka 3.5 përqind fibër, misri 7% fibër dhe gruri 12% fibër. Të mirat e elbit nuk ndalen vetëm tek fibra. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, krundet e elbit janë tejet të pasur me antioksidantë, vitamina dhe minerale. Imagjinoni sa i rëndësishëm është elbi kur elementët antioksidantë të krundeve të tij janë 20 herë më të larta se te mielli i grurit të përpunuar.

Efektet shëndetësore të Elbit

Studimet shkencore kanë zbuluar që konsumimi i elbit ul rrezikun nga shumë sëmundje. Përbërësit e elbit si beta-glukanët ulin kolesterolin, mbajnë nën kontroll nivelin e sheqernave në gjak dhe përmirësojnë funksionet e sistemit imunitar dhe sidomos sistemit tretës.

Studime të tjera të cilave i referohet AgroWeb.org, kanë treguar që elbi ndihmon trupin të përballet më mirë me efektet e kemioterapisë, mjekimit me rreze radioaktive. Ekspertët shpjegojnë që, fibra e tretshme e elbit ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe kancerit të zorrës së trashë.

Për më tepër, elbi të bën të ndihesh i ngopur shpejt dhe ndihmon në rënien në peshë. Gratë në menopauzë që vuajnë nga niveli i lartë i kolesterolit, tensioni i lartë dhe sëmundjet e zemrës duhet të konsumojnë elb të paktën gjashtë herë në javë. Konsumimi i elbit nuk duhet kurrësesi të limitohet vetëm tek gratë në menopauzë, por edhe të njerëzit që vuajnë nga zemra, diabeti, kanceri i gjirit dhe azma.

Elbi është drithi që që i jep vlerën birrës. Përpara se kokrrat e elbit të përdoren për të bërë birrë, duhet t’i nënshtrohen një procesi të njohur si maltim, në të cilin lagështia stimulon proceset natyrale brenda grurit.

Malto e elbit i jep birrës ngjyrën e saj, aromën e veçantë, proteinat dhe çfarë është më e rëndësishme, sheqernat natyrore të nevojshme për fermentimin. Roli i elbit në prodhimin e birrës është i barabartë me rolin e rrushit në prodhimin e verës: pra thelbësor. Malto e elbit vjen në një larmi të ngjyrave, shijeve, dhe shkallës së maturimit, që ndikojnëeuml; thellësisht në ngjyrën dhe shijen e birrës.

Si mund ta konsumoni Elbin?

Ajo që çdo konsumator duhet të dijë është që lëngu dhe mielli i elbit janë shumë të mirë dhe të shëndetshëm. AgroWeb.org ju tregon se elbin mund ta konsumoni si orizin, sepse kanë një ngjashmëri të madhe. Një kupë elbi e gatuar përmban 193 kalori, 6 gramë fibra dhe 3.5 gramë proteina.

Origjina e Elbit

Elbi është zbuluar në Etiopi dhe në Azinë Juglindore ku është kultivuar prej më shumë se 10,000 vjetësh. Megjithatë, shkencëtarët kanë zbuluar fara më të hershme të elbit në disa zona të Izraelit, plot 23,000 vjet më parë. Elbi është një bimë që përshtatet mjaft lehtë me kushtet e motit. Ajo rritet si në Arktikun e ftohtë, Etiopinë tropikale dhe në malet e Andeve të Amerikës Jugore. Elbi ka luajtur një rol të rëndësishëm në Greqi dhe në Romën e lashtë. Gladiatorët e asaj kohe njiheshin si hordearii që përkthehet “ata që hanë elb”sepse ky drith u jepte atyre shumë fuqi. Në Kinën e lashtë, elbi ishte simbol i burrërisë. Në ditët e sotme, prodhuesit më të mëdhenj të elbit janë Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Gjermania, Franca dhe Spanja. /AgroWeb.org/