Ngjyruesit Ushqimorë – Si t’i Kontrolloni Etiketat

787 0

Çdo gjë natyrale për fëmijët tanë është më e mirë se një ushqim i modifikuar, me ngjyra e aroma joshëse.

Lidhjet e ngjyruesve ushqimore me shkaktimin e shumë sëmundjeve, përfshirë edhe kancerin, i kanë detyruar organizatat ndërkombëtare të marrin masa për të detyruar prodhuesit të kontrollojnë me reptësi masën e ngjyruesve në ushqime.

E pyetur nga AgroWeb, nutricionistja Rolina Naco na shpjegon në detaje ushqimet që duhet t’i shmangim, zëvendësuesit natyralë dhe rolin e këtyre ngjyruesve në trupin e fëmijëve.

Ngjyruesit e dëmshëm

“Përdorimi i lëndëve shtesë si konservues, antioksidues, aromatizues por edhe ngjyrues, kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme nga organizata kontrolluese si FDA e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe nga Komisioni Europian.

FDA ka paraqitur një ngjyrues Yellow 5 (E verdha No.5) që është e lidhur me reaksione alegjike në raport 1 në 10.000 persona thotë Naco, duke shtuar se nga ana tjetër, disa studime nuk janë dhe aq qetësuese përsa i përket përdorimit të ngjyruesve, pasi i kanë lidhur ato me një mori problemesh shendetsore.

“Një ngjyrues i quajtur Blue 1 që ndodhet te akulloret, ëmbëlsirat, por dhe në pije te ndryshme si ato me alkool, por edhe ato pa alkool e që konsumohen shpesh nga fëmijët konsiderohej me rrezik të ulët.

Por një studim tjetër konkludoi se Blue 2 po në të njëjtën kategori si lëndë ngjyruese, lidhet me tumorin e trurit, kjo sipas eksperimenteve që u bënë në laborator.

Red 40 një tjetër ngjyrues që gjendet te ushqimet e procesuara si patatina dhe ushqime të tjera krokante me bazë drithrash të përpunuara, kryesisht të konsumuara nga fëmijët është lidhur me simptoma si hiperaktivitet tek fëmijet, agresivitet, nervozizëm dhe mungesë përqendrimi, kjo e lidhur dhe me lëndët konservuese që ndodhen te këto ushqime. Yellow 6, një ngjyrues tjetër që ndodhet te ëmbësirat, salçiçet, pijet me gaz, lidhet me tumorin në veshka dhe mbiveshkoret.

Yellow 5 është lidhur me alergji, azëm, migrene, ankth dhe probleme në sjellje.

Sipas një studimi në universitetin e Kalifornisë u vërtetua se pjesa më e madhe e ngjyruesve kanë lidhje me dobësimin e sistemit tonë imunitar që na mbron nga sëmundjet, infeksionet dhe inflamacionet”, sqaron studiuesja shqiptare.

Si ti dalloni

E pyetur se si mund t’i dallojmë ngjyruesit e nivelet e tyre në etiketat ushqimore, ajo shprehet se në etiketat e ushqimeve lëndët që janë shtesë si ngjyrues, aromatizues, konservues, mund të shënohen me kode si për shembull E dhe një numër.

Për lëndët që përdoren për ngjyruese kodet janë nga E 100 deri në E199.

Rolina Naco na bën me dije edhe për ngjyruesit që nuk duhet të konsumohen nga fëmijët e që kur t’i shihni në etiketë t’i evitoni.

Këto ngjyrues janë Ε102, Ε104, Ε107, Ε110, Ε112, Ε122, Ε123, Ε124, Ε127, Ε128, Ε131, Ε132, Ε150, Ε151, Ε154, Ε155, Ε160.

“Bëhuni të vëmendshëm dhe lexoni etiketën e çdo ushqimi të paketuar para se ta blini dhe nëse shkruajnë Red 3, Red 40, Yellow 5, Yellow 6, Blue 1, Blue 2, Green 3 dhe Orange B, më mirë evitojini.

Disa firma industriale përdorin emrin Allura Red AC në vend të Red 40, eritrosine (E 127) në vend Red 3, tartrazin ose (E 102) ne vend te Yellow 5 dhe indigotin (E132) ne vend të Blue 2”, thotë nutricionistja duke shtuar se duhet të evitojmë ushqimet që kanë ngjyrë shumë të fortë e që shkëlqejnë, pasi ngjyruesit natyral nuk janë ashtu.

Ndërkaq, dietologia Rolina Naco tregon për AgroWeb edhe rrugën e duhur për të ushqyer fëmijët sipas tabelës më poshtë, në mënyrë sa më të shëndetshme duke insistuar se, ushqimet sa më natyrale organizmi i të vegjëlve i percepton më mirë, ndërsa sugjeron se në supermarket zgjedhjet të mos i lihen në dorë fëmijëve, të cilët joshen pikërisht nga ngjyruesit e bukur ushqimorë./AgroWeb.org 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.