Supë Pule për Një Drekë të Shëndetshme

2.7k 0

Kjo supë fantastike është kombinimi ideal i vlerave më të mira ushqimore.

Supa me mish pule dhe patate është mënyra më e mirë për t’u ushqyer shëndetshëm dhe lehtë ndërsa shija fantastike e saj ngroh dhe shplodh organizmin duke i ofruar atij energji dhe forcë.

Është supa që përherë nënat dhe gjyshet tona kujdesen të gatuajnë jo vetëm për një vakt të mirë dreke apo darke por sidomos në rastet kur ftohemi apo na zë gripi.

Tani moti është ftohur dhe ditët janë më të shkurtra.

Me hir apo pahir e kemi përqafuar vjeshtën dhe po bëhemi gati për ditët më të ftohta të dimrit.

AgroWeb.org ka publikuar një sërë artikujsh dhe recetash të shijshme të cilat mund të ofrojnë ngrohtësi në këto ditë të freskëta.

Një prej tyre është edhe receta e supës së shijshme me pulë dhe patate që gatuhet ngadalë.

E servirur e ngrohtë me pak bukë të thekur dhe e shoqëruar me një sallatë perimesh apo gjelbërishtesh, kjo pjatë jo vetëm që është një vakt ideal i shëndetshme por shumë i shijshëm gjithashtu.

Përgatitja e Supës me Pulë e Patate

Përbërësit

  • 500 gramë mish të zhveshur nga kockat e kofshëve të pulës
  • 500 gramë patate të qëruar dhe prerë në copa
  • 2 filxhanë e gjysëm me kokrra misri të ëmbël
  • 2 filxhanë e gjysëm me lëng pule
  • 1 lugë çaji me hudhër pluhur ose të shtypur
  • 1 lugë çaji me qepë pluhur ose të shtypur
  • 1 lugë çaji me spec djegës pluhur
  • 1 lugë çaji me piper të kuq
  • Gjysëm lugë çaji me koriandër të thatë
  • Çerek luge çaji me kripë  ose më shumë sipas shijes.
  • Gjysëm gote me krem pana

Udhëzimet

Hidhini të gjithë përbërësit përveç kremit pana në një tenxhere.

Mbulojeni me kapak dhe lërini të gatuhen ngadalë për 2 orë në temperaturë të lartë ose 3 orë në temperaturë të ulët.

Nëse keni tenxhere me programim mund të zgjidhni opsionin e gatimit të ngadaltë, në të kundërt shtoni ujë herë pas here që të mundësoni zierjen e njëtrajtshme të produkteve.

Pasi gatimi të jetë përfunduar, mishin e pulës shpërbëjeni me duar dhe ndajeni në copa të imëta.

Hidheni sërish në tenxhere dhe shtoni krem panën në përfundim. Servireni të ngrohtë dhe shtoni erëza e majdanoz sipas dëshirës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.