Nga Delikatesa Shqiptare – Amareta Gjysmë Hënëza

2.2k 0

Amaretat gjysmë hënëza janë ëmbëlsirat e dashura të gatuara nga amvisat shqiptare prej kohësh.

Të shkrifëta, të buta dhe të mbuluara me sheqer pluhur amaretat janë ndër ëmbëlsitë fantastike të traditës shqiptare.

Këto ëmbëlsira të vogla plot butësi jo vetëm që kanë qenë pjesë e gostive të amvisave shqiptare për miqtë e mysafirët por njëkohësisht më të dashurat e fëmijëve dhe të rriturve për t’u shijuar në familje.

Sidomos tani në periudhën e festave, amaretat janë ideale për të ëmbëlsuar më të dashurit dhe miqtë.

Ato përgatiten krejt lehtë dhe kanë një shije fantastike.

Amaretat janë ideale për t’u shoqëruar me kafe apo çaj të ngrohtë, në çdo kohë të ditës.

Por gjithashtu ato mund të shoqërohen mjaft mirë me fruta të ndryshme veçanërisht me mollë apo agrume, si portokallet dhe mandarinat.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë një recetë të thjeshtë të përgatitjes së amaretave në shtëpi për të ëmbëlsuar gjithë familjen në këto ditë festash.

Përgatitja e Amaretave në Shtëpi

Përbërësit

  • Një filxhan çaji e gjysmë çaji me gjalpë të freskët
  • Një filxhan e çerek çaji me margarinë
  • 3 vezë të freskëta
  • Një filxhan çaji me sheqer
  • Një filxhan sheqer pluhur për spërkatje
  • Një lugë kafeje sodë
  • Një lugë kafeje vanilje
  • Një kg miell
  • Një filxhan e gjysmë çaji bajame të grira
  • Një filxhan çaji e gjysmë me ujë

Përgatitja

Në një tas të madh shtojmë margarinën, gjalpin dhe sheqerin dhe i përzjejmë bashkë derisa të krijohet një masë homogjene.

Më pas shtojmë vezët dhe i përzjejmë për disa minuta derisa të masa të njëtrajtësoshet.

Në vijim, shtojmë miellin, sodën, vaniljen e bajamet  i trazojmë derisa të krijohet brumi.

E lëmë brumin të pushojë dhe në vijim e hapim në tavolinën e punës në formën e një pete të trashë rreth 1 cm dhe përmes një gote të vogël pijeje krijojmë format e gjyzmëhënëz.

Pasi kemi bërë format, i vendosim në një tepsi të lyer në vaj ku kemi shtruar një letër pjekjeje dhe i fusim në furrë për 25-30 minuta.

Pas pjekjes i nxjerrim nga furra, i hedhim pak ujë që të zbuten dhe u spërkasim sipër sheqer pluhur.

Nëse dëshironi mund t’i spërkasni edhe me pak kanellë./AgroWeb.org

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.