Zog Fshati me Pilaf në Tavë Balte – Shije nga Tradita

3.8k 1

Një aromë e mrekullueshme që mbush gjithë shtëpinë, e që të ndjell me shijen fantastike për t’iu drejtuar menjëherë tryezës së ngrënies.

Një nga traditat e hershme të kuzhinës shqiptare, tipike e fshatrave në të gjithë vendin. Dikur ky gatim përgatitej nga gratë e fshatit kur shtëpinë e vizitonin mysafirë.

Sot, kjo recetë është shndërruar ndër më populloret e restoranteve tradicionalë shqiptare, shija e të cilës lë pa mend këdo që e provon veçanërisht turistët e huaj.

Një kombinim perfekt i mishit të njomë të zogut të fshatit dhe pilafit të shkrifët të përgatitur me lëngun e tij.

I plotësuar me domate të freskëta, erëza të ndryshme të freskëta, kjo pjatë i lë pak vend fantazisë për shijen e saj pasi të përfshin tërësisht ndërsa të tërheq së bashku nepsin dhe oreksin.

Ky gatim shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me më të mirat zahire të kuzhinës shqiptare, duke nisur nga turshitë e përgatitura vet, tek salca e freskët e kosit, e patatet e furrës dhe deri tek sallatat e freskëta si ajo jeshile, spinaq e rukola apo edhe perimet e pjekura apo të zgarës.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e kësaj recete tradicionale krejt lehtë në shtëpi. Ideale do të ishte përgatitja e saj në tavë balte por padyshim me një shije të mrekullueshme ajo përgatitet edhe në një tavë të zakonshme pjekjeje.

Përgatitja e Zogut të Fshatit me Pilaf

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • Zog fshati 500 gr
  • Oriz 500 gr
  • Gjalpë 3-4 lugë gjelle
  • 2-3 kokrra domate të freskëta (mund t’i shtoni sipas preferencës)
  • Kripë
  • Piper

Përgatitja

Zogu përcëllohet në zjarr në mënyrë që të pastrohet plotësisht nga mbetjet e pendëve.

Pastrohet dhe lahet me ujë të rrjedhshëm dhe më pas ndahet në copa.

I hidhet kripë dhe piper nga brenda dhe jashtë  dhe skuqet me gjalpë nga të gjitha anët.

Herë pas here i hidhet pak ujë që të mos ngjitet lëkura.

Kur të skuqet mirë shtohen domatet (nëse preferoni mund ta përgatisni këtë recetë edhe pa domate).

Kontrollojeni për kripë dhe piper nëse ka nevojë për t’i hedhur akoma apo jo. Hidhini ujë derisa të mbuloheni dhe lëreni të zjejë për 30 minuta.

Më pas, në një tavë shtoni orizin dhe kaurdiseni me pak gjalpë duke e futur në furrën e parangrohur më parë.

Kaurdiseni për 4-5 minuta derisa orizi të ketë marrë plotësisht nxehtësinë e furrës dhe të jetë zverdhur pak.

Në tavën me oriz shtoni copat e zogut të fshatit, si dhe lëngun e zogut në masën 1 gotë oriz dhe dy gota lëng.

Futet në furrë dhe piqet derisa orizi të përthithë lëngun e zogut të fshatit. Kujdesuni që tavën të mos e lini të thahet shumë dhe kur ta hiqni nga furra orizin ta kaurdisni me pak gjalpë të freskët./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.