Peshk i Pjekur me Oriz dhe Sallatë me Brokoli e Lulelakër

2.2k 0

Një recetë e mrekullueshme, e pasur në shije dhe vlera ushqyese.

Ideale për një drekë të shijshme, e kombinuar me peshk të pjekur e oriz dhe shoqëruar me sallatë të freskët me brokoli e lulelakër.

Ndiqni të gjithë hapat nga AgroWeb.org për të përgatitur këtë specialitet fantastik dreke e për të mbledhur gjithë familjen rreth tryezës.

Përgatitja e Peshkut me Oriz dhe Sallatës me Brokoli

Përbërësit

  • Peshk i freskët Koc ose Levrek (Lloji i peshkut përzgjidhet sipas preferencës dhe sasia e tyre sipas numrit të personave për të cilët do gatuhet)
  • Limonë të freskët
  • Vaj ulliri
  • 250 gr oriz
  • 1 karrotë
  • 1 kokërr qepë e thatë e vogël
  • 1 kungull i njomë i vogël
  • 250 gr brokoli
  • 250 gr lulelakër
  • Kripë
  • Majdanoz
  • Piper i zi

Për Përgatitjen e Sallatës  

Vendosni një tenxhere me ujë në zjarr dhe lëreni të vlojë.

Në momentin që uji nis të vlojë shtoni brokolit dhe lulelakrat e pastruara dhe të ndara në degëza.

Lërini të ziejnë për 5-7 minuta dhe largojini nga uji.

Lëngun e tyre mbajeni mënjanë për ta përdorur për përgatitjen e orizit.

Pasi të jenë ftohur pak, brokolit dhe lulelakrat marinojini me kripë, lëng limoni dhe vaj ulliri.

Për përgatitjen e Orizit

Vendosni një tigan në zjarr, shtoni vaj ulliri dhe qepën e grirë shumë hollë. Kaurdisini pak sekonda e më pas shtoni perimet e prera në kubikë, për më shumë shije AgroWeb.org ju sugjeron të shtoni edhe një grusht bizele.

Kaurdisini të gjitha për pak dhe më pas shtojmë orizin.

Kaurdisini derisa orizi të skuqet. Shtoni kripën, piperin e më pas lëngun e perimeve i cili në këtë rast duhet të jetë në përmasën 500 ml. Pra, në raportin 1 me 2 .

E lëmë të ziejë për 10 minuta, më pas orizin e kalojmë në një tavë dhe e fusim të piqet në furrë për 15 minuta.

Pas 15 minutash e lëmë edhe pak në nxehtësinë e sobës dhe e nxjerrim nga furra duke e mbuluar me një letër pjekjeje.

Furrën nuk e fikim pasi do ta përdorim për pjekjen e peshkut.

Për përgatitjen  e Peshkut

Peshkun e pastrojmë mirë me ujë të rrjedhshëm, përmes një thike të mprehtë i bëjmë dy-tre prerje anash në të dyja anët.

E kriposim, nëse preferoni mund të shtoni pak rozmarinë dhe gjethe dafine në mesin e të prerave.

Prisni një limon në feta të holla dhe vendosni dy feta brenda secilit peshk.

Vendosini peshqit në një tavë, ku keni shtruar më parë letër pjekjeje të lyer me vaj ulliri.

Spërkateni peshkun me pak vaj ulliri dhe lëng limoni dhe futeni të piqet në furrën  e parangrohur derisa të marrë ngjyrën e artë të pjekjes.

Pasi është pjekur, peshkun mund ta vendosni mbi orizin e përgatitur dhe ta lini dhe 10 minuta brenda në ngrohtësinë e furrës së fikur dhe më pas servireni duke e spërkatur sipër me pak majdanoz të grirë hollë. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.