Zupa Shtëpie me Kakao – Receta e Ëmbël Plot Shije

4.8k 0

Zupa shtëpie, një ëmbëlsirë krejt e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me arra, reçel dhe biskota për të kënaqur shijen në çdo kohë të ditës.

E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.

Fantastike në servirjen e saj si gosti në mikpritjen e miqve ashtu si edhe në servirjen e saj në fund të drekave e darkave familjare.

Një shije krejt tjetër, kremoze falë qumështit si përbërës kryesor të saj dhe e pasuruar me disa nga përbërësit më të shijshëm të kuzhinës, arrat e biskotat e thërrmuara si dhe reçeli unik shqiptar i qershisë gjithashtu.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së zupave. Kjo është një ëmbëlsirë që përgatitjen krejt lehtë dhe shpejt për të ëmbëlsuar familjen dhe më të dashurit gjithashtu.

Përgatitja e Zupave në Shtëpi

Përbërësit 

  • 1.5 litra qumësht
  • 2 të verdha veze
  • 10 lugë sheqer
  • 7 lugë niseshte
  • 1 lugë kafeje vanilje
  • 1 pako biskota të thjeshta të thërrmuara
  • 3-4 lugë gjelle me majë me kakao
  • Një grusht arra të thërrmuara
  • Reçel qershie
  • Kanellë

Përgatitja

Si fillim në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy të vërdhat e rrahura të vezëve me sheqerin, kakaon dhe niseshten.

Gjithë masën e përzjejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze.

Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përzjejmë për pak sekonda.

E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave.

I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me biskota të thërmuara dhe pak reçel qershie.

Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë me biskota të thërmuara, arra dhe nga një lugë të vogël me reçel qershie.

Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.