Supë me Lëng Turshish – Receta më e Veçantë që Duhet të Provoni

843 0

Supa e përgatitur me lëng turshish është kombinimi më perfekt për shijen por edhe shëndetin e organizmit gjithashtu.

Ky është një gatim special që me siguri do t’ju kënaqë nepsin dhe oreksin sapo ta provoni.

E veçanta e kësaj recete është përgatitja e saj me lëng turshish, ku në këtë gatim do t’ju duhen turshitë e kastravecit dhe lëngu i tyre.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, sallata të freskëta të stinës, byrekë shtëpie, perime të pjekura etj.

Më poshtë, do të gjeni nga AgroWeb.org recetën fantastike të përgatitjes së kësaj supe me shije të mrekullueshme, që me siguri do përfshihet në menunë e recetave dhe gatimeve të shtëpisë suaj.

Përgatitja e Supës me Lëng Turshish

Përbërësit

 4 kastraveca turshi

2 filxhan çaji me lëng kastraveci turshi

2 patate mesatare të prera në kubikë

2 karrota të prera në kubikë

2 lugë gjelle miell gruri

600 ml lëng pule (ose ujë)

1 filxhan çaji me qumësht

2 lugë gjelle gjalpë

Vaj ulliri

Kripë, piper, majdanoz i freskët

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni një tenxhere në zjarr.

Shtoni aty gjalpin dhe vajin e ullirit, karrotat e patatet e prera në kubikë. Kaurdisini për dy minuta, më pas shtoni kastravecat e prera në feta ose kubikë.

Kaurdisini të gjitha bashkë.

Më pas, shtoni lëngun e pulës ose ujë, lëngun e turshive dhe lërini të ziejnë sa të marrin një valë dhe patatet e karrotat të jenë zbutur.

Shtoni kripën në sasinë e preferuar.

Ndërkohë, në një tigan, hidhni pak vaj ulliri, shtoni miellin dhe kaurdiseni në zjarr derisa të marrë një ngjyrë të verdhë të artë, hiqeni nga zjarri dhe në këtë moment shtoni qumështin.

Përziejeni mirë në mënyrë që e gjithë masa të bëhet e njëtrajtshme dhe të mos krijohen kokrriza.

Shtojeni masën e miellit dhe qumështit tek supa duke e trazuar në zjarr të ngadaltë për disa minuta derisa supa të trashet dhe më pas largojeni nga zjarri.

Spërkateni me piper dhe majdanoz të freskët të grirë hollë dhe gati për t’u shërbyer./AgroWeb.org