Zhvillohet Ceremonia e Ndarjes së Çertifikatave të Standardeve Ndërkombëtare për Agrobizneset në Dibër të Madhe

614 0

Agrobizeset e Dibrës së Madhe, pjesë e projektit ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Shqipëri, financuar nga Bashkimi Europian, morën sot Çertifikatat për Standarde Ndërkombëtare të Produkteve dhe Sigurisë Ushqimore, që do të shërbejnë si pasaportë cilësie për eksportin e produkteve në tregjet evropiane.

Ceremonia u mbajt në ambjentet e Këshillit të Komunës të Dibrës së Madhe, ku u bë edhe ndarja e çertifikatave të mirënjohura ndërkombëtare mbi cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore për pesë agrobizneset e para të kësaj zone.

Z. Dalip Qoku Prodhues Mjalti, Z. Pajtim Daci Prodhues Djathi, Z. Besnik Batku Prodhues Erëzash (MIRI-KOM), Z. Abdulla Papraniku BABAS MILL dhe Z. Albert Kolonja, Kolonja’s Restaurant ishin përfituesit direkt të këtij projekti ndërkufitar të cilët nëpërmjet çertifikimeve Organik dhe HACCP përfitojnë garancinë ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë për produktet e tyre.

Eventi u zhvillua me prezencën e përfaqësuesve të Komunës Dibër, bashkëpunëtorë nga Ministria e Bujqësisë, agrobiznese dhe fermerë përfitues të projektit si dhe përfaqësues nga partnerët zbatues, CBS Creative Business Solutions dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Ai solli në fokus rëndësinë e iniciativave për zhvillimin rajonal, promovimin dhe rritjen ekonomike të zonës së Dibrës së Madhe dhe Dibrës në Shqipëri, realizuar përmes mbështetjes direkte të fermerëve dhe agrobizneseve, çertifikimeve të suksesshme të tyre duke i hapur rrugë zgjerimit të tregut dhe progresit të ekonomisë.

Znj. Fotjona Tace, përfaqësuese e CBS dhe njëkohësisht Menaxhere e Projektit theksoi se: ‘Projekti sjell impakt të dukshëm jo vetëm në ekonominë lokale, por dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së përbashkët rajonale. Aktualisht, janë pranë finalizimit të procesit për marrjen e e çertifikatës së cilësisë dhe 15 agrobiznese në rajonin që mbulon ky projekt.

Çertifikimet do të rrisin ndjeshëm operacionet dhe të ardhurat e shitjeve për agrobizneset, duke mundësuar akses të gjerë në tregjet rajonale dhe Europiane. Me mbështetjen e Delegacionit Evropian në Shkup do të vijojmë të ofrojmë asistencë direkte për këto agrobiznese me anë të shërbimeve të integruara marketing’

Gjithashtu, përfaqësuesi i Komunës Dibër, Z. Erduan Kllobucishta nënvizoi se: ‘Impakti ekonomik i çertifikimeve të produkteve të zonës tonë me standarde ndërkombëtare të sigurisë ushqimore, që garantojnë produkte tërësisht natyrale dhe organike, do të jetë shumë i madh, jo vetëm përsa i përket tregut lokal por edhe atij rajonal dhe më gjerë’.

Në vijim, Z. Kllobucishta shprehu falenderime për Delegacionin e Bashkimit Europian në Shkup, i cili ndihmon dhe promovon zonën e Dibrës së Madhe dhe të rajonit nëpërmjet projekteve të tilla me ndikim kaq të lartë ekonomik dhe social.

Përfaqësuesit e agrobizneseve të çertifikuara shprehën mirënjohjen për mbështetjen e marrë nga ky projekt, duke theksuar se falë çertifikimeve ndërkombëtare, produktet e tyre kanë tashmë mundësinë të konkurojnë sukseshëm jo vetëm në tregun vendas, por edhe drejt tregut rajonal dhe atij Evropian.

Standartet Bujqësore dhe Çertifikimet, Ndërtimi i Kapaciteteve Mbi Përthithjen e Financimit dhe Strategjitë e Marketingut në Mbështetjen e Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë’ është një projekt 2-vjeçar i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Shqipëri, implementuar nga Partneri Lider CBS Creative Business Solutions në partneritet me Komunën e Dibrës dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Projekti synon të forcojë sektorin e bujqësisë, kapacitetin prodhues të NVM-ve dhe qasjen në treg nëpërmjet Certifikimit të Standardeve të Sigurisë Ushqimore, Ngritjes së Kapaciteteve për të absorbuar fondet e BE- për Investime te reja si dhe zhvillimin e Strategjive të Marketingut./AgroWeb.org