A Është e Sigurt Salca e Konservuar e Domateve – Mësoni Çfarë i Shkakton Organizmit

3.6k 0

Salca e domates është pjesë e pothuajse çdo gjelle që gatuan një amvisë shqiptare në përditshmërinë e saj.

Në disa raste, amvisat përdorin salcën e bërë në kushtet e shtëpisë por ka të tjera që për lehtësi pune e blejnë atë në paketime të servirura në market.

Salcat e gatshme të domateve i gjejmë në treg në dy paketime kryesore: shishe qelqi ose kanaçe.

Paketimet e qelqit janë gjithnjë më të sigurta për shëndetin ndërsa ato metalike janë të rrezikshme, thonë ekspertët.

Arsyet e Vlefshme Përse Nuk Duhet Të Blini Salcë Në Kanaçe

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, shtresat e brendshme të kanaçeve metalike apo plastike përbëhen nga një substancë e rrezikshme kimike që njihet si bisphenol-a.

Kjo substancë mund të çlirohet në ushqime dhe pije dhe përbën rrezik për shëndetin e organizmit.

Prania e kësaj substance në organizëm mund të shkaktojë:

Probleme hormonale,

Dëmtime në shëndetin riprodhues,

Rrezik të lartë të sëmundjeve të rrezikshme,

Rrezik të problemeve mendore tek foshnjet, kur salca konsumohet gjatë shtatzanisë.

Kjo substancë bëhet akoma më e rrezikshme kur ekspozohet tek domatja.

Domatet kanë një aciditet të lartë që përbën terrenin e duhur për këtë substancë kimike.

Për pasojë salcat e domateve në paketim plastik ose metalik nuk duhen konsumuar, për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe të fëmijëve.

Përveç domateve, frutat, supat dhe perimet e konservuara në paketime të tilla duhet të qëndrojnë larg tryezës së familjes.

Fama e keqe e kësaj substance ka detyruar shumë prej kompanive në industrinë ushqimore të nxjerrin produkte me etiketa të ndryshme ku pretendohet se kjo substancë nuk përdoret më.

Megjithatë, ekspertët argumentojnë se industria ushqimore ka bërë një zëvendësim të BPA-së me kimikate të tjera, ndaj AgroWeb.org ju këshillon të keni kujdes.

Si Të Përgatisni Salcën e Domates Në Shtëpi

Salca e domates e bërë në shtëpi funksionon më së miri për të gjitha gatimet tradicionale, supa, pikante apo të pjekura.

Për përgatitjen e 600 gramë salce ju nevojiten:

4-5 kg domate mesatare

2 lugë gjelle me vaj ulliri

1-2 lugë çaji me kripë, sipas dëshirës

Gjysëm luge çaji me lëng limoni

Ndizeni furrën në 170 gradë.

Prijini domatet në copa dhe hidhini ato në një tenxhere së bashku me vajin e ullirit.

Lërini të ziejnë në zjarr mesatar deri sa domatja të zbutet dhe lëkura të shkëputet nga tuli.

Kalojeni në rende dhe tulin përziejeni me kripë dhe lëng limoni.

Më pas këtë salcë hidheni në tepsitë përkatëse ku keni shtruar letra pjekjeje dhe futini ato në furrë.

Pas 3 ose 4 orësh, salca konsiderohet e bërë, kur domatet kanë një ngjyrë të thellë dhe sasia e saj është përgjysmuar.

Hidheni salcën në kavanozë të vegjël, duke lënë një hapësirë rreth 2 centimetra nga pjesa e grykës.

Kavanozët mund t’i fusni në frigorifer dhe në ngrirje duke e mbuluar salcën me vaj ulliri.

Nëse dëshironi ta ruani për konsum afatshkurtër, ruajeni në frigorifer për 3 deri në 4 javë.

Në të kundërt vendoseni në ngrirje ku mund ta ruani për 9 muaj./AgroWeb.org