Biskota të Buta në Tigan – Gati në Vetëm 20 Minuta

2.6k 0

Një ndër ushqimet më të dashura për fëmijë e të rritur pa dyshim që janë biskotat.

Megjithëse në dyqane e supermarkete mund të gjeni një shumëllojshmëri të tyre, aroma e atyre që përgatiten në shtëpi është e mrekullueshme.

Nëse e kujtoni ende me dashuri aromën e biskotave të gjyshes, receta e sotme do t’ju kënaqë pa masë.

Në këtë recetë AgroWeb.org ju tregon një metodë të shpejtë të përgatitjes së tyre.

Të shpejta, plot shije dhe aromë, biskotat në tigan do të jenë ëmbëlsira juaj e preferuar që përgatitet vetëm në 20 minuta.

Më poshtë gjeni të shpjeguar hap pas hapi mënyrën e saktë të gatimit të tyre.

Përbërësit

  • 100 gr miell
  • 50 gr niseshte misri
  • 65 gr sheqer
  • 60 gr gjalpë pa kripë
  • 4 gr fryrës për ëmbëlsira
  • 2 lugë gjelle lëng portokalli

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të zgjidhni një enë të thellë.

Në të hidhni fillimisht miellin dhe niseshtenë duke i përzier për disa sekonda bashkë me lëngun e portokallit me një pirun ose lugë.

Më pas shtoni në qendër edhe fryrësin për ëmbëlsira, sheqerin dhe disa copa gjalpë në temperaturë ambienti.

Përzjejini mirë të gjithë përbërësit me anë të një luge derisa të përfitoni një masë kompakte dhe pa kokrra.

Futeni enën me brumin e krijuar në frigorifer për 10-15 minuta dhe më pas vendoseni brumin në një sipërfaqe të gjerë, të drejtë.

Me anë të një petësi hapni brumin duke krijuar një petë mesatare , të trashë rreth 2-3 cm.

Prisni biskotat në formën që dëshironi derisa i gjithë brumi të mbarojë dhe ndërkohë vendosni në zjarr një tigan të thellë që nuk ngjit.

Kur tigani të jetë i nxehtë, vendosni biskotat tuaja njëra pas tjetrës dhe lërini për disa minuta duke i mbuluar ato me kapak derisa të marrin ngjyrën e duhur.

Kthejini me kujdes nga të dyja anët dhe kur të kenë marrë pamje të artë, hiqini nga zjarri dhe spërkatini me pak sheqer pluhur sipër sipas dëshirës.

Mund t’i shoqëroni edhe me reçel qershie apo luleshtrydhesh për një shije akoma më të mrekullueshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.