I Nxehti Ekstrem Deri në 42 Gradë – Çfarë Pritet Këtë Javë

396 0

Ditët e fundit në Shqipëri kanë qenë më të nxehtat të regjistruar për këtë vit me temperaturën më të lartë të regjistruar në Kuçovë 42 gradë dhe në qytetin e Elbasanit me 41.5°C.

Gjithashtu, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, të cilit i referohet AgroWeb.org temperatura të larta termometri shënoi edhe në vende të tjera si Gjirokastër 40.4°C si dhe Berat e Tiranë me 38.0°C.

Çfarë pritet në vijim?

Kryefjala e javës do të jetë moti i kthjellët. Përjashtim bën dita e Mërkurë dhe ajo e Enjte ku pritet depërtimi i masave ajrore relativisht të paqëndrueshme me origjinë perëndimore.

Moti do të jetë kryesisht i kthjellët por do të ketë edhe prezencë të vranësirave kalimtare shoqëruar me reshje shiu në formë shtrëngatash (dita e Mërkurë) në zonën e veriut.

Dita e Enjte do të ketë vranësira kalimtare të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të izoluara.

Gjithashtu vlen për t’u theksuar se edhe sot e nesër pritet të jenë ditë të nxehta me temperatura të larta (në vlerat e mesditës 40-42°C)

Me kalimin e ditëve pritet tërheqja e masat ajrore me origjinë nga Afrika e Veriut me temperaturat e mesditës të cilat do të zbresin në vlerat e tyre normale për periudhën në të cilën ndodhemi.

AgroWeb.org rekomandon qytetarët të tregohen të kujdesshëm në ekspozimin e tyre në mjedise të hapura gjatë orëve të mesditës.

Më problematike do të jenë zonat Shkodër-Lezhë, Tiranë-Elbasan, Berat-Kuçovë dhe Gjirokastër.

Shihni tabelën nga Shërbimit Meteorologjik Ushtarak për 5 ditët në vijim.

Parandalimi i Problemeve

Me rritjen e temperaturave është e rëndësishme që njeriu të parandalojë problemet që vijnë prej tyre.

Mbajeni trupin të freskët nëpërmjet këtyre strategjive të listuara më poshtë nga AgroWeb.org:

Qëndroni në ambiente të brendshme gjatë pikut të vapës;

Kur jeni në ambiente të jashtme, mundohuni të qëndroni në hije;

Pini 2-4 gota me ujë tepër çdo orë kur jeni të ekspozuar ndaj vapës;

Vishni rroba të lehta prej pambuku;

Lahuni me ujë të vakët;

Mbani kapele;

Shmangni pije dehidratuese me alkol dhe kafeinë;

Kaloni një pjesë të ditës në një ambient me ajër të kondicionuar.

Të qënit të informuar për simptomat e drobitjes nga vapa dhe goditjes nga dielli është një hap i rëndësishëm drejt sigurisë dhe shëndetit./AgroWeb.org