Arsyet Përse Shqiptarët Konsumojnë Më Shumë Ilaçe

862 0

Biznesi i farmaceutikës mesa duket është në një periudhë lulëzimi.

Sipas të dhënave ku bazohet AgroWeb.org, rezulton se importete ilaçeve u rritën me 21% gjatë 7-mujorit 2019.

Rritja e konsumit po reflekton rritjen e sëmundshmërisë, plakjen e popullsisë dhe medikamentet jocilësore me çmime të lira.

Mjekët pohojnë se kanë rritur dozimin, për shkak se cilësia e ilaçeve ka rënë.

Ekspertët e sektorit të shëndetësisë japin disa arsye për rritjen e përdorimit të medikamenteve ku, rritja e sëmundshmërisë qëndron në krye.

Çmimi i Ulët i Medikamenteve

Mjeku pneumolog, Skënder Male, ka thënë për revistën Monitor se mjekët përfshijnë më shumë produkte në receta që shërbejnë për trajtimin.

Më parë, kur ilaçet ishin të shtrenjta, doktorët kufizoheshin në receta për shkak të pamundësive të pacientëve, ndërsa tani kjo është e mundur.

Duke qenë se, antibiotikët janë më të lirë dhe më pak të efektshëm, mjekët kanë zgjeruar kohën e mjekimit për të qenë më të sigurt në mjekim.

Ilaçet që Mund të Merren pa Recetë Mjekësore

Nga ana tjetër, farmacitë pohojnë se ka një trend në rritje për produktet që trajtojnë tensionin, diabetin, por dy vitet e fundit ka një rritje të suplementeve si vitaminat e tjera dhe preparate të mjekësisë alternative, të cilat jepen pa recetën e mjekut.

Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur nëpërmjet një anketimi se antibiotikët merren në 24% të rasteve pa recetë mjekësore.

Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre.

Në Shqipëri është i dukshëm dhe konsumi i barnave pa recetë, sidomos antibiotikëve.

Rritja e jetëgjatësisë

Një faktor tjetër themelor që po rrit konsumin e medikamenteve është ndryshimi i strukturës së popullsisë në favor të moshave të vjetra dhe ndërgjegjësimi për marrje diagnoze në mosha më të reja.

Doktor Ajet Braho thotë se jetëgjatësia ka rritur numrin e personave mbi 60 vjeç dhe nga ana tjetër, ka shtrirë trajtimin në kohë të një personi.

Ai thotë se moshat mbi 60 vjeç zakonisht kanë më shumë se një diagnozë dhe përgjithësisht janë të sëmurë kronikë. Kjo kategori, thotë ai, merr më shumë medikamente.

Rrija e Sëmundshmërisë në Vend

Sipas të dhënave nga Global Healthdata, portali global për statistikat e shëndetësisë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Shqipëria ka shënuar rritje të frikshme të sëmundshmërisë në dekadën e fundit.

Azhurnimet më të fundit tregojnë se jetët e humbura nga sëmundjet që lidhen me çrregullimet e zemrës janë rritur me 31% nga viti 2007-2017.

Vdekjet nga kanceri në mushkri janë rritur me mbi 36% gjatë periudhës në fjalë, edhe pse duhanpirja ka pësuar rënie. Burimi: Monitor/ AgroWeb.org