Qofte me Gjizë dhe Salcë Domatesh – Shoqëruesja e Çdo Pjate

1.2k 0

Qoftet jemi mësuar që t’i përgatisim me mish ose me perime, por asnjëherë vetëm me gjizë.

Receta që ju sugjeron sot zëvendëson mishin e grirë me gjizën e shijshme dhe të shëndetshme.

Të përgatitura me salcën e domateve të freskëta e plot aromë, këto qofte do të bëhen të buta dhe perfekte për të gjithë.

Nëse doni që të përgatisni diçka të shëndetshme dhe me shije, këto qofte janë ato që duhet të zgjidhni.

Përbërësit

450g gjizë pa kripë

140g bukë

100g djathë kaçkavall

2 vezë

Gjysmë lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

1 thelbi hudhër

1 tufë me majdanoz

Piper i zi

Për salcën e domateve

500g salcë domateje

3 lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Piper i zi

1 tufë me borzilok i freskët

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete hidhni në një tas të madh gjizën dhe më pas bukën e thërrmuar.

AgroWeb.org ju sugjeron që bukën ta keni lënë për të paktën 24 orë që të thahet.

Ose përdorni bukë të ftohtë, njësoj siç veproni kur përgatisni trahananë.

Më pas shtypni një thelbi hudhër dhe shtoni 2 vezë të cilat i keni rrahur pak para se t’i bashkoni me përbërësit e tjerë.

Tani e ka radhën djathi kaçkavall i grirë dhe në fund majdanozi, të cilin e keni grirë hollë.

Spërkateni me kripë dhe piper të zi sipas dëshirës për t’i dhënë shijen e dëshiruar.

Pasi brumi të jetë lidhur, lyeni duart me pak vaj ulliri dhe formoni qoftet rrumbullake.

Ndërkohë në zjarr keni vendosur një tigan me vaj ulliri.

Skuqni lehtë një thelbi hudhër dhe sapo vaji të jetë ngrohur largojeni zjarri.

Shtoni salcën e domates dhe gjethet e borzilokut që t’i japin shijen karakteristike.

Hidhni kripë dhe piper dhe më pas shtoni qoftet që sapo përgatitët.

Lërini që të ziejnë me salcën në zjarr të ngadaltë.

Pas 20 minutash gjithçka do të jetë gati për t’u shijuar.

Mjafton që t’i lini të ftohen pak e më pas mund t’i shërbeni duke i shoqëruar me sallatë me perime të freskëta./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.