Sëmundjet Kronike Dhe Qasja Ndaj Shërbimeve Spitalore

379 0

Mbajtja e distancës dhe vetë-izolimi vullnetar është një veprim altruist por që buron nga vetja.

E gjithë mënyra jonë e jetesës është ndërprerë duke na privuar nga gjithçka, përfshirë këtu shërbimi mjekësor, i cili është jetësor për disa kategori njerëzish, siç janë të moshuarit apo ato me sëmundje kronike.

Në kushtet e vetë-izolimit, vetë-mjekimi është i pamundur.

Një shembull i tillë vjen nga Kosova, ku sipas mediave vendase, për shkak të pezullimit të shërbimeve ambulatore, pacientët e sëmurë nga kanceri nuk kanë kryer dot kimioterapinë dhe terapinë e rrezatimit.

Ka gra shtatzënë që duhet të lindin e shumë shembuj të tjerë mes njerëzve që vizitat tek mjeku i kanë jetësore.

Është mëse e kuptueshme që njerëzit janë të shqetësuar, por në rastin e njerëzve të sëmurë, kemi të bëjmë me më shumë se shqetësim.

Frika po përhapet më shpejt se vetë virusi.

Mjekët po bëjnë çështë e mundur për të shuar frikën por dhënia e një përgjigjeje apo zgjidhjeje kur gjithçka dimë është thjesht një hipotezë dhe mister, është e vështirë.

93.1% e Shqiptarëve Të Rrezikuar Nga Sëmundjet Kronike

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 93.1% e shqiptarëve janë të rrezikuar nga sëmundjet kronike , një shifër e lartë vihet re në të gjithë rajonin.

Barrën më të lartë të vdekshmërisë në vendin tonë,  e kanë sëmundjet e zemrës.

Sëmundjet kardiovaskulare në Shqipëri konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2018, vdekjet nga grup-sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” arritën në 11,599, ose 53,2% e vdekjeve gjithsej.

Sipas të njëjtit raport, shqiptarët vuajnë më së shumti nga problemet kardiake, të mushkërive dhe të tensionit të lartë.

Banorët e qarkut të Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës janë më të prekurit nga sëmundjet kardiovaskulare.

QSUT Për Rastet Urgjente

AgroWeb.org u interesua pranë Spitalit të Traumës për të pyetur çfarë duhet të bëjë një person që vuan nga sëmundjet e zemrës dhe që ka nevojë për shërbim mjekësor.

Përgjigjia që na u dha është që në raste emergjence, pacientët duhet t’i drejtohen Qendrës Spitalore Nënë Tereza në Tiranë.

Komunikimi nëpërmjet telefonit me video me mjekun e familjes ose mjeku që ka ndjekur pacientin deri më tani është i këshillueshëm për të gjetur një zgjidhje sado afat-shkurtër, deri në përmirësim të situatës.

E treta por jo për nga rëndësia, është që njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kronike, të mos ndërpresin marrjen e medikamenteve, të ushqehen shëndetshëm, të izolohen në shtëpi dhe të mbrojnë veten dhe të tjerët./AgroWeb.org