Si Të Luftoni Ankthin Nga Pandemia? – Këshillat Që Ju Duhen

440 0

Në kushtet aktuale të pasigurisë , njeriu e ka shumë të lehtë t’i dorëzohet frikës dhe të vështirë të ruajë optimizmin.

Disa prej aspekteve më të rëndësishme të përballimit të situatës është marrja e informacioneve të sakta dhe perspektiva.

Njihuni Me Faktet

Psikologët thonë se hapi i parë drejt përballimit të situatës është që të njiheni me faktet e sakta nga burime të besueshme.

Ankthi përshkallëzohet në mungesë të informacionit por edhe në këtë rast vlen shprehja popullore ‘gjella me kripë e kripa me karar”.

Informacioni i tepruar nxit stresin dhe si pasojë e tij, pikpamja ndaj jetës mund të ndryshojë.

Perspektiva

Secili prej nesh po përballet me sfida të ndryshme por edhe të përbashkëta.

E rëndësishmja është që gjërat të vendosen në perspektivë dhe të kuptojmë se jo çdo gjë varet prej nesh.

E mira e të mirave është që të jemi të vëmendshëm dhe vigjilentë ndaj gjërave që mund të bëjmë dhe atyre që nuk janë në dorën tonë.

Në fund të fundit, askush nuk ka vdekur nga ankthi, por të jetosh me idenë se ‘mua s’më gjen gjë” është vdekjeprurëse.

Mos Fajëso

Askush nuk ka faj për këtë situatë, por si pasojë e ankthit të mbijetesës, njerëzit e kanë më të lehtë të shfryjnë dufin tek tjetri dhe të përçmojnë dikë që tështin apo kollitet.

Është e rëndësishme të kuptojmë që jemi njerëz dhe pavarësisht dallimeve jemi njësoj, në të mirë e në të keq.

Të qënit të njerëzishëm sot është më e rëndësishme se kurrë.

Kërko Ndihmë

Mos kini frikë të kërkoni ndihmë, qoftë edhe tek një psikolog.

Ju mund të bëni terapi nëpërmjet platformave të ndryshme të komunikimit dhe të flisni për atë që ju shqetëson e të zbuloni burimin e ankthit.

Komunikimi është i një rëndësie parësore në këto ditë të vështira.

Mos U Dorëzo

Ka shumë njerëz që e teprojnë duke mos zbatuar rregullat bazë të higjenës, me mendimin e gabuar se “është e vështirë të mos prekin fytyrën.”

Njeriu është i aftë të ndryshojë dhe të përshtatet me çdo rregull në të mirën e tij.

Mos u dorëzo. Mëso të lash duart, frenohu nga prekja e fytyrës, investo tek kujdesi për veten dhe prano që disa gjëra të vogla varen edhe nga ty.

Duaje Veten

Ankthi dhe frika janë armiqtë tanë që shpesh vijnë pa ftuar dhe na nxisin të jemi tepër kritikë ndaj vetes.

Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të qenë dashamirës me botën tonë të brendshme

Mos u mbyll në vetvete si pasojë e frikës dhe dhimbjes.

Mbaje ankthin nën kontroll dhe mos e lejo që ai të jetë pandemia e jetës.

Ji kurajoz/e. Gjëra të tmerrshme ndodhin gjithë kohës, por njeriu mund të ecë përpara falë dashurisë dhe shpresës, që sipas popullit, nuk vdes kurrë./AgroWeb.org