Vera 2020 – A Do Mund Të Udhëtojmë Këtë Vit?

374 0

Këto janë kohë të vështira për të gjithë pa dallim.

Për udhëtarët, njerëzit që janë mësuar të kalojnë më shumë kohë lart në ajër duke fluturuar nga një vend tek tjetri, karantina ngjan si një burg.

Shumë vende të botës po përpiqen të lehtësojnë masat shtrënguese kundër përhapjes së virusit COVID-19 dhe të apasionuarit pas udhëtimeve i mbajnë shpresat tek hapja e kufijve.

Për momentin, shkencëtarët thonë se asnjë vend i botës nuk është i sigurtë për të udhëtuar.

Deri më tani, koronavirusi ka gjunjëzuar plot 200 vende dhe çdo kontinent përveç Antarktidës.

Nga ana tjetër, linjat ajrore kanë nisur të publikojnë tarifa shumë të ulëta (deri në 35% më pak se vitin e shkuar) për udhëtime gjatë këtyre muajve ndonëse vende si Italia apo Franca ka gjasë që të mos lejojnë udhëtime deri në Gusht.

Nga ana tjetër një studim i Longëoods International tregoi se 85% e njerëzve që kishin bërë plane udhëtimi për 6-mujorin e dytë të 2020, i kanë ndryshuar ato. 48% kanë pranuar se do t’i anullojnë planet, 19 % synojnë të ndryshojnë destinacion ku mund të shkohet edhe me makinë.

43% e tyre kanë planifikuar të shkurtojnë kohëzgjatjen e udhëtimit.

Disa ekspertë thonë që njerëzit nuk duhet të udhëtojnë jashtë shtetit në kohë pandemie dhe jo shumë pranë përfundimit të saj për dy arsye thelbësore:

  • Rreziku i infeksionit mbetet shumë i lartë.
  • Gjasat e rikthimit të masave shtrënguese dhe mbylljes së kufijve janë të larta.

Fluturimet Eventualisht Do Të Hapen

Padyshim që njerëzit do të kenë mundësi të udhëtojnë jashtë shtetit.

Industria e turizmit punëson 10 përqind e forcës globale të punës, pra janë miliona njerëz që sigurojnë bukën e gojës nga ky biznes.

Kjo e bën hapjen dhe lehtësimin e masave të paevitueshëm, ndonëse mënyra tradicionale e udhëtimit do të pësojë një transformim dramatik.

Nëse më parë shumë njerëz ishin paragjykues dhe përqeshnin pasagjerët që e ‘tepronin’ me higjenën në avion, tani e tutje do të ndodhë e kundërta.

Teknologjia do të jetë një instrument kyç në rigjallërimin e industrisë.

Në shumë vende të botës po konsiderohet aplikimi i kontrollit elektronik të letërnjoftimit dhe angazhimi i robotëve për pastrim dhe për të ruajtur distancën.

Një masë tjetër sigurie që mund të shtohet është dorëzimi i rezultatit të një analize që tregon nëse pasagjeri është i infektuar me COVID-19 apo jo.

Hotelet dhe resortet duhet të krijojnë një protokoll sigurie që të garantojnë mundësinë e ruajtjes së distancës.

Për herë të parë, të gjithë udhëtarët do të diskriminohen njësoj, pavarësisht nënshtetësisë sepse përpara virusit, të gjithë jemi të barabartë.

Me Sytë Nga Afrika

Afrika është kontinenti që ka shifra më të ulëta infeksionesh të COVID-19 dhe ekspertë të industrisë së turizmit mendojnë se ky destinacion mund të pësojë një rritje të turizmit këtë vit.

Një gjë është e sigurtë, çmimet këtë vit do të jenë më të lira sepse linjat ajrore duhet t’i bindin njerëzit që të udhëtojnë. Shërbime të tjera turistike mund të kushtojnë më shtrenjtë këtë vit për shkak të domosdoshmërisë së zbatimit të kushteve strikte të higjenës.

A Duhet Të Udhëtojmë Këtë Vit?

Për herë të parë, nuk ka një përgjigje për këtë pyetje.

Gjithçka varet nga një sërë faktorësh:

  • shëndeti
  • masat shtrënguese që zbaton vendi i origjinës
  • masat shtrënguese që zbaton destinacioni
  • aftësitë tuaja paguese
  • frika dhe ankthi.

Për pasojë, përgjigja e vetme me të cilën duhet të mjaftohen udhëtarët është që në këtë verë të zbatoni këshillën e popullit: duke parë e duke bërë.