Sa Herë Duhet T’i Lani Maskat Për Higjenë Më Të Mirë

527 0

Maska kundër virusit që gjunjëzoi globin është kthyer në domosdoshmëri, pjesë e përditshmërisë sonë, njësoj si çelësat e shtëpisë apo telefoni celular.

Duke qenë se maska vendoset për të mbuluar hundën dhe gojën, pastrimi dhe disinfektimi i saj është nevojë jetësore.

Ekspertët amerikanë të Qendrës Për Kontrollin e Sëmundjeve thonë se maska duhet larë vazhdimisht në varësi të frekuencës së përdorimit.

Rregulli i artë është që maska duhet larë çdo mbrëmje në mënyrë që të jetë gati për përdorim të nesërmen.

Ky rregull vlen për të gjithë, si për njerëzit që jetojnë në zonat e gjelbëra si në ato të kuqe.

Sipas ekspertëve, nëse njeriu kollitet apo tështin ndërkohë që mban maskën, atë duhet ta lajë sapo të mbërrijë në shtëpi dhe më pas të lajë duart.

Nevoja për pastrim nënvizon edhe atë për një ose dy maska rezervë, gjithmonë të lara.

Përse Është Larja e Maskës Kaq e Rëndësishme?

Maska mund të ndotet shumë shpesh sepse është gjithnjë në kontakt me hundën dhe gojën.

Është e mundur që stërklat dhe grimcat e mbetura në maskë të arrijnë në rrugët e frymëmarrjes ose të ndosin sipërfaqen e rradhës ku do të lini maskën.

Ekspertët thonë se është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se maska nuk është e hekurt dhe imune dhe se ajo mund të shërbejë si mënyrë transmetimi të virusit nëse nuk pastrohet siç duhet.

Nëse maska nuk lahet çdo ditë, ajo do të shërbejë si burim ndotjeje për mjedisin duke e mbushur atë me baktere, viruse dhe myk.

Më fjalë të tjera, nëse nuk kujdeseni për maskën, ajo mund t’i sjellë sëmundjet në shtëpi.

Cila Është Mënyra Më e Mirë për Larjen e Maskës.

Maska duhet larë në lavatriçe me një proçes standard dhe detergjentin e rrobave.

Ajo duhet larë në temperaturë të lartë 90 gradë.

Në mungesë të lavatriçes, maska mund të lahet edhe me dorë me ujë dhe sapun duke u fërkuar mirë për të paktën 20 sekonda.

Ekspertët nuk rekomandojnë rrugën e shkurtër, pra atë të përdorimit të disinfektantit spërkatës, sepse substancat përbërëse të tij janë të dëmshme për mushkëritë./AgroWeb.org