Si të Përgatisni në Shtëpi Gjalpin e Bajameve për më Shumë Shije

3.1k 0

Gjalpi i përgatitur nga arrorët përveç shijes të papërshkrueshme ka edhe plot vlera për organizmin.

Sot AgroWeb.org ju tregon mënyrën më të thjeshtë të përgatitjes së njërit prej tyre në kushtet e shtëpisë.

Bëhet fjalë për gjalpin e bajames. Gjithçka që ju duhet janë bajamet dhe pak kohë e durim.

Ndiqni me kujdes hapat dhe shijojeni çdo ditë në recetat tuaja këtë produkt fantastik.

Përbërësit

  • 600g bajame të freskëta pa kripë

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të ngrohni furrën në 150-160 gradë.

Në një tavë vendosni një letër pjekjeje dhe aty shtroni bajamet.

Piqini bajamet për 20 minuta derisa të shihni që të kenë marrë pak ngjyrë të lehtë.

Më pas largojini nga furra dhe lërini që të ftohen pak për disa minuta.

Tani kalojini në mikser apo blender dhe punojini derisa të formoni masën kremoze.

Herë pas here sigurohuni që copëzat e bajameve që hapen në anët e mikserit t’i mblidhni në mes.

Diçka e tillë do të mundësojë që gjalpi juaj të jetë i plotë dhe i njëtrajtshëm.

Nëse doni t’i jepni një shije të ëmbël mund të shtoni në blender 3-4 hurma Arabe.

Këtë gjalpë mund ta përdorni për të shoqëruar bukën në mëngjes, mund ta shtoni tek recetat tuaja të ëmbëlsirave por edhe me fruta të freskëta.

Vlerat e Pazëvendësueshme të Gjalpit të Bajames

Gjalpi i bajames ofron edhe shumë përfitime ushqimore duke përfshirë, vitaminën C, E, hekurin, kalciumin, magnezin, riboflavinën dhe l-karnitinën.

Ky gjalpë është i pasur me proteinë dhe fibër dhe ka një tregues të ulët glicemie.

Ai është e mbushur me antioksidantë të cilat largojnë toksinat nga organizmi. Ushqyesit tek bajamja forcojnë aktivitetin e sistemit imunitar dhe mund të shmangin një sërë sëmundjesh dhe infeksionesh.

Gjalpi i bajames  është i mirë për stomakun sepse përmban shumë fibër që e përmirëson tretjen dhe trajton konstipacionin kronik./AgroWeb.org