Industria Fasone në Mesin e Krizës së Shkaktuar nga Koronavirus

328 0

Industria fason është një nga sektorët më të prekur nga kriza e Covid-19 , si pasojë e tkurrje së kontratave nga vendet porositëse.

Të dhënat e një ankete të realizuar nga “Pro-Export Albania”, rezulton se mbi 57% e kompanive që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor janë në krizë likuiditeti dhe nuk arrijnë dot të shlyejnë detyrimet tatimore dhe pagat e punonjësve. Sa i takon garancive sovrane, interesi ka qenë mjaft i ulët.

“Po përballemi me krizë likuiditeti në këtë moment.

Zbatimi i masave anti-covid na ka rritur kostot ndjeshëm”, tha Edvin Prençe.

Kriza e koronavirusit ka detyruar industrinë fason që të diversifikojë linjën e prodhimit, duke e orientuar atë drejt veshjeve një përdorimëshe apo pajisjeve të tjera mjekësore.

Por, përshtatja dhe ndryshimi i kursit të prodhimit kërkojnë investim në makineri të reja.

“Ka kërkesa të shumta nga Europa për veshje dhe pajisje mjekësore, por duhen investime në makineri pasi ka ndryshuar tërësisht puna”, tha Prençe.
Pjesa dërrmuese rreth 61.4% nga 100 kompanitë e pyetura në anketë, deklarojnë se po punojnë aktualisht me kapacitete të reduktuara.

Të pyetur se cili ka qenë impakti i Covid-19 në aktivitetin e tyre, rreth 88.5% deklarojnë shumë negativ, teksa pritshëmëritë për të ardhmen janë pesimiste pasi rreth gjysma e kompanive nuk kanë kontrata të qarta me klientët./AgroWeb.org