Efektet Që Pritet Të Sjellë Covid 19 Në Të Ardhmen

310 0

Si po ndikojnë masat kundër Covid-19 në përhapjen e gripit dhe sëmundjeve të tjera sezonale? Çfarë efekti do të kenë ato në të ardhmen? Vendosja e masave të rrepta për të luftuar pandeminë si mbajtja e maskave, distancimi social, larja e shpeshtë e duarve, dhe reduktimi i udhëtimeve të panevojshme, ka pasur pasoja të habitshme edhe tek viruset e tjera të frymëmarrjes.

Disa nga efektet si rënia e ndjeshme e rasteve me grip, po ndodhin tashmë. Të tjerat do të bëhen më të qarta gjatë viteve të ardhshme. Në fakt, Covid-19, ka krijuar kushtet për një lloj eksperimenti natyror mbi evolucionin e viruseve të tjera.

Më pak të sëmurë me gripin sezonal

Për momentin nuk duket se ka ndodhur ajo që frikësoheshin shumë ekspertët:shoqërimi i gripit sezonal me Covid-19. Në Hemisferën Veriore, bllokimet e marsit të këtij viti, i dhanë papritur fund sezonit të gripit 2019-2020.

Kjo tendencë u konfirmua gjatë verës në Hemisferën Jugore. Australia, Kili dhe Zelanda e Re kaluan një dimër praktikisht pa grip, me vetëm disa dhjetëra raste nga dhjetëra e mijëra teste të kryera, dhe kjo teksa infeksionet me Covid-19 vazhdonin që të rriteshin. Ekspertët po shpresojnë për një sezon të ri të gripit që të jetë më i frenuar edhe në Hemisferën Veriore. Por jemi vetëm në fillim të muajve më kritikë.

Më pak udhëtime, më shumë vaksina

Mungesa ose gati mungesa e ndikimit të gripit në Hemisferën Jugore, i atribuohet masave anti-Covid. Por vetëm maskat dhe bllokimet nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar një rënie kaq dramatike. Disa vende në Amerikën e Jugut, nuk kanë pasur një përgjigje shumë të koordinuar ndaj pandemisë.

E megjithatë ato janë prekur shumë pak nga gripi sezonal. Dyshimi është se anulimi i fluturimeve ndërkombëtare ka luajtur një rol themelor në këtë dukuri, pasi gripi lëviz nga një hemisferë në tjetrën, nga një dimër në tjetrin, bashkë me udhëtarët.

Një kontribut tjetër kryesor erdhi padyshim nga vaksinat e gripit. Këto kohë ka pasur më shumë të vaksinuar kundër gripit, edhe për shkak të frikës nga infeksionet shoqëruese midis tij dhe Covid-19. Ndërkohë, disa njerëz mund të kenë hezituar të shkojnë tek mjeku i familjet apo spitale e mbingarkuara me pacientë të sëmurë me Covid-19.

Pasojat e ardhshme

Siç shpjegohet në revistën “Nature”, fundi i pandemisë së gripit, mund t`a vështirësojë kuptimin se cilat lloje të viruseve të gripit do të godasin vitin e ardhshëm. Ndërkaq, disa virologë besojnë se një përhapje e gripit në nivele të ulëta,mund të eleminojë variante më pak të zakonshme dhe “më fatlume” të virusit, duke ua thjeshtuar kësisoj shumë punën epidemiologëve.

Por ndërkohë ka edhe skenarë më të errët, si mundësia që viruset e gripit të rikthehen me një virulencë më të madhe në sezonet e ardhshme, apo që mungesa e konkurrencës me virusin e gripit favorizon përhapjen e llojeve të ndryshme të gripit të derrave, të cilat zakonisht mbahen larg për shkak të imunitetit natyror të trupit tonë ndaj viruseve të gripit sezonal.

Luftimi i pandemisë së Covid-19, ka mbajtur larg viruse të vogla që shkaktojnë sindroma të para-gripit, si dhe patogjenë më seriozë siç është virusi sincital i frymëmarrjes (RSV), që mund të shkaktojë pneumoni tek fëmijët, dhe kundër të cilit nuk ka ende një vaksinë. Në Australinë Perëndimore, rastet me RSV kanë rënë me 98 për qind pavarësisht se shkollat janë të hapura.

Një fat i papritur

Përjashtim bëjnë rinovirusët, të cilët shkaktojnë të ftohurën e zakonshme. Këto patogjenë jo vetëm që nuk u zvogëluan, por në dimrin e Hemisferës Jugore ishin edhe më të shumtë se sa zakonisht. Ndryshe nga koronaviruset dhe viruset e gripit, rinoviruset nuk kanë një “lëkurë” lipidike që tretet lehtësisht nga sapuni.

Larja e duarve nuk ka shumë efekt mbi to. Për më tepër, ato transmetohen lehtësisht midis njerëzve asimptomatikë. Disa studime po përpiqen të kuptojnë nëse përgjigjja imune e zhvilluar kundër rinoviruseve, mund të ndihmojë në mbrojtjen tonë kundër CoViD-19.

Për shembull duke shtuar prodhimin e interferoneve, proteina që pengojnë shumimin viral.

Një shpresë tjetër është që përhapja e viruseve rinovuese të pengojë atë të SARS-CoV-2, në një lloj konkurrence virale. Është parë se rastet e infeksionit të dyfishtë nga 2 patogjenët tek një pacient janë shumë të pakta./bota.al