Kompanitë shqiptare vlerësojnë se agropërpunimi është një sektor që ka hapësira për t’u zhvilluar e për t’u mbështetur drejt një rritjeje më të konsoliduar.

Sipas një ankete të Sekretariatit të Këshillit të Investimeve janë të paktën tre produkte që dominojnë, por potenciali i zhvillimit shkon përtej tyre.

“Industria agropërpunuese konsiderohet se ka potenciale për investime dhe rritje të kontributit në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Pjesa dërmuese e kompanive të intervistuara (37 nga 42 ndërmarrje) konsiderojnë që agropërpunimi ka potencial dhe mundësi të mira investimi në Shqipëri. Ndër produktet e zgjedhura, gështenjat, domatet dhe bimët medicinale/aromatike konsiderohen nga kompanitë e intervistuara si tre produktet kryesore që kanë më shumë potencial për agropërpunim. Produkte të tjera të konsideruara si potenciale përfshijnë: vaj ulliri, mjaltë, boronicë, luleshtrydhe dhe shegë” thuhet në dokumentin e Këshillit.

Sfidat

Ky i fundit vlerëson se agropërpunimi përballet me sfida që nisin nga financimi i limituar kundrejt tyre deri te problematika të brendshme të sektorit që kanë të bëjnë me teknologjinë modeste apo konkurrencën nga importet.

Sekretariati bëri me dije se sektori përfaqësohet me një total prej 2.476 kompani, të vendosura në rajone të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht në afërsi të burimeve përkatëse të furnizimit. Një shumicë e madhe e ndërmarrjeve janë të përfshira në disa hapa në të gjithë zinxhirin e vlerës, nga prodhimi, grumbullimi te përpunimi dhe tregtimi, përfshirë tregjet lokale dhe të eksporteve.

Konkurrenca

“Me përjashtim të disa ndërmarrjeve të mëdha aktive në BMA (bimët medicinale dhe aromatike) dhe nënsektorin e mishit dhe qumështit, shumica e madhe e ndërmarrjeve agropërpunuese janë biznese mikro dhe të vogla, me teknologji mjaft modeste, kapacitete relativisht të ulëta përpunuese dhe prodhojnë kryesisht për tregun lokal. Rreth 33% e kompanive të intervistuara deklarojnë se përballen me probleme të lidhura me teknologjinë dhe rreth 31% janë përballur me një konkurrencë të padrejtë nga importet” nënvizon dokumenti.

I njëjti vlerëson se konkurrenca e sektorit të agropërpunimit dëmtohet gjithashtu edhe si rezultat i kostove të larta të paketimit (p.sh. paketimi i qelqit, i cili është një produkt importi i taksuar) duke i bërë produktet e përpunuara të paketuara më pak konkurruese si në tregjet e brendshme ashtu edhe në ato ndërkombëtare./Monitor