Receta e Kungujve të Pjekur – Krokantë dhe të Butë Brenda

760 0

Kur bëhet fjalë për patatet e skuqura, ato krokantet të vijnë menjëherë në mendje, por ju mund të bëni të njëjtën gjë edhe me kungujt e njomë.

Nëse i piqni kungujt në furrë me vaj dhe miell, do të përftoni një rezultat të shkëlqyer: krokantë nga jashtë dhe të butë nga brenda!

Çdo vakt i cili përfshin kungujt ka përfitime të mëdha shëndetësore, të cilat sigurisht që ia vlejnë t’i konsumoni.

Dihet që kungulli i njomë rrit energjinë, ndihmon në funksionalitetin e tiroides, përmirëson shëndetin e syve, ul sheqerin në gjak, ul kolesterolin, ndalon inflamacionin, madje thuhet se ngadalëson procesin e plakjes! Lista është shumë e gjatë.

Këtë recetë që AgroWeb.org iu sugjeron, mund ta shoqëroni me pjatat me mish dhe peshk, ose ta shërbeni si meze.

Përgatisni në shtëpi këtë recetë të lehtë, të shijshme dhe plot vlera ushqyese duke ndjekur si më poshtë mënyrën e përgatitjes.

Përbërësit

770 gr kunguj të njomë

50 gr miell

20 gr vaj ulliri ekstra i virgjër

10 gr kripë

Rigon i freskët

Përgatitja

Për të përgatitur kungujt, filloni duke i larë dhe i tharë ato.

Me ndihmën e një thike, pritini hollë me një trashësi rreth 3mm.

Vendosini më pas në një tas, shtoni kripë dhe miell dhe pastaj përziejini derisa të bashkohen.

Shtoni vajin dhe gjethet e freskëta të rigonit dhe përziejini përsëri.

Transferojini kungujt në një tavë të shtruar me letër pjekjeje duke u përpjekur të mos i vendosni mbi njëra-tjetrën.

Vendoseni tavën në një furrë të parangrohur në 200 °, për rreth 25 minuta.

Shërbejini ato të ngrohta.

Këshilla

Këshillohet t’i konsumoni konugujt menjëherë për të mos humbur aromën. Megjithatë ju mund t’i ruani ato në frigorifer deri në dy ditë. Ngrirja nuk rekomandohet.

Në vend të rigonit të freskët mund të përdorni rigon të thatë ose ta zëvendësoni atë me bimë të tjera aromatike si majdanozi, trumza ose borziloku./AgroWeb.org