Mollë Të Mbushura – Receta Për Një Ëmbëlsirë Të Thjeshtë Me Shije Fantastike

1.6k 0

Mollët e mbushura janë një ëmbëlsirë e thjeshtë, plot shije dhe me një aromë fantastike.

Një shije klasike, e bërë në shtëpi, ideale për t’u shijuar si meze ose si ëmbëlsirë pas vaktit.

Lehtë për t’u përgatitur, mjafton t’i zbrazni mollët dhe më pas t’i mbushni me një përzierje biskotash, frutash të thata, tul molle, me sheqer kaf dhe në fund t’i piqni në furrë derisa të zbuten.

AgroWeb.org ju fton të zbuloni më poshtë mënyrën se si ta përgatisni këtë recetë të mrekullueshme.

Përbërësit

4 mollë të ëmbëla

60 g biskota ose amareta

45 g arra

45 g lajthi

1 portokall

Pluhur kanelle për shije

Sheqer kaf për shije

Përgatitja

Copëtoni imët biskotat ose amaretat, arrat dhe lajthitë.

Bashkojini në një enë dhe sipër tyre grini lëkurën e portokallit, spërkasni kanellën e bluar dhe përziejini mirë.

Prisni pjesën e sipërme të mollëve dhe lërini mënjanë.

Krijoni një zgavër brenda mollëve duke ruajtur tulin e mollës, e duke hedhur farat dhe pjesën qendrore të bërthamës.

Priteni tulin e mollës në copa të vogla dhe shtojini te pjesa tjetër e përbërësve, shtoni aty edhe lëngun e portokallit të shtrydhur dhe përziejini mirë.

Mbushni mollët me masën e përftuar dhe spërkatini me pak sheqer kaf.

Piqini të mbuluara me kapakë në 180°C për 30 minuta, në nxehtësi mesatare.

Pas 20 minutash, hiqni kapakët dhe piqini mollët e mbushura edhe për 10 minuta të tjera ose derisa t’i shponi lehtësisht me një kunjë dhëmbësh ose pirun.

Hiqni nga furra dhe vendosni sërisht kapakët, për t’i shërbyer të ngrohta por jo shumë të nxehta. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.