Sëmundjet që Përkeqësohen nga Konsumimi i Ushqimeve të Skuqura

744 0

Ushqimet e skuqura shpesh konsiderohen një mëkat, ndonëse të vështira për t’ju rezistuar.

Por pavarësisht kësaj, të gjithë bien dakord që ushqimi është më i shëndetshëm kur gatuhet në avull, zihet, piqet ose përgatitet në zgarë.

Studimet shkencore kanë konfirmuar se skuqja e ushqimit rrit nivelin e yndyrnave dhe kalorive veçanërisht në rastet kur ushqimet lyhen me thërrime buke përpara skuqjes, skuqen në temperatura të ulëta, ose kur skuqni shumë ushqime në të njëjtën kohë në të njëjtën tenxhere.

Kjo e fundit, ul temperaturën e vajit dhe një gjë e tillë rrit sasinë e kohës që duhet për skuqjen e ushqimit.

Rrjedhimisht sasia e yndyrës e përthithur në ushqim gjatë gatimit, rritet ndjeshëm.

Yndyrnat dhe kaloritë tek ushqimet e skuqura rrisin rrezikun e shfaqjes së shumë problemeve shëndetsore.

Obeziteti

Ushqimet e pasura me yndyrna, kanë shumë kalori.

Një gramë yndyrë ofron 9 kalori, ndjeshëm më shumë se kaloritë e ofruara nga e njëjta sasi proteine apo karbohidrati.

Nëse hani ushqime të skuqura rregullisht, atëherë gjasat që të bëheni obezë ose mbipeshë janë shumë të larta.

Një studim i vitit 2013 i publikuar në revistën “Nutrition, Metabolism and Cardiovascular Diseases” zbuloi se konsumi i ushqimeve të skuqura më shumë se katër herë në javë rrit rrezikun e shfaqjes së obezitetit ndjeshëm më shumë në krahasim me ata që konsumojnë ushqime të tilla më pak se dy herë në javë.

Goditjet në tru

Goditja në tru është një nga sëmundjet më të përhapura në vendet ku konsumohen shumë ushqime të skuqura.

Nëse konsumoni ushqime të skuqura të paktën gjashtë herë në javë, gjasat e goditjes në tru rriten në 41% në krahasim me njerëzit që hanë ushqime të tillë më pak se një herë në muaj, tha një studim i universitetit të Alabamës.

Nëse i skuqni ushqimet tuaja në yndyrna të ngopura siç janë gjalpi, dhjami ose vaji i arrës së kokosit, do të jeni më të predispozuar të keni kolesterol të lartë dhe të vuani nga sëmundjet e zemrës.

Diabeti

Një studim i publikuar në “Diabetes Care” në Prill të vitit 2011 zbuloi se konsumi i rregullt i ushqimeve të skuqura është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me diabetin e tipit 2.

Një studim tjetër i vitit 2013, i publikuar në revistën “Nutrition & Food Science”, tha se femrat që hanë ushqime të skuqura çdo ditë, kanë më shumë gjasa të vuajnë nga diabeti se ato që hanë më pak ushqime të tilla.

Kanceri

Kufizimi i sasive të të skuqurave ndihmon në uljen e gjasave të shfaqjes së kancerit të prostatës.

Një studim i publikuar në Qershor të 2018-ës në revistën mjekësore ‘Prostata’, tha se njerëzit që hanë ushqime si: petulla, peshk, pulë, patate të skuqura një herë në javë janë më të rrezikuar ndaj kancerit të prostatës në krahasim me ata që hanë ushqime të tilla më pak se një herë në javë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.