Vera e Hithrës, një Vepër Arti

240 0

Hithrat rriten kudo në Shqipëri. Ato përdoren në shumë gatime me bazë brumi por edhe për lëngje të shëndetshme.

Ndonëse përfshirja e hithrës në përgatitjen e verës ngjan e pazakontë, duhet të dini që kjo bimë ka përdorime të shumta dhe këtu përfshihet edhe vera.

Në disa zona të jugut të Shqipërisë, dashamirësit e verës guxuan të prodhonin verë hithre të destinuar për konsum familjar.

Njerëzit i janë dorëzuar kënaqësisë së përgatitjes së verës prej mijëra vitesh. Vera është një çështje arti por edhe shkence.

Përgatitja e verës është një proces natyral që kërkon ndërhyrje minimale nga ana e njeriut, megjithatë çdo prodhues i mirë luan rolin e udhëzuesit dhe mbikqyrësit të teknikave të ndryshme të prodhimit të verës.

Vera përgatitet në pesë etapa bazë: mbledhja e produktit, shkelja, shtypja, fermentimi, kthjelltësia, vjetërimi dhe paketimi.

Kur vjen puna tek prodhimi i verës së hithrës, si fillim duhet treguar kujdes gjatë mbledhjes së hithrave, gjë që bëhet në pranverë. Vishni doreza dhe mblidhni vetëm gjethet e sipërme të hithrave dhe vendosini në një kosh plastik.

Sasia e mbledhur e hithrave pas shtypjes duhet të arrijë në 2 litra në mënyrë që prej tyre të dalin tre litra verë.

Hithrat duhet të jenë të freskëta dhe duhen përpunuar menjëherë. Merrni lëkurën e disa limonave dhe një lugë çaji me xhenxhefil të grirë. Bashkë me hithrat vendosini në një tenxhere me ujë. Lërini të ziejnë për gjysëm ore.

Kullojeni lëngun e ngrohtë dhe hidheni në një enë fermentimi së bashku me 1 kg sheqer. Sigurohuni që sheqeri të jetë i shkrirë dhe shtoni lëngun e dy limonëve.

Lëreni lëngun të qëndrojë në enë për 24 orë dhe të nesërmen kullojeni lëngun duke larguar copat e mbetura dhe të pashkrira. Lëreni fermentimin të përfundojë normalisht.

Pasi vera të jetë e kthjellët lëreni të vjetërohet për gjashtë muaj në enë të posaçme dhe më pas hidheni në shishen përkatëse dhe shijojeni. Vera e hithrës shijon shumë nëse serviret e ftohtë.

Gjethet e sipërme të verës garantojnë një produkt të lehtë në shije por nëse përdorni më shumë gjethe, shija e verës do të jetë më intensive dhe më e thatë. Për më tepër, vjetërimi do të kërkojë më shumë kohë, por rezultati përfundimtar do të jetë padyshim një verë mjaft interesante./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.