Në një shoqëri e cila drejtohet nga teknologjia dhe nismat novatore është e rëndësishme që fermerët të qëndrojnë gjithmonë në dijeni të zhvillimeve të fundit, që do t’i lehtësonin punën, ulnin shpenzimet, përmirësonin teknikat e ndryshme të lidhura me veprimtaritë e tyre, do të minimizonin humbjet dhe do të rrisnin prodhimtarinë e fitimet.
Sipas një kërkimi të Farmers Weekly, lista e dhjetë zhvillimeve që ata cilësonin si më të vlefshme, nuk lidhej drejtëpërdrejtë me eksperiencën e tyre në përdorimin e këtyre teknologjive, por shprehte dëshirat apo vizionin e tyre mbi teknologjinë e fermës të së ardhmes. Fermerët e intervistuar, përdornin vetëm disa prej teknologjive të listuara, pasi një pjesë e mirë e tyre është ende tepër e kushtueshme për mundësitë e fermerëve të vegjël e të mesëm.
10 zhvillimet teknologjike botërore më të mira në bujqësi sipas studimit
- Sistemet GPS për drejtimin e automjeteve bujqësore (36% të votave)
- Makinat e mjeljes së lopëve (19%)
- Aplikacione në Smartphone (13%)
- Aparaturat që matin prodhimtarinë (5%)
- Aparaturat që matin temperaturën e lopëve (5%)
- Traktorë që funksionojnë pa timonier (2%)
- Drone ajrore (2%)
- Çip elektronik që vendosen në vesh (2%)
- Program për menaxhimin e fermës (2%)
- Robotë që ushqejnë bagëtitë (2%)
Si i ndihmojnë fermerët këto teknologji?
Traktorët pa timonierë, që ecin të vetëm, janë ende në fazat e testimit, por fermerët janë mëse të lumtur t’i përdorin këto makineri të reja që do të shkurtojnë kohën, rrisin prodhimtarinë si dhe do t’u sigurojnë më shumë të ardhura.
Në një shoqëri e cila drejtohet nga inovacioni dhe nismat novatore është e rëndësishme që fermerët të qëndrojnë gjithmonë në dijeni të zhvillimeve të fundit
Dronet ajrore që përdoren gjerësisht në fushën ushtarake kanë filluar të përdoren nga fermerët për të patur një pamje ajrore të tokës së tyre. Kjo i lejon ata të kuptojnë sa pleh duhet të përdorin, apo të trembin zogjtë të cilët dëmtojnë farat e mbjella në tokë.
Përdorimi i çipeve elektronike të vendosura tek kafshët e fermës i lejon fermerët të identifikojnë bagëtitë, nëpërmjet teknologjisë së identifikimit, që shfrytëzon frekuencat radiofonike.
Programet e menaxhimit të fermave i ndihmojnë fermerët në veprimtaritë e ndryshme të drejtimit. Këto programe janë një pasqyrë e detajuar e të gjitha detyrimeve që duhen përmbushur për të drejtuar një fermë të suksesshme. Programet i lejojnë fermerët të mbajnë pasqyra të sakta të të punësuarëve, të krijojnë harta të tokave të punuara dhe të mbajnë gjendjen e bagëtive.
Përdorimi i këtyre teknologjive të reja do të rrisë mirëqenien e kafshëve, të ulë varësine e fermerëve ndaj kimikateve dhe t’u japë atyre mundësi të menaxhojnë më mirë tokën.
Sistemet GPS të drejtimit të automjeteve bujqësore e lehtësojnë shumë veprimtarinë e drejtimit të këtyre automjeteve e rrjedhimisht dhe rrisin dhe eficencën e punës. Përpara përdorimit të këtyre sistemeve, drejtuesit duhet të drejtonin sa më drejt të ishte e mundur makinat e tyre bujqësore, në mënyrë që të përdornin më pak fara, pleh apo karburant. Ky sistem i ri i ndihmon fermerët të kursejnë më shumë dhe gjithashtu të përmirësojnë prodhimtarinë.
Makinat e mjeljes së lopëve sigurojnë lehtësi për fermerët, sepse procesi realizohet në mënyrë automatike, në momentet kur prodhimtaria e lopëve është më e lartë, duke siguruar eficencë në prodhimtari dhe me pak humbje.
Nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme që mund të shkarkojnë në telefonat e tyre smartphone, fermerët mund të kryejnë veprimtari të ndryshme si matje të thellësisë së tokës, përcaktimin e periudhave të pjellorisë së bagëtive etj. Këto aplikacione janë një ndihmesë më shumë dhe lehtësisht e aksesueshme, në krahasim me teknologjitë e tjera, për shkak të kostove më të ulëta për përdorimin e saj.
Fermerët preferonin gjithashtu edhe aparaturat që matin prodhimtarinë. Këto aparatura monitorojnë, regjistrojnë dhe shfaqin prodhimtarinë e drithërave së bashku me të dhëna të tjera si përmbajtja e lagështirës, shpejtësisë, zonës, përqindjes së punës dhe mbledhjes. Kjo teknologji i jep mundësi fermerëve të krijojnë një pasqyrë të qartë të korrjes dhe të aplikojnë sasinë e duhur të plehut.
Përdorimi i teknologjive të reja në Shqipëri
Në vendin tonë përdorimi i teknologjive të reja në bujqësi mbetet ende i kufizuar për aryse që lidhen me investimet si dhe mungesën e informacionit mbi zhvillimet e reja. Megjithatë, kohët e fundit, janë organizuar panaire që kanë prezantuar teknologji e makineri të reja, që do të modernizojnë veprimtaritë bujqësore.
Z. Edmond Panariti, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, në Panairin e Ndërkombëtar të Makinerive Bujqësore për Europën Juglindore, tha se “organizime të tilla janë një mundësi e mirë për fermerët, agropërpunuesit apo bizneset bujqësore për të stimuluar lidhjen e kontratave me firma të huaja. Prania e institucioneve financiare, bankave dhe organizmave të tjerë financiarë në panair përbën një mundësi të mirë për të siguruar një bashkëpunim sinergjik mes të gjitha palëve, pasi sigurimi i mekanizmave të duhur financiarë është thelbësor. “ Z. Panariti dha garanci se qeveria është e predispozuar për të stimuluar formimin e shoqatave të fermerëve, të kooperativave , pasi kjo e bën edhe më efiçente financimin e blerjes së këtyre pajisjeve inovative.