16 Milionë dollarë mbështetje për fermerët – Prioritet produktet autoktone

328 0

Së shpejti nisin aplikimet për skemat e reja financiare në mbështetje të fermerëve shqiptarë. Në fillim të muajit maj do të nisin aplikimet për fermerët që duan të përfitojnë nga subvencionet kombëtare në bujqësi që këtë vit kapin shifrën e 16 milionë dollarëve.

Ministria e Bujqësisë thotë se prioritet do të kenë fermerët të cilët kultivojnë produkte autoktone shqiptare.

“Në qoftë se ti do të mbjellësh kultivarë autoktonë atëherë ti do të marrësh 600 mijë lekë në krahasim me 500 mijë që ti merr kur ti mbjell kultivarë të tjerë. Autoktonë kemi starkingët për shembull”, shprehet përfaqësuesja e Minitrisë së Bujqësisë, Barie Rexha në një intervistë në media.

Ministria e Bujqësisë synon të përmirësojë edhe teknologjinë në sera dhe për këtë skemat ofrojnë mbështetje për fermerët që duan të investojnë në këtë sektor.

“Për serat me plastmas që është një risi këtë vit ne kemi skemën për zëvendësimin e plastmasit në sera që i kemi dhënë një vlerë 1 milionë e 700 mijë lekë për ha kuptohet dhe me TVSH”, thotë zonja Rexha në intervistën për Top Channel.

Ndërsa në blegtori, qeveria ka ulur pragun e numrit të krerëve për të cilat një fermer përfiton mbështetjen e shtetit.

“Nga 50 në 100 krerë ai do të përfitojë 1200 lekë për krerë por 100 përqind do të subvencionohet, ndërsa nga 101 deri në 200 ai do marri 1200 lekë por 50 për qind”, shprehet Barie Rexha.

Duke orientuar përfitimet drejt fermerëve më të vegjël, këtë herë skema e re e subvencioneve synon të rrisë edhe formalizmin në bujqësi, raporton Top channel.

“Fermeri vetë e kanë kuptuar që bujqësia blegtoria nuk mund të ecë pa u formalizuar pra nuk mund të përfitojë asnjë subvencion nga shteti nëse nuk është i identifikuar. Pikërisht për këtë e kemi bërë ndryshimet pasi fermerët duhet të bëjnë matrikullimin, sepse është shumë e rëndësishme me këto ushqime që po hamë ne duam të dimë çertifikatën e origjinës”, shton zonja Rexha./AgroWeb.org