Të kesh sukses në bujqësi në Shqipëri? Në situatën aktuale ekonomike? Ka një përgjigje; financim. Një financim i mirë lubrifikon zinxhirin e hallkave të bujqësisë duke sjellë si rezultat rritje ekonomike të sektorit, por për të gjithë, cilësi produktesh. Duket se ‘lubrifikimi’ do të nisë më i bollshëm në 2015-tën, së paku sa i përket mbështetjes nga Skemat Kombëtare. Mbështetja financiare për investime me grante në masën 50 përqind të investimit do të jetë e ngjashme me atë të Bashkimi Evropian dhe do të rritet me 33 përqind në krahasim me vitin 2014.
Mbështetja financiare për investime me grante në masën 50 përqind të investimit do të rritet me 33 përqind në krahasim me vitin 2014
Kjo do të thotë se nga mbështetja 50 përqind për investime me vlerë deri në 30 Milion lekë që ishte në vitin 2014, fermerët do të mund të përfitojnë mbështetje 50 përqind për investime me vlerë deri në 40 Milion lekë. Ky është propozimi i cili ka mbërritur së fundmi në Këshillin e Ministrave nga Ministria e Bujqësisë, e që pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.
Kërkoni mbështetje financiare? Bëni investime të zgjuara
Në ndryshim nga viti që lamë pas, në draftin e Ministrisë së Bujqësisë vihet re një reduktim i studiuar i numrit të Skemave Mbështetëse. Në Vendimin e vitit 2014 kishte 18 skema për përmirësimin e teknologjisë të kultivimit dhe mbrojtjes së bimëve që përfshijnë një gamë shumë të gjerë të aktiviteteve bujqësore, të cilat në shumë raste nuk kanë pasur efikasitet dhe interes nga aplikuesit. Nga 18 numri i tyre propozohet të shkojë në 5 duke përmbledhur këto aktivitete në një strukturim më efikas, nisur nga fakti që fermat shqiptare kanë një aktivitet miks, që përfshijnë më shumë se një profilizim.
Kështu mund të përmendim heqjen e skemës së mbështetjes financiare për mbarështimin e kërmillit, për shkak edhe të mungesës së konkurueshmërisë, e cila sipas ekspertëve, është një faktor me shumë rëndësi në skemat e këtij viti.
Nëse planifikoni investime në ullishta duke menduar se mund të përfitoni nga Skemat Kombëtare, nuk do të ishte ky viti i duhur. Prioritet nuk do të jetë më mbjellja por mbrojtja e ullishteve nga dëmitimet si në rastin e mizës së ullirit. Por mund të bëni investime më të zgjuara. Serrat do të jenë përparësi e shtuar në skemat mbështetëse të 2015-tës, me financim deri 50 përqind të investimit për ndërtim dhe/ose rikonstruksion të tyre për kultivimin e perimeve dhe prodhim fidanësh.
Energjia e rinovueshme do të jetë po ashtu veçanërisht në fokus. Për investimet deri 40 Milion lekë në ferma në funksion të energjisë së rinovueshme mbështetja financiare do të jetë deri në 50 përqind të vlerës së investimit, pra rreth 20 Milion lekë për një subjekt. Po ashtu mbështetje do të kenë edhe subjektet që investojnë në përpunimin e mbetjeve shtazore, të cilat kryesisht përdoren për energji alternative.
Ajo që nuk do të ndryshojë është mbështetja, përmes subvencionit, në masën 70% të normës së interesit, për 7 vite radhazi, për kreditë deri në 30 Milion lekë, që do të merren për aktivitetet e mëposhtme:
- Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës dhe bimëve medicinale;
- Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë dhe akuakulturës.
Cilat janë investimet që do të përfitojnë mbështetje financiare prej 50 përqind?
- Investimet për rritjen e konkurrueshmërisë të produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut;
- Përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve;
- Prodhimi i perimeve në ambiente të mbrojtura për zbutjen e sezonalitetit të furnizimit të tregut;
- Mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës;
- Furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale.
Po ashtu prioritet do të kenë edhe:
- Nxitja e kreditimit bankar dhe investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, shpendëve, akuakulturës, mjaltit, dhe bimëve medicinale;
- Rritja e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara dhe lëndëve djegëse për ngrohjen e ambienteve të mbrojtura;
- Nxitja e kooperimit dhe organizimin e SHBB.
Përveç Skemave Kombëtare të mbështetjes financiare edhe Bashkimi Evropian parashikon një fond prej 9 Milion Euro për bujqësinë për vitin 2015. E rëndësishme është të bësh investimin e duhur. Të jesh fermer tashmë nuk do të thotë thjesht të kesh një fermë. Sot fermer i suksesshëm është ai që ka aftësi menaxhuese, që vlerëson siç duhet shëndetin e financave të biznesit, që harton plane strategjike për rritje të këtij biznesi, që merr vendimet e duhura për menaxhimin financiar dhe që mendon në mënyrë të kristalizuar për të ardhmen.