8 Marsi i Një Sipërmarrëseje Shqiptare

281 0

Vaji i ullirit është çelësi i një gatimi të shijshëm, për Shpresa Shkallën është shumë më tepër se kaq. Për Shpresën, vaji i ullirit është çelësi i suksesit të biznesit, kompanisë së saj të prodhimit të vajit. Produkti i kompanisë që ajo drejton, konkurron i barabartë në tregje ndërkombëtare mes një larmishmërie produktesh të ardhura nga vende të ndryshme të botës, por realiteti, standardet dhe kushtet në të cilat ajo e zhvillon biznesin, janë shumë larg atyre në të cilat veprojnë konkurrentët ndërkombëtarë. E kupton mjaft lehtë nga mënyra se si ajo flet për fushën e prodhimtarisë së vajit, se ky nuk është thjesht një biznes për të, është shtylla në të cilën mbështetet jeta e saj, e jo vetëm në anën financiare. Suksesi i arritur nga Znj.Shkalla përmbledh në vetvete vite të tëra pune vetmohuese, përkushtimi të pashoq, energjie të pashtershme dhe shprese, për të përsosur gjithmonë veprimtarinë e saj.

Kompania është ndërtuar dhe funksionon si një biznes familjar, që menaxhohet tërësisht nga Shpresa Shkalla dhe vëllezërit e saj. Ajo është shtylla mbajtëse e kompanisë, motorri që ve në lëvizje punën dhe timoni që drejton të gjithë veprimtarinë. Shpresa tregon me pasion çdo detaj të punës së saj të përditshme dhe me krenari tregon se mbulon pothuajse gjithçka në kompani. Por nuk fsheh as lodhjen e herëpashershme dhe tensionin e lartë të punës që vjen nga përgjegjësia e madhe që ajo mban mbi shpatulla.

Pyetjes së AgroWeb se çfarë e shtyu të hidhej në fushën e prodhimit të vajit, Shpresa Shkalla i përgjigjet se ishte dëshira për të vënë në përdorim një pasuri që familja e saj e kishte rifituar pas viteve ’90. Një pronë me toka të mbjella me ullinj në Farkë, në një komunë të vogël në rrethinat e Tiranës. Ishte fund shtatori i vitit 1995, kur Shpresa Shkalla, si një prej emigrantëve të shumtë të cilët kishin kërkuarëndrrën e tyre jashtë Shqipërisë, vendos të rikthehet nga Gjermania në Tiranë. Në këtë moment Znj. Shkalla bie në kontakt me një fond që qeveria gjermane kishte akorduar nëpërmjet GTZ, për të gjithë emigrantët shqiptarë të rikthyer me synimin e ngritjes së bizneseve vendase. Ajo kujton se kjo nismë e shtetit gjerman kishte si qëllim të ndihmonte ekonominë e brishtë shqiptare dhe t’u jepte emigrantëve një mundësi të ktheheshin e të ndërtonin njëjetesë më të mirë në vendin e tyre. Shpresa Shkalla nuk ngurroi. U kap fort pas kësaj nisme. E lindur në një shtet që për shumë vite kishte dënuar dhe luftuar pronën private, me asnjë njohuri bazike mbi biznesin, ajo e vendos veten e saj në sprovën më të vështirë të jetës, atë të krijimit të një biznesi privat.

Shpresa është shtylla mbajtëse e kompanisë, motorri që ve në lëvizje punën dhe timoni që drejton të gjithë veprimtarinë

 

Shpresa përmend si ndihmë të rëndësishme në fillimet e saj edhe mbështetjen në familje. “Kisha punuar prej shumë vitesh si shefe kontrolli në Kombinatin Poligrafik dhe kisha njohuri të mira në përdorimin e makinave me të cilat kisha punuar, gjithashtu kisha qëne dhe studente e mirë në shkollë. Babai ishte një mekanik me emër në qytet, po ashtu edhe vëllezërit, ndaj menduam se do t’ja dalim.” thotë Shpresa. Së bashku me 200 persona të tjerë, të cilët aplikuan për të marrë kredinë e akorduar nga shteti gjerman, Znj. Shkalla kalon disa faza përgatitore e testimi, të cilat synonin të përgatisnin aplikuesit mbi konceptet bazike të ngritjes së një biznesi. Me humor, ajo kujton se personat e mbledhur në sallën ku do të zhvillohej një nga provimet për konkursin e marrjes së kredisë, nuk e kuptonin qëllimin e vërtetë të konkursit, por mendonin se ato Lekë do t’u jepeshin aty për aty dhe bërtisnin “Na jepni lekët tani.”

Shpresa Shkalla nuk mendonte se ajo do ta përfitonte realisht atë kredi. Ajo shton se u habit kur GTZ e kontaktoi dhe i komunikoi se është përzgjedhur, së bashku me dymbëdhjetë persona të tjerë, për të ndjekur një kurs përgatitor biznesi, që ndër të tjera, do t’u mësonte të krijonin dhe një plan biznesi, një dokument të nevojshëm që do t’u duhej për të marrë kredinë. Shpresa u përpoq me vendosmëri dhe arriti të marrë kredinë prej 10 milionë Lekë, të cilën ajo do të duhet ta shlyente duke paguar një interes prej 11 përqind. Me anë të kësaj kredie ajo do të siguronte financimin e duhur për të ngritur biznesin e saj dhe për të blerë makineritë e një firme me famë botërore në fushën e përpunimit të vajit. Kjo teknologji së bashku me ekspertizën e biologes me të cilën Shpresa bashkëpunoi, sollën si rezultat prodhimin e vajit të një cilësie shumë të mirë extra virgin, që asokohe, nuk njihej ende në tregun vendas. Por kredia do t’i kushtonte shtrenjtë Shpresa Shkallës. Si pasojë e zhvillimeve politke dhe ekonomike të vitit 1997, interesi i kredisë së saj arriti shifrën stratosferike prej 38 përqind, në fund ajo llogarit se ka shlyer 17 milionë Lekë, pothuajse dyfshin e shumës së huazuar. Por Shpresa nuk u thye, vijoi aktivitetin.

Tregu shqiptar – I varfër në mundësi ekonomike dhe i parregulluar. Shpresa Shkalla provoi fillimisht të tregonte produktet e saj në tregun shqiptar, veprim të cilin më tej nuk e konsideroi fitimprurës. Ajo tregon se situata ekonomike në vend e orientonte konsumatorin më tepër drejt çmimit dhe jo cilësisë. Znj. Shkalla shton se në tregun shqiptar ka shumë pak klientë, kryesisht restorante e hotele. Ajo shprehet se konkurron në një treg në të cilin mbizotërojnë probleme të mëdha, që krijohen si pasojë e praktikave të konkurrencës jo të drejtë, mungesës së sistemit të duhur rregullator, mungesës së përqëndrimit e zbatimit të reformave e politikave në fushat e duhura në bujqësi si dhe mungesës së informacionit mbi grantet apo fondet e ndryshme, nga të cilat mund të përfitojnë.

Çertifikimi BIO Swiss dhe suksesi në tregun zvicerian. Megjithatë Shpresa mbetet në kërkim të përhershëm të mundësive të reja të zhvillimit të biznesit. Afrimi me Shoqatën e Bujqësisë Organike e lejoi të krijonte një rrjet kontaktesh, të cilët e ndihmuan të ngjiste biznesin e saj në një shkallë më të lartë. Në vitin 2002, kompania SHKALLA SH merr çertifikimin nga Bio Inspecta, një institucion zvicerian çertifikimi me famë botërore. Kjo i hap një dritare të re dhe ndryshon edhe drejtimin e zhvillimit të biznesit të saj. Pas marrjes së çertifikimit, kjo organizatë e ndihmon të gjejë rrugët e duhura për të eksportuar produktet në tregun zvicerian në vitin 2003. Biznesi i saj ka nevojë të vazhdueshme për financime për zhvillimin e kompanisë, për perfeksionimin e veprimtarisë dhe produktit përfundimtar. Tregjet e reja kërkojnë rritje të kapaciteteve dhe kjo e fundit kërkon investim të vazhdueshëm. Ishte pikërisht kjo mundësi që shtroi rrugën e mëtejshme të suksesit. Në vitin 2005, vaji i tregëtuar nga kompania SHKALLA SH fiton çmimin e parë në një konkurs botëror të vajit të ullirit, të zhvilluar në Bari, në Itali, duke u renditur kështu si një ndër vajrat e ullirit më cilësorë në botë. Emri rritet nga viti në vit. Në 2006, SHKALLA SH fiton një tjeter çmim për cilësinë, nga i njëjti konkurs në Bari. Në vitin 2008, produkti i saj arrin të bëhet pjesë e katalogut të 100 vajrave më të mirë në botë, në vitin 2009 fiton çmimin e parë si vaji më i mirë ekstra i virgjër ulliri në Shqipëri.

Vizioni për të ardhmen – Investimi. Përtej arritjeve, edhe punët e vajit Shkalla nuk shkojnë përherë vaj. Sfidat do ta kishin vënë përposhtë dikë që nuk ka forcën dhe përkushtimin që duket se Shpresa ka. Rrugëtimi i saj ka qënë i gjatë dhe aspak i thjeshtë, Shpresa Shkalla është një biznesmene autodidakte, e rritur profesionalisht çdo ditë, së bashku me biznesin e saj. Biznesi i saj ka nevojë të vazhdueshme për financime për zhvillimin e kompanisë, për perfeksionimin e veprimtarisë dhe produktit përfundimtar. Tregjet e reja kërkojnë rritje të kapaciteteve dhe kjo e fundit kërkon investim të vazhdueshëm.
Biznesi i saj duhet të ndjekë zhvillimet teknologjike, në mënyrë që të përmbushë dhe kërkesat për cilësi apo standardet e tregjeve në të cilat ajo konkurron. Shpresa Shkalla ngriti një biznes pa ditur se çfarë ishte biznesi, arriti të përballet me vështirësi që konkurrentët e saj në tregjet ndërkombëtare nuk i imagjinojnë – megjithatë renditet mes tyre, shpesh edhe para tyre./AgroWeb.org/